E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balliu: Koliçin s’e vrava unë, policia: Kemi prova

Edhe pse i akuzuari për vrasjen e së premtes në Tiranë mohon akuzën, agjentët e krimeve kanë mbledhur provat e nevojshme për ta lënë atë në qeli

Tiranë Konfliktet e së shkuarës së Aleksandër Koliçit çuan policinë e Tiranës në gjurmët e Bledar Balliut. Menjëherë pas vrasjes së tij, personat e parë që u vunë në shënjestrën e grupit hetimor ishin ish-bashkëpunëtorët në grupin “Poter-Al”, të cilët mund të kishin hesape për të larë, për shkak të paktit që viktima bëri me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2008. Ishte kjo pista kryesore në të cilën u shtrinë hetimet e Policisë së Tiranës, të cilët vetëm pak orë pas vrasjes, arritën të vinin në pranga të dyshuarin kryesor, Bledar Balliun. Burime konfidenciale nga grupi hetimor bëjnë të ditur se kanë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se vrasja është kryer nga Balliu. “Nuk mund t’u them më shumë në lidhje me provat ose indiciet që ne na çuan në identifikimin e autorit të ngjarjes, por ju them se ekzistojnë një sërë provash dhe dëshmish që provojnë se vrasja është kryer nga Bledar Balliu” – bëjnë të ditur burime për gazetën “MAPO”. Të njëjtat burime bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, Balliu nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën, duke ngulmuar se nuk ishte ai vrasësi i Aleksandër Koliqit, mbrëmjen e 15 korrikut pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Tashmë dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Bledar Balliut, kërkesë e cila do të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës. Aleksandër Koliçi u vra me një plumb të vetëm në kokë, në momentin kur ishte duke shkuar për në banesën e tij dhe kishte ndaluar për disa çaste pranë automjetit, të cilit i kishte rënë goma. Në këto momente, Balliu dyshohet se është afruar dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme atij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›