Banorët e pallatit të shembur, padi civile firmës
Gjirokastër
Banorët e pallatit të rrëzuar më 9 nëntor të vitit 2008 në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës kërkojnë dëmshpërblim nga ana e firmës “Arti sh.p.k.”. Iniciativa e familjeve të mbetura pa strehë ka marrë trajta ligjore mesditën e djeshme me depozitimin e një kërkesë-padie civile në Gjykatën e Faktit të Gjirokastrës. Kanë qenë pesë banorëve të pallatit që u shemb ata që kanë depozituar padinë civile pranë togave të zeza. Shuma që kërkojnë banorët nga drejtuesi i firmës së ndërtimit “Arti sh.p.k.” Sotiraq Janora vlerësohet gjithsej rreth 57 milionë lekë. Banorët premtojnë se do t’i shkojnë deri në fund këtij procesi për të marrë dëmshpërblimin që u takon. Akt-ekspertimi i organit të akuzës e ka vlerësuar dëmin e shkaktuar nga rrëzimi i pallatit për banorët e tij në masën e 62.3 milionë lekëve. Për banorët ka qenë firma e ndërtimit përgjegjësja kryesore për tragjedinë e ndodhur, ndaj duhet të marrë përsipër dëmshpërblimin e të gjitha familjeve që humbën pasuritë dhe njerëzit më të dashur. Ndërkaq, kujtojmë se qeveria një muaj më pas u dha banorëve të prekur nga tragjedia shumën e 46.3 milionë lekëve, e cila u shpërnda në muajin dhjetor të vitit 2008. Ndihma u konsiderua si emergjente, por me të hollat e marra nga qeveria, banorët nuk munden dot të zëvendësojnë apo të ndërtojnë nga e para shtëpitë e tyre.
#