E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e kabinave e kabllove, CEZ i kërkon masa policisë

TIRANE – Vjedhja e kabllove dhe transformatorëve të energjisë elektrike, kohët e fundit është kthyer në një fenomen shqetësues si për Policinë e Tiranës, ashtu edhe për kompaninë e furnizimit me energji elektrike CEZ Shpërndarje. Nga njëra anë, policia raporton thuajse çdo ditë arrestime personash që kapen duke vjedhur sasi të konsiderueshme përcjellësi të energjisë elektrike, që shitet herë si bakër e herë si hekur, si dhe transformatorë me vlerë të konsiderueshme. Ndërsa nga ana tjetër CEZ jep alarmin për efektet negative që shkakton ky fenomen te qytetarët, bizneset, apo institucionet e tjera shtetërore, duke mos lënë pa përmendur edhe dëmin e konsiderueshëm që i shkaktohet edhe vetë kësaj kompanie. Për këtë arsye, kompania CEZ kërkon bashkëpunimin e policisë në mënyrë që të luftohet ky fenomen, duke përmendur edhe rastet e dëmeve që shkaktohen nga vjedhjet, që kanë përfunduar edhe me tragjedi. “CEZ Shpërndarje, në përpjekje për frenimin e këtij fenomeni, kërkon ndihmën dhe mbështetjen e klientëve të saj, duke i inkurajuar ata që janë dëshmitarë të një vjedhjeje të njoftojnë policinë e rendit apo dispeçerinë e kompanisë. Vetëm duke bashkuar forcat dhe në sajë të bashkëpunimit tuaj, ne mund të frenojmë këtë dukuri, e cila na prek të gjithëve”, thuhet në një njoftim zyrtarisht nga kompania e furnizimit me energji elektrike. Sipas kompanisë CEZ, vjedhja e përcjellësve të neutrit nga kabinat elektrike çon në rritjen e menjëhershme të tensionit të energjisë, dhe kjo sjell dëmtimin e pajisjeve elektroshtëpiake. Në disa raste ka pasur ankesa nga banorët për pretendimet për dëmtime të shkaktuara nga cilësia e furnizimit me energji elektrike. Për këtë arsye, CEZ ka kryer edhe kontrolle në terren për dëmtime të shkaktuara nga cilësia e furnizimit me energji. Nga ana tjetër, kompania kërkon edhe bashkëpunimin e Policisë së Tiranës, për parandalimin e këtij fenomeni, duke patrulluar më shpesh zonat problematike dhe duke arrestuar autorët. Nga të dhënat zyrtare të CEZ rezulton që nga janari i vitit 2011 e deri në mars të këtij viti janë vjedhur 108 transformatorë, 9 km kabllo, 33.5 kg përcjellës bakri, 768 m shirit bakri dhe 3580 kg përcjellës çeliku. Përveç dëmit financiar, vjedhjet në disa raste kanë shkaktuar zjarre në banesa, institucione apo biznese, si pasojë e masave elektrike që shkaktohen. Në disa raste, si tek Fusha e Aviacionit, Laprakë dhe zona mbrapa Bllokut të Ambasadave në Tiranë, për shkak të rritjes së tensionit të menjëhershëm të energjisë, banorëve u janë dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake. Ndërsa një rast tentative vjedhjeje në Kërrabë, më 19 shkurt të këtij viti, pati një fund tragjik për dy të rinjtë që kishin hyrë për të vjedhur, të cilët gjetën vdekjen nga kontakti me rrymën elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›