E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet Komiteti i Kulturës dhe Arteve?

Share

Nga Auron Tare

Kjo bilete hyrje në Muzeun Arkeologjik të Tiranës është prerë në 16 qershor 2012 pas një vizite me një grup arkeologësh të huaj që dëshironin të shikonin këtë muze, i vetmi i këtij lloji ne Tirane.

Biletat që i ruajtëm deri në dalje, përpos numrit të serisë, kishin të shkruar qartë edhe emrin e institucionit zyrtar që i lëshon ato: Komiteti i Kulturës dhe Arteve. Instituti i Arkeologjisë është tashme pjese e Qendrës së Studimeve Albanologjike, e cila po kështu është pjesë e Ministrisë së Arsimit. Pra, biletat që priten në Muzeun e Arkeologjisë të Tiranës duhet të jenë bileta të autorizuara nga Ministria e Arsimit? Logjika të thotë që po.

Megjithëse atë ditë isha i zënë dhe nuk u interesova më tej për këtë komitet të çuditshëm, pas disa ditësh e vrava mendjen shumë. Nuk po arrija dot të gjeja se kush ishte ky institucion zyrtar që lëshon këtë biletë, e cila është letër me vlerë dhe si e tillë duhet të jetë e regjistruar. Nga kërkimi në Google, Komiteti i Kulturës dhe Arteve me dilte vetëm në faqet online të Arkivit të Filmit Shqiptar. Një numër filmash shqiptarë të viteve 50-të e 60-të ishin prodhim i Komitetit të Kulturës dhe Arteve në Tiranë dhe komiteti me të njëjtin emër në Moskë.

Problemi qëndron se kush duhet të jetë ky institucion misterioz me një emër të çuditshëm, Komiteti i Kulturës dhe i Arteve sot në 2012? Pyeta disa vetë, të cilët nuk dinin absolutisht asgjë mbi këtë komitet që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit. Enigmën ma zgjidhi Artan Lame. Lame, i cili mesa duket bashkë me koleksionet e tjera ruan edhe emrat e institucioneve shqiptare, më thotë se Komiteti i Kulturës dhe Arteve ka qenë institucioni përgjegjës për kulturën dhe artet në kohën e komunizmit. Pra një lloj ministrie e Kulturës së asaj kohe. Ky institucion nuk funksionon më që prej 1990.

Mirëpo nëse ky institucion nuk funksionon që prej 20 vjetësh, si ka mundësi që një institucion zyrtar i Ministrisë së Arsimit sot në verën e nxehtë të 2012 vazhdon e shet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës bileta të lëshuara nga një institucion komunist i para 1990-ës? Si ka mundësi që Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, e cila është përgjegjëse për të gjithë rrjetin e trashëgimisë sonë kulturore lejon të tilla biletat?

Sigurisht që kjo pyetje nuk ka për të marrë asnjë përgjigje as nga Ministria e Arsimit dhe as ajo e Kulturës, e cila sigurisht që do bëjë të paditurin për këto bileta.

Gjithsesi ky fakt në dukje i vogël tregon qartë se në çfarë situate ndodhen institucionet tona të Kulturës. I vetmi Muze Arkeologjik në mes të Tiranës, i cili shet bileta të kohës së komunizmit dhe askush nuk shqetësohet për këtë fakt. Imagjinoni se çfarë po ndodh në monumentet e kulturës të braktisura me kohë nga Ministria jonë e Kulturës.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›