Obama: Ja si do ta luftoj deficitin
Presidenti amerikan parashtron buxhetin e vitit 2011
Presidenti amerikan, Obama, ka shpalosur dje planin multitrilionë dollarësh të buxhetit, duke premtuar se do të luftonte gjatë gjithë vitit për të ulur shkallën e lartë të papunësisë dhe duke i kërkuar Kongresit që të aprovonte sa më shpejt të ishte e mundur përpjekjet për krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat do të ndikonin në uljen e deficitit rekord prej 1.56 trilionë dollarësh. Buxheti i ri i Obamës është një material ku duket se Presidenti ka bërë kompromise, ka marrë vendime të prera për të shpëtuar ekonominë, sipas mënyrës që ai e konsideron më efikase. Por para parashtrimit të këtij plani ai ka këmbëngulur se është shumë e rëndësishme, madje më e rëndësishmja e këtij plani shtimi i vendeve të punës, pra si pasojë ulja e papunësisë. Buxheti parashikon një rritje të shpenzimeve prej 5.7% për vitin aktual dhe parashikon që shpenzimet të rriten edhe me 3% të tjera në vitin 2011. “Derisa Amerika t’i rikthehet punës, administrata ime nuk do të reshtë së punuari”, ka deklaruar Obama. Sipas tij, është e pamundur që ky deficit të ulet brenda natës, duke qenë se situata e krizës ekonomike nuk është ndryshuar përfundimisht dhe se shumë familje amerikane kanë ende nevojë për ndihmë mbijetese. Buxheti i Obamës ofron ulje taksash për biznesin. Gjithashtu, në ndihmë të programeve të punësimit do të shkojnë edhe 25 miliardë dollarë. Këtë vit deficiti do të kapë shifrën rekord prej 1.56 miliardë dollarësh, që është më shumë se një vit më parë, kur gjithashtu u shënua një rekord. Sipas administratës, deficitet në dhjetëvjeçarin e ardhshëm do të kenë një shtesë prej 8.5 trilionë dollarësh të borxhit kombëtar. Buxheti i ri mbart atë që Obama theksoi në fjalimin e tij para Kongresit dhe popullit amerikan, pra vënien e gjithë përqendrimit të mundshëm në rigjallërimin e ekonomisë amerikane, një përpjekje kjo për të ngritur moralin e një pjese të votuesve amerikanë, të cilët e ndiejnë veten të zhgënjyer nga rezultatet e vitit të parë të punës së Obamës, kryesisht për sa u përket çështjeve të ekonomisë. Në buxhet përfshihet edhe përpjekja për reformimin e kujdesit shëndetësor, çështje që dominoi gjithë vitin e parë në pushtet të Obamës. Ky propozim pritet që të votohet sërish në Senat dhe demokratëve për këtë u duhen 60 votat, të cilat nuk i kanë më pas marrjes së një vendi nga republikanët. Linja që ndjek Obama në këtë buxhet është ajo mes nxjerrjes së ekonomisë nga recesioni më i thellë i pas Luftës së Dytë Botërore dhe kontrollit të deficitit. Administrata këmbëngul që me të kaluar fazën më të keqe të recesionit, atëherë qeveria do ta fokusojë vëmendjen e saj te sulmi kundër deficitit shumë të lartë. Qeveria propozoi edhe një ngritje trevjeçare të shpenzimeve, duke filluar nga viti i ardhshëm. Bëhet fjalë për një numër programesh. Sigurisht që programet kryesore që kanë të bëjnë me shëndetin, mbështetjen e veteranëve e të tjera si këto nuk do të preken, por do të preken programe të tilla si projektet hapësinore. Në buxhetin e ri ka një vend të veçantë për rritjen e shpenzimeve për shtimin e sigurisë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për sa i përket programit të NASA-s për rikthimin në Hënë, i cili ishte parashikuar me një vlerë prej 9 miliardë dollarësh, ai do të ngrihet përkohësisht.
#