E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet vepra e fshehtë e Da Vinçit?

Hulumtuesit në Firence thonë se janë një hap më afër vërtetimit të një kryevepre të humbur të mjeshtrit të Renesancës Leonardo da Vinçi.

‘The Battle of Anghiari’ (Beteja e Anghiari-t) është pikturuar në një mur të fshehur në një zgavër të bashkisë së Firences, ku ka qëndruar e paparë për pesë shekuj.

Pas shpimit të vrimave të vockla në një afresk të pikturuar në një mur që e fsheh zgavrën, hulumtuesit futën një sondë 4 milimetra të gjerë dhe morën mostra të ngjyrës e cila, thonë ata, është e ngjashme me atë të përdorur nga Leonardo kur e ka pikturuar kryeveprën e tij ‘Mona Lisa’.

“Dëshmia na bënë me dije se po hulumtojmë në vendin e duhur”, tha Maurizio Seracini, një hulumtues që punon në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, i cili me dekada ka besuar se pasi Leonardo e ka pikturuar skenën e tij monumentale të betejës në vitin 1504 ajo ishte mbuluar me tulla.

Ekipi i Seracinit vitin e kaluar e ka marrë lejen për të shpuar nëpër veprën e Giorgio Vasarit ‘The Battle of Marciano’ në Val di Chiana, e cila ishte pikturuar në vitin 1563 në murin, për të cilin ata pohojnë se e fsheh veprën e Leonardos në Sallën e 500-ve në Palazzo Vecchio të Firences.

Sonda e ekipit hulumtues konfirmoi ekzistencën e një boshllëku të ajrit, fillimisht e identifikuar nëpërmjet skanimeve të radarit të transmetuara në sallë, ndërmjet murit me tulla, në të cilin Vasari ka pikturuar muralin e tij dhe murit që ndodhet prapa tij. “Asnjë boshllëk tjetër nuk ekziston mbrapa pesë freskave tjera masive të Vasarit në sallën me tavan të lartë”, theksoi ekipi.

Një mostër e një materiali të zi e marrë nga muri i pasmë është analizuar me mikroskop, duke përdorur spektroskopinë me energji shpërndarëse të rrezeve X për të identifikuar përbërjen e tij kimike.

Përbërja kimike ‘ishte e ngjashme me pigmentin e zi të gjetur në lustrat bojëkafe në ‘Mona Lisa’ dhe ‘St John the Baptist’ të Leonardos, të identifikuara në botimin e fundit të një reviste shkencore nga Louvre, ku analizoheshin të gjitha pikturat e Da Vinçit që ndodhen në koleksionin e muzeut”, tha ekipi.

“Vëreni se Leonardo e ka pikturuar ‘Mona Lisa’-n në Firence në të njëjtën kohë”, tha Seracini, i cili është paraqitur edhe në librin bestseller të shkrimtarit amerikan Dan Brown ‘Kodi Da Vinçi’.

Shtresa të një materiali të kuq janë gjetur gjithashtu. “Analizat e këtyre mostrave duket që i identifikojnë ato si materiale organike, të cilat mund të jenë të lidhura me llakun e kuq. Ky lloj materiali vështirë që mund të gjendet në ndonjë mur të suvatuar thjeshtë”, thekson ekipi.

Ekspertët e artit e kanë kundërshtuar shpimin që Seracini i ka bërë afreskut të Vasarit dhe një prej kritikëve më të egër tha të hënën se dyshonte se do të gjendej diçka.

“Këto mostra janë analizuar në një laborator privat dhe nuk i janë dërguar qendrën zyrtare restauruese të Firences, Opificio delle Pietre Dure”, tha profesori italian i historisë së artit Tomaso Montanari. “E tëra që kanë është një prezantim në PowerPoint. Nëse kanë rezultate që vërtet janë të përshtatshme nga një pikëvështrim shkencor, a nuk do të ishte më mirë t’i dërgoheshin kësaj qendre sesa të mbahej konferenca për media?”

Leonardo e ka përfunduar pjesën kryesore të veprës së tij, e cila ishte kopjuar së tepërmi – përfshirë edhe Rubensin, piktura e skenës e të cilit qëndron e varur në Louvre. Por që nga viti 1555 dhoma ishte renovuar dhe gjysma e përfunduar e pikturës kishte humbur.

Dyshimi i Seracinit se Vasari nuk dëshironte ta shkatërronte veprën e Leonardos, duke preferuar ta muronte me tulla dhe ta shtonte afreskun e tij, u përforcuan kur zbuloi se Vasari në afreskun e tij ka pikturuar një ushtar që mban një flamur në të cilin ishte e shkruar: “Ai që kërkon, gjen”.

The Guardian

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›