Dhuna në familje, policia regjistron 100 raste në Tiranë
Mbi 100 persona në Tiranë janë marrë në mbrojtje nga policia, për shkak se janë dhunuar në familje. Këto shifra janë publikuar nga Policia e Tiranës, e cila këtë vit ka krijuar seksionin kundër dhunës në familje. Sipas të dhënave, 110 qytetarë janë marrë në mbrojtje nga policia, të cilët janë gra dhe fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare, Policia e Tiranës, për të arritur standardet dhe parametrat në luftën për parandalimin e krimit në tërësi dhe krimit brenda në familje në veçanti, me krijimin e seksioneve të posaçme të drejtimit për hetimin e krimit, me mision parandalimin, ka krijuar për herë të parë Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje. "Seksioni i krijuar, pas implementimit të strukturës, në muajin janar të këtij viti, gjatë këtij 3-mujori ka arritur të marrë fryte rezultative të punës, duke përfituar mbrojtje ligjore 110 qytetarë, kryesisht femra dhe fëmijë. Ndërkohë, përmes krijimit të kësaj zyre, nga evidentimi i rasteve është vënë re se dhuna në familje është një fenomen negativ në shoqërinë shqiptare dhe shfaqet me të gjitha format e saj, deri në ekstrem, duke u bërë gjithmonë e më i ndjeshëm në mbarë opinionin", deklaroi Policia e Tiranës. Më tej, burimet policore thanë se duhet theksuar që me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 9969, datë 18.12.2006 "Për masat ndaj dhunës në familje, trajtimi i rasteve të dhunës", po trajtohet në mënyrë profesionale dhe me vëmendje të posaçme. "Si fenomen antiligjor, ligji për dhunën në familje, i zbatuar nga ana jonë, ka ndëshkuar penalisht apo administrativisht, të gjithë ata persona që kanë ushtruar dhunë me të gjitha format e saj, fizike, seksuale, psikologjike dhe ekonomike. Policia e Tiranës, duke parë delikatesën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje, i lindi detyra të realizonte një trajnim të punonjësve të policimit në komunitet, të cilët do të trajtojnë rastet e lartpërmendura, duke mos i paragjykuar viktimat e dhunës dhe duke iu dhënë atyre ndihmën ligjore, me anë të plotësimit të kërkesë-padive", tha policia. Sipas tyre, përgjatë këtij 3-mujori, nga bashkëpunimi i Seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje me punonjësit e policimit në komunitet, janë plotësuar 110 kërkesë-padi, ku kanë siguruar mbrojtjen e 110 viktimave të dhunës. Sipas rasteve të veçanta, në bashkëpunim me shoqatat jofitimprurëse, është ndihmuar edhe në strehimin e viktimave në ambientet e tyre. Bazuar në statistikat e deritanishme, ky fenomen negativ është i përhapur në çdo shtresë të shoqërisë, ku faktorët që ndikojnë janë ato ekonomikë, kulturorë, abuzimet me alkoolin dhe përdorimi i drogës. "Aktualisht, Drejtoria e Policisë së Tiranës po bashkëpunon edhe me një sërë shoqatash jofitimprurëse, të cilat ndihmojnë duke dhënë asistencën e tyre, për raste delikate që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Rrjeti kundër dhunës mbi baza gjinore dhe trafikimit përbëhet nga Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza (QKGV), Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (QAGJZH), Strehëza për Gratë e Abuzuara, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ), si dhe Shoqata e Grave (Refleksione)", shpjegoi policia. Në këtë kuadër, për t‘iu ardhur sa më shpejt në ndihmë viktimave të dhunës brenda familjes, Policia e Tiranës ka trajnuar punonjësit e policisë të sallave operative, të cilët presin telefonata të krimit brenda familjes, ku njëherazi ka vënë në dispozicion numrat e telefononit 129, i cili është pa pagesë dhe numrat me pagesë, 0694110202 dhe 04235740.