Zbulohet spiuni i nobelistes Herta Müller
BERLIN-Ajo kritikon dhe kritikon, kritikon në një mënyrë destruktive, saqë shtrohet pyetja se çfarë kuptimi kanë këto tekste!?" Me këto fjalë përfundon analiza sekrete e veprave të nobelistes Hertha Müller, e kryer prej bashkëpunëtorit jozyrtar të Sekuritates "Voicu", më 16 mars 1982. Kjo fjali është cituar të hënën edhe në kanalin e parë televiziv gjerman ARD, në emisionin politik "Report Mainz", ku u trajtua puna e bashkëpunëtorit jozyrtar të Sekuritates, i cili tani si pensionist jeton në Gjermani, ndërsa në vitet '80-të spiunonte Herta Müller-in. "Ekspertiza letrare" e bashkëpunëtorëve të Sekuritates merret me veprën e parë të nobelistes Müller "Niederungen", e cila në Bukuresht është botuar në vitin 1982. Herta Müller në këtë analizë vlerësohej prej "Vojcut" me këto fjalë: "Herta Müller i përket një grupi të ri shkrimtarësh, që botojnë në gjuhën gjermane, të cilët janë të njohur për nga qëndrimet e tyre armiqësore ndaj shtetit". Me këtë shpjegim ai kërkonte hapjen e një "procedure operative" kundër shkrimtares. Përndjekja Historiani dhe njohësi i mirë i rrethanave në Rumani, Georg Herbstritt, nga zyra Birthler, konfirmoi në një intervistë për "Report Mainz" se pas kësaj analize të "Voicut" ka filluar përndjekja operative e Herta Müllerit. "Raporti ishte shkas që shërbimi sekret dhe oficerët kryesorë të hapin një dosje për Herta Müllerin dhe ta përndjekin atë". Shkrimtari rumun, Horst Samson, një ish-shok i atyre, që furnizonin Sekuritaten me informacione, shpjegon në këtë emision se në bazë të shënimeve ai ka deshifruar se pas pseudonimit "Voicu" fshihet Franz Thomas Schleich. Edhe vetë Herta Müller e njeh identitetin e plotë të bashkëpunëtorit të shërbimit sekret. "Po, ai është Franz Schleich". Deklaratat e Müllerit dhe Samsonit konfirmohen edhe prej ekspertëve gjermanë, të cilët e kanë analizuar dorëshkrimin e "Voicut". Franz Schleich, i lindur më 1948-ën, ka punuar si redaktor në gazetën lokale të Timisoarës në gjuhën gjermane "Neue Banater Zeitung" dhe ishte anëtar i rrethit të shkrimtarëve lokalë, ashtu si dhe Herta Müller. Në mars të vitit 1983, ai ka ardhur të jetojë në Gjermani. Më 1985-ën shkoi për një udhëtim në Rumani, si reporter i revistës "Stern", për të raportuar për gjendjen e ish-kolegëve shkrimtarë. Në tetor të këtij viti botoi tekstin "Vetëm të vjetrit duan të mbeten", ndërsa në pranverën e vitit 1986 shkoi sërish në Rumani, ku është takuar me oficerin e Sekuritates, Nicolae P?durariu. Në një raport të mëvonshëm të oficerit, ku Schleich paraqitet me emrin "Schneider", thuhet se ai sërish ka marrë për detyrë të spiunojë kolegët shkrimtarë. Schleich e ka kryer këtë punë me përkushtim dhe për punët e mëparshme ka marrë lëvdata. Franz Schleich nuk deshi të deklarohet për këto kritika. Përmes postës elektronike ai i shkruan emisionit "Report Mainz" se ekziston dyshimi që dokumentet janë manipuluar prej Sekuritates. Herta Müller, lidhur me këtë pohon: "Shumë vite kam menduar se në këtë rreth miqsh nuk ka pasur spiunime. Tani e kam vërejtur se kjo nuk ishte e vërtetë. Janë këto gjëra... për të cilat kur i zbulon, mendon se nuk kanë qenë të mundura. Gjithmonë hapin plagë të reja". Ajo shpreson se në bazë të të dhënave të fundit do të hapet një debat i gjerë për bashkëpunëtorët e Sekuritates, si "Voicu", se këto raste do të zbardhen dhe se ata do të përgjigjen. Marrë nga "Deutsche Welle"