E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet mashtrimi i Bashës: Pylli është prerë pa leje, Mediu e ka gjobitur dhjetë milionë lek

Share

Basha: Shpejtësia me të cilën është lëvizur për të nisur punimet ishte e beftë edhe për ne. Edhe unë e mora vesh nga shtypi se punimet kishin filluar”

Lulëzim Basha ka mashtruar dje publikisht kur tha se gjithë dokumentacioni për zgjerimin e rrugës së Saukut dhe lejet përkatëse janë konform ligjit. Gazeta Tema ka siguruar prej shoqërisë civile, që po kërkon ndaljen e masakrës së pyllit të Parkut Kombëtar, një fotokopje të një gjobe prej dhjetë milionë lekësh që Ministria e Mjedisit ka vendosur për prerjen e pemëve në Rrugën e Elbasanit, që dëshmon se gjithçka është kryer pa leje. Gjatë fjalës së tij dje para këshilltarëve bashkiakë, Basha u mundua ta fshehë të vërtetën e punimeve pa leje, duke theksuar se ekziston një paqartësi për dhënien e lejes nëse ajo i takon Bashkisë apo qeverisë qendrore, çka do të thotë se ka nisur punimet pa leje. Gjoba e vendosur nga Ministria e Mjedisit në adresë të Drejtorisë së Rrugëve që ka prokuruar fillimin pa leje të rrugës është dëshmi e qartë e mungesës së lejes.

Veprimtarët e shoqërisë civile, të cilët kanë këmbëngulur në transparencën rreth këtij projekti, kanë marrë një konfirmim zyrtar nga Ministria e Mjedisit për mungesën e një leje mjedisore aty.

Në një përgjigje drejtuar kërkesës së firmosur nga Artan Lame, Inspektorati i Mjedisit i Ministrisë së Mjedisit thotë se meqë subjekti përgjegjës nuk ka aplikuar brenda afatit ligjor për leje mjedisore në QKL, në vazhdim të procedurës administrative me vendimin nr. 11, datë 26.06.2012 për shkeljen e ushtrimit të aktivitetit pa leje mjedisi të parashikuar në ligjin e mësipërm, ka dënuar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve me gjobë në vlerën 1.000.000 lekë, përcjellë me shkresën nr. prot. 308, datë 26.06.2012.

Konfirmimi i gjobës nga Ministria e Mjedisit dhe deklaratat kontradiktore të Lulëzim Bashës tregojnë se projekti ka nisur pa u miratuar leja e mjedisit dhe leje e tjera të nevojshme për të kompletuar gjithë procedurën. Kjo është dhe arsyeja përse Basha nuk jepte asnjë shpjegim për 40 ditë që shoqëria civile kërkon transparencë për këtë projekt.

Duhet të kujtojmë se Berisha prishi një vepër të përfunduar publike në vitin 2005, Zogun e Zi, duke gjetur si arsyetim mungesën e një formulari formal, të parëndësishëm në procedurë, dhe e përdori këtë pretekst për të prishur një vepër publike që i zinte pamjen e pallatit shoferit dhe bodigardit të familjes së tij.

Basha në Këshilli Bashkiak: Më ka befasuar shpejtësia me të cilën punimet

Shpejtësia me të cilën është lëvizur për të nisur punimet ishte e beftë edhe për ne. Edhe unë e mora vesh nga shtypi se punimet kishin filluar. Do të doja të isha aty jo për të prerë shiritin, por për të qenë bashkë me komunitetin, i cili ka qenë dhjetëra herë në zyrën time, të Nënkryetares dhe drejtorëve të tjerë për tu marrë me çështjet e shpronësimit dhe jemi marrë një më një për muaj me radhë me çdo familje me të gjithë pronarët. Zbatimi i projektit diktonte nevojën e zhvendosjes dhe prerjes se nje numri  pemësh, në 1.7 km gjatësi. Zona rreth rrugës aktuale, në të dyja anët, që preket nga ndërtimi i rrugës është afro 9 000 metra katrorë, më pak se 1 ha. Pra pretendimi se dhjetëra hektarë po rrafshohen nuk qëndron. Ne bëmë kujdes të madh qe numri i pemëve te prera, të jetë sa më i reduktuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›