Brukseli, presion për 21 Janarin, reformat zgjedhore e parlamentare dhe buxhetin elektoral
Komiteti i Asociim- Stabilizimit, në përbërje të të cilit janë deputetë të shumicës dhe opozitës, do të mblidhet në Bruksel më 12 korrik për tu angazhuar për disa pika delikate të zhvillimeve në Shqipëri. Deputeteve të Berishës do tu duhet të firmosin angazhimin e tyre për një hetim të pavarur të 21 Janarit, për një reformë zgjedhore dhe parlamentare sipas standardeve, për mos prekje të buxhetit për nevoja elektorale dhe rritjen e zbatimit të ligjit.
Një dokument i siguruar nga Top-Channel tregon 8 pikat e hartuara paraprakisht që duhet ti firmosin të dy palët.
1. Deklarata nis me një urim për presidentin e zgjedhur Bujar Nishani dhe atë në largim Bamir Topi, i cili merr përgëzime për rolin e tij gjatë krizës politike. Komiteti Stabilizim- Asociimit i kujton presidentit të ardhshëm, Bujar Nishanit, se krahas përfaqësimit të unitetit kombëtar, do ti duhet të garantojë pavarësinë e institucioneve përfshi bashkimin e forcave politike drejt qëllimit final të përmbushjes së kushteve që dikton integrimi evropian.
2. Pika e dytë e deklaratës përshëndet përpjekjet që kanë ndodhur pas marrëveshjes së nëntorit 2011 në qetësimin e klimës politike megjithatë Komiteti Stabilizim Asociimit shpreh zhgënjimin, për shansin e humbur nga të gjitha forcat politike për të shpalosur vendosmëri dhe bashkëpunim, gjë e cila u dëmtua seriozisht gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.
3. Komiteti Stabilizim Asociimit pasi vlerëson hapat e deritanishëm në reformat parlamentare dhe zgjedhore kërkon nga klasa politike shqiptare që në mënyrë urgjente të finalizojnë këto dy reforma.
4. Liberalizimi vizave shihet nga Komiteti Stabilizim Asociimit, si një sukses jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe në marrëdhënieve ndërinstitucionale. Vlerësohet puna e qeverisë në menaxhimin e problemeve të shfaqura që lidhen me këtë proces.
5. Në pikën e pestë të deklaratës ritheksohet se reformat në drejtësi, lufta krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushtet kryesore për të gjithë rajonin në rrugëtimin drejt BE-s. Komiteti në mënyrë të veçantë kërkon nga autoritet shqiptare jo vetëm hartimin e ligjeve të bukura në letër, por më kryesorja zbatimin e tyre e në mënyrë të posaçme garantimin e pavarësisë në sistemin e drejtësisë.
6. Është me rëndësi që ngjarja e 21 Janarit 2011 të ndiqet me hetime të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, përfshi procedura gjyqësore të besueshme, thuhet në pikën gjashtë të deklaratës.
7. Komiteti Stabilizim Asociimit i jep një rëndësi edhe situatës ekonomike në Shqipëri dhe kërkon prej institucioneve financiare në vend të bëjnë kujdes me disiplinën buxhetore e cila do të shërbejë për vijimin e qëndrueshmërisë së zhvillimit makroekonomik. Zgjedhjet parlamentare të 2013-tës thuhet në deklaratë nuk duhet të kenë influencë në planifikimin e buxhetit siç ka ndodhur në të shkuarën.
8. Deklarata e Komitetit të Stabilizim Asociimit, në pikën e fundit të saj kërkon që Shqipëria të vijojë pasjen e rolit konstruktiv në stabilitetin e rajonit duke luftuar tensionet e brendshme etnike në Ballkanin Perëndimor.
Ky komitet ka dështuar dy herë radhazi në hartimin e një deklarate konsensuale.
