E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gërdecit, ultimatum prokurorisë

“Na tregoni për fatin e kërkesës për procedim ndaj Fatmir Mediut, në të kundërt shihemi në gjyq”
Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë “kërcënuar” organin e Prokurorisë së Përgjithshme me padi në gjykatë, nëse nuk marrin një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës që kanë kërkuar për shtetasin Fatmir Mediu. Kreu i shoqatës së trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit, Feruzan Durda, deklaroi se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të Fatmir Mediut. “Me anë të kësaj kërkese ne kërkuam që prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit”, tha Durda duke shtuar se, megjithëse kanë kaluar 40 ditë nga afati kur zyrtarët e akuzës qendrore duhet t’i kishin kthyer përgjigje mbi fatin e kërkesës, ende ata nuk kanë marrë ndonjë një të dhënë zyrtare.
Kërkesa
“Ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, në emër të shoqatës, pas pranimit të kërkesë-padisë sonë në kuadër të të plagosurve të tragjedisë nga Gjykata e Lartë, që në muajin nëntor i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të Fatmir Mediut. Me anë të kësaj kërkese, ne kërkuam që prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit”, deklaroi Feruzan Durda. Ai tha se  kemi kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin për procedim në mënyrë që Kuvendi të votonte për heqjen e imunitetit, çka do bënte më pas të mundur vënien para drejtësisë të Fatmir Mediut. “Prokurorisë, në ditët në vazhdim i kemi bërë dhe kërkesë për informacion mbi kërkesën e mësipërme. Duke marrë në konsideratë që afati zyrtar për detyrimin që jep ligji për t’iu përgjigjur kërkesave zyrtare ka kaluar, i kërkojmëprokurorisë të na përgjigjet nëse është dhënë autorizimi për veprimet e sipërpërmendura”, deklaroi Shoqata e Familjarëve të viktimave të Gërdecit. Sipas saj, nuk kuptohet zvarritja dhe heshtja e prokurorisë për këtë ngjarje kaq të rëndë. “është në nderin e këtij institucioni që të ndërmarrë veprime që do vinin përpara drejtësisë çdo person me apo pa imunitet, pasi ky është dhe funksioni kushtetues i këtij organi”, vijoi deklarata.
Kërcënimi
Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kanë kërcënuar me gjyq organin e Prokurorisë së Përgjithshme, nëse nuk i kthen përgjigje për fatin e kërkesës që kanë depozituar në muajin nëntor të vitit të kaluar. “Duke qenë se afati ligjor i kthimit të një përgjigjeje zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme ka kaluar, ne po përgatisim hapat përkatës për ta kërkuar këtë të drejtë përmes sistemit gjyqësor. Nëse institucioni i prokurorisë nuk siguron kthimin e një përgjigjeje shumë shpejt, një përballje gjyqësore ndërmjet palës së dëmtuar dhe organit të akuzës, do të jetë e pashmangshme”, tha Feruzan Durdaj, kryetari i Shoqatës së Trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit. Ndërkohë, gazeta “Shqip” u interesua zyrtarisht mbi fatin e kërkesës së shoqatës në fjalë. Përgjigjja zyrtare ishte se “nuk kemi asnjë informacion”. Sipas legjislacionit, pala paditëse, në këtë rast të mbijetuarit e tragjedisë, duhet të njoftoheshin mbi hapat e hetimeve. Ndërkohë që prokuroria shpreson që një gjë të tillë ta realizojë Gjykata e Lartë, pasi kjo gjykatë ka pranuar një kërkesë nga një e dëmtuar në Gërdec.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›