E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra “çlirohet” nga uji, po i kthehet normalitetit

Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu dhe kryetar i Komisionit të Emergjencës Civile të qarkut tha se “përmirësimi i kushteve të motit ka favorizuar zbatimin e planeve operacionale të Komitetit Ndërministror dhe Shtabit të Emergjencave, që po veprojnë sipas grafikut në zonat e përmbytura”.Sipas Cungut, niveli i ujit në këto zona ka filluar të bjerë duke liruar një pjese të mirë të sipërfaqeve të tokës së përmbytur. "Por niveli i ujit ka rënë edhe në shumë banesa, ç'ka po i jep mundësi një pjese të banorëve që të rikthehen në banesat e tyre", sqaron ai.  Përmirësim i ndjeshëm vihet re edhe në disa akse rrugore, që u bënë problematike për qarkullimin e automjeteve. Prefekti i Shkodrës tha se "lëvizja në vendin e quajtur "Harku i Bërdicës" në  aksin rrugor nacional Shkodër-Tiranë, është krejt  e normalizuar".  Sipas tij, edhe në lagjen Xhabiaj në hyrje të qytetit të Shkodrës pas tre ditë punë intensive të kompanisë së specializuar maqedonase, uji është larguar tërësisht nga rruga, ndërsa përmirësime të ndjeshme vihen re dhe në akset rrugore ndërlidhëse të disa prej komunave, përfshirë dhe komunën problematike të Dajçit. Prefekti Cungu thotë se  “forca të specializuara po  intensifikojnë punën e tyre në përforcimin e argjinaturave të lumit Buna dhe Drin".Në Qarkun e Shkodrës rezultojnë të përmbytura deri tani 9340 ha tokë dhe 2169 shtëpi, ndërsa janë evakuar gjithsej 5173 persona. Më të dëmtuara nga përmbytja renditen komuna Dajc, Bregu i Bunës, Ana e Malit, Bushat, Velipojë, lagjet periferike të bashkisë së Shkodrës etj. Edhe gjatë ditës së sotme vijon operacioni për shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e zonës së  dëmtuar nga përmbytjet, sipas planit të përcaktuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›