E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritë në mes të komunës për pronën, vritet 55-vjeçari

Viktima Rrok Kaçorri

Një konflikt i vjetër për pronësinë ndërmjet dy familjeve përfundoi me vrasjen e një personi dhe plagosjen e nipit të tij. Sipas Policisë, rreth orës 10:00, në qendër të komunës Hajmel, rreth 30 km larg qytetit të Shkodrës, mbeti i vdekur 55-vjeçari Rrok Kaçorri, ndërsa u plagos nipi i tij 27 vjeç, Zef Kaçorri. Autori i krimit, Dedë Ara, bashkë me dy djemtë e tij mësohet se u kishin zënë pritë viktimave. Nga hetimet paraprake mësohet se mes familjeve Ara dhe Kaçorri prej vitesh kishte pasur ngatërresa për motive pronësie mbi një sipërfaqe tokë. Ata nuk kishin mundur ta zgjidhnin këtë konflikt, derisa familja Ara organizoi vrasjen e Kaçorrajve.
Mësohet se dje, Rrok dhe Zef Kaçorri, përkatësisht xhaxha dhe nip, ishin kthyer nga qyteti i Shkodrës ku dhe kishin bërë pazar. Ata janë ndalur fillimisht në qendër të komunës. Pasi kanë zbritur nga furgoni i tyre, janë futur për pak në lokalin që ndodhej në zonë për t’i dhënë ca mallra pronarit të saj, për të cilat ai i kishte porositur t’ia sillnin nga qyteti. Më pas, xhaxha e nip janë drejtuar sërish për te furgoni i tyre për të vijuar rrugën për në banesë. Por, në këtë moment përballë tyre ka behur bashkëfshatari Dedë Ara me dy djemtë e tij. Ata kanë nisur sërish të debatojnë për konfliktin e vjetër, por situata është ndezur, derisa Ara ka nxjerrë armën që kishte me vete, një automatik dhe ka qëlluar disa herë me breshëri në drejtim të viktimave. Pas krimit, ai është larguar me shpejtësi me djemtë e tij. Banorët e fshatit që kanë parë edhe skenën e ngjarjes pak metra më tej kanë nxituar t’u japin ndihmën e parë bashkëfshatarëve të tyre. Ata i kanë dërguar me shpejtësi për në spitalin e Shkodrës, por 55-vjeçari Rrok Kaçorri ndërroi jetë gjatë rrugës, ndërsa nipi i tij arriti të mbijetojë dhe të marrë ndihmën e parë mjekësore. Banorët e fshatit sinjalizuan edhe policinë për ngjarjen e rëndë. Me të marrë informacion, drejt fshatit Hajmel u nisën forca të shumta të policisë dhe të Sektorit të Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë

Vendi ku ndodhi vrasja në Hajmel të Shkodrës

Shkodër si dhe të Postës së Policisë në Laç të Vaut të Dejës. Në sajë të dëshmive të banorëve, blutë arritën të identifikojnë menjëherë autorët dhe t’i shpallin në kërkim ata. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 20 gëzhoja të një arme zjarri tip automatik, të përdorur nga autori. Pak orë më pas, u ndalua autori i dyshuar, Dedë Ara dhe dy djemtë e tij. Ata janë marrë në pyetje, ndërsa autorësinë e ka marrë përsipër kryefamiljari, Dedë Ara, i cili u akuzua për “vrasje me dashje”, “plagosje me dashje” si dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas burime nga grupi i hetimit, të cilat u referohen dëshmive të banorëve si dhe deponimit të vetë autorit të kësaj ngjarjeje, krimi ka ndodhur për motive pronësie. Dedë Ara ka pohuar pas arrestimit se ka pasur një konflikt të vjetër mes dy familjeve për një sipërfaqe toke.
“Debatet për pronësinë kishin nisur disa vite më parë. Nuk kishim arritur t’i zgjidhnim dhe të binim në kompromis me njëri-tjetrin”. Kështu mësohet të jetë shprehur autori i krimit para grupit të hetimit, duke marrë përsipër edhe autorësinë e vrasjes.

I PLAGOSURI
I plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Burime spitalore bënë të ditur se ai kishte humbur shumë gjak gjatë rrugës, por i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Fatmirësisht, plagët nga të shtënat e armës nuk i kanë dëmtuar organet jetësore. 27-vjeçari po kthehej me xhaxhain e tij pasi kishin bërë pazare në qytetin e Shkodrës. Por, ata nuk arritën të shkojnë në banesë, pasi bashkëfshatari i tij bashkë me dy djemtë u kishin zënë pritë dhe i qëlluan me armë.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›