Zbulohet ditari i vdekjes në Gërdec
Emrat e punëtorëve, paratë që fitonin në fund të ditës por edhe milionat për “arkitektët” e fabrikës së vdekjes
TIRANË- Rajmonda Durda, 40- vjeçarja nga Gërdeci gdhihej çdo ditë mes predhash, pa e çuar ndër mend se një prej këtyre agimeve do të ishte i fundit për të. Banore e një fshati ku papunësia rëndonte më shumë se rreziku, Rajmonda e kish ndarë mendjen të riskonte për të siguruar 1 mijë lekë në ditë për bukën e fëmijëve. E donte jetën... megjithatë, mesditën e 15 marsit vdiq, e përpirë prej valës apokaliptike të shpërthimit në Gërdec. Ditët e fundit të Rajmonda Durdës, por edhe të punëtorëve të tjerë të fabrikës së vdekjes janë shënuar në një libër të zi. Llogaritari i kompanisë së “skllevërve” ka mbajtur një qitap, ku ka shkruar si qëmoti gjithçka ndodhte brenda fabrikës. Një ditar i përlyer me baltë e pluhur nga shpërthimi e ndoshta me gjakun e viktimave të kësaj tragjedie të pashembullt. “Shekulli” ka mundur që të sigurojë dokumentin origjinal, ku tregohet se si shfrytëzoheshin punëtorët në çmontimin e predhave dhe fishekëve të vjetër të ushtrisë. Ajo mund të quhet edhe borderoja,ku janë shënuar emrat e të gjithë punonjësve, proceset e punës dhe gjithçka tjetër ndodhte në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Punëtorë me mëditje, pa kontrata, pa rroga, pa asgjë, e fatkeqësisht, një pjesë prej tyre, pa frymë. Përmes faqeve të këtij ditari, “Shekulli” do të rrëfejë tmerret e pathëna të një tragjedie të trishtë...
Në rrënojat e Gërdecit, aty ku ende gjenden trupa të karbonizuar njerëzish është zbuluar një dokument që tregon në mënyrë brutale, atë që ndodhte brenda fabrikës së vdekjes. Një ditar i trashë ka arritur që t’i shpëtojë shpërthimit të tmerrshëm. Ka mbijetuar mes gërmadhave, sikur ishte vetë fati që vendosi t’iu linte atyre që jetuan një kujtim të hidhur. “Libri i Vdekjes” do të vihet në dispozicion të lexuesve të “Shekullit”, por edhe të gjitha organeve kompetente që do të duan ta përdorin atë si provë. Më shumë se 100 punëtorë janë shfrytëzuar në mënyrë të pashpirt nga firma e Mihal Delijorgjit dhe njerëzve të tij në atë fabrikë të tmerrshme. “Libri i Vdekjes” tregon se si punëtorët hynin çdo ditë në fabrikë. Shënonin emrin tek “llogaritari”. Ndaheshin në grupe të ndryshme, bazuar kryesisht në miqësitë dhe lidhjet familjare që kishin, e më pas niseshin për punë. Ata merrnin në krahë predhat vdekjeprurëse dhe me çmontimin e tyre, numëronin paratë që do të merrnin në fund të ditës. Punëtorët, grupi i pastrimit të gëzhojave, grupi i pastrimit të predhave, specialistët dhe në fund grupet e hapjes së arkave. Ata nuk ishin punëtorë, madje as njerëz, por thjesht vegla që duheshin shfrytëzuar për të shtuar milionat e pronarit të tyre. Arkat hapen, predhat numërohen, pastrohen... “Tani mund të filloni punë”, -ishte urdhri vdekjeprurës që u dha mëngjesin e 15 marsit. Gjithçka e shënuar aty, në këtë ditar. Secili punëtor kishte detyrën e përcaktuar.
Punëtorët paguheshin me një mijë e njëqind lekë në ditë. Ata që lanin predhat dhe gëzhojat merrnin një mijë lekë në fund të ditës. Të tjerët duhej të kapnin normën. Të ndarë në grupe nga dy, tre ose katër persona ata duhet të çmontonin predhat. E kështu vazhdojnë listat një nga një. Lista të tmerrshme që askush nuk ka marrë mundimin t’i mbajë ashtu siç duhet. Në to shënohen oraret e punës të secilit prej punëtorëve. Shpjegohet se çfarë janë çmontuar gjatë këtyre muajve, sa janë çmontuar, sa ka çmontuar një punëtor i vetëm dhe sa para duhet të marrë ai, për punën e bërë. Këta punëtorë të Gërdecit, nuk i njohin fjalët kontratë, sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore, SHTET. Ata nuk kanë as rrogë, por paguhen në varësi të fuqisë që kanë. Si skllevërit e qëmotit detyrohen të hyjnë deri në fyt në barut, tritol e helme kimike, sepse vetëm kështu mund të paguhen nga pronari i tyre. Punëtorë me mëditje që nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër dhe janë të detyruar që të bëjnë këtë punë. Dhe një njeri qëndron mbi të gjithë. Ai shikon, dokumenton, i jep secilit atë që meriton në bazë të punës që ka kryer. Ai është llogaritari. Por ditën e fundit, ai e humbi fillin, humbi librin...
Data e fundit e shënuar në “librin e vdekjes” është 14 marsi. Një ditë përpara të pashmangshmes. Edhe kjo ditë ka mbetur përgjysmë. Ajo ka nisur me hapjen e barutit nga tre grupe të ndryshme. Të tjerët kanë bërë nxjerrjen e barutit dhe kanë nisur punën. Grupi i parë ka marrë në dorëzim 400 predha. Ai përbëhet nga Qemal Mema, Azem Amoli dhe Rexhep Ruçi. “Secili duhet të marrë nga:..” dhe këtu fjalia është ndërprerë në mes. “Llogaritari nuk ka mundur që të mbarojë dot listën e tij të zezë. Për shpërthimin e një dite më pas ai nuk ka shënuar asgjë. Në fletën ku duhet të ishte shkruar për të, gjendet vetëm balta. Shpërthimi duket se ka vulosur gjëmën në këtë fletë të mbetur bosh...
Qetësia përpara shpërthimit
Një ditë përpara tragjedisë të kobshme, gjithçka është dukur e qetë në fabrikën e zezë të Gërdecit. Listat e “llogaritarit” tregojnë 71 njerëz që janë marrë me punën e tyre të përditshme. Libri mbushet me emra, detyra. Punëtorët me mëditje marrin predhat e tyre. I hapin, i çmontojnë. Janë shumë predha por llogaritari ka harruar t’u shënojë atyre paratë që duhet të marrin. Ai e ka lënë këtë kolonë bosh. Ndoshta këtë punë do ta bënte të nesërmen e katastrofës.
LISTA E VIKTIMAVE TË IDENTIFIKUARA
Jetmir Ballazhi
Rajmonda Durda
Muhamet Hoxha
Besim Çanga
Hysen Cani
Jetmir Deliu
Roland Alla
Liliana Deliu
Flavio Deliu
Reshit Kruja
Azem Meliu (ndërroi jetë në spital, Itali)
Ilirian Malçi
Zilie Kaca
Endri Dvorani
Arben Hasa
Muhamet Azizi
Bukurie Cani