E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhjet në Gërdec, 4 në pranga

TIRANË- Braktisja e shtëpive nga banorët e Gërdecit, pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të predhave u ka lënë hapësirë të sigurojnë sende me vlerë. Megjithëse e gjithë zona e Gërdecit është e ruajtur nga forca të ushtrisë dhe të policisë, grabitësit kanë mundur të gjejnë mënyrën për të çarë rrethimin, me qëllim vjedhjen e banesave të braktisura. Policia ka kapur ditën e djeshme katër persona, të cilët dyshohet se po kryenin vjedhje në fshatin Gërdec. Keqbërësit kanë shfrytëzuar situatën kaotike që ka mbërthyer prej mëse një jave fshatin e tragjedisë, për të marrë sende me vlerë nga banesat e braktisura. Banorët e kësaj zonë u larguan fill pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve, pa mundur të marrin sendet me vlerë. Banorët u evakuuan nga forcat e policisë dhe për të siguruar jetën e tyre, ata nuk u lejuan të qëndronin në shtëpitë e tyre deri në pastrimin e zonës. Mirëpo, banorët shprehën frikën e pranisë së keqbërësve pas largimit të tyre, gjë e cila ka detyruar forca të shumta të policisë e ushtrisë të rrethojnë të gjithë zonën e braktisur. Policia qetësoi banorët se kanë marrë shtëpitë e tyre nën ruajtje dhe nuk do të ketë vjedhje, por duket se një deklaratë të tillë e kanë përgënjeshtruar katër persona. Këta të fundit u kapën teksa po u afroheshin disa banesave në Gërdec, që sipas policisë dyshohet se po tentonin të vidhnin banesat e braktisura. Autorët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia u shoqëruan menjëherë në rajonin e policisë së Vorës, ku dhe u morën në pyetje. Burimet policore bënë të ditur se në zonën e fatkeqësisë po patrullojnë forca të uniformave blu, për të mbrojtur shtëpitë nga grabitësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›