E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet vjedhja e kartave të kreditit, 8 në pranga

TIRANE- Një rrjet i mirëfilltë i vjedhjes së kartave ve të kreditit dhe debitit është zbuluar dje në Tiranë. Pas një hetim 6-mujor, i skuadrës së antikrimit ekonomik dhe Task Force të Prokurorisë, janë vënë në pranga tetë persona mes të cilëve 2 kosovarë dhe 4 administratorë agjencish udhëtimi.
Janë hakersa nga Kosova, Serbia, Belgjika dhe Italia, të cilët vidhnin të dhënat e kartave të kreditit në internet. Të dhënat grumbulloheshin nga dy kosovarët, Zenel Buchala dhe Ken Kormani dhe u servireshin punonjësve të disa agjencive të udhëtimit. Këta të fundit kryenin blerje të biletave on line për klientë të ndryshëm. Ndonëse klientët paguanin në kartëmonedha, paratë hiqeshin veç dhe blerjet e biletave on line kryheshin me të dhënat e kartave të kreditit të vjedhura apo të klonuara. Skema e ngritur nga rrjeti “Concord” mësohet se u ka kushtuar rreth 800 mijë euro kompanive ajrore, të cilat detyroheshin të zhdëmtonin bankat për paratë e vjela nga kartat e falsifikuara të kreditit.

Në operacionin e koduar “Concord“ të oficerëve të Antikrimit Ekonomik të mbështetur nga skuadra e operacioneve speciale dhe forca e posaçme e Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë ekzekutuar urdhrat e arreste për akuzën e mashtrimit kompjuterik ndaj Zenel Buchalës, 39 vjeç; Ken Kormanit, 45 vjeç; Arjan Trokës, 38 vjeç; Ilir Arapit, 45 vjeç; Erjon Jaupllarit, 22 vjeç; Entela Mixhollit, 44 vjeçe; Elizabeta Bengasi, 26 vjeçe dhe Flora Nikaj, 33 vjeçe. Gjatë operacionit janë sekuestruar 5000 euro, kompjutera desktop dhe laptop, 18 copë, të cilat shërbenin për përdorimin e sistemit “online”, një sasi e konsiderueshme kartash telefoni prej 50 numra, 20 aparate celulare, 2 mjete transporti.

Kanë qenë kompanitë ajrore, ato që kanë denoncuar të paktën 100 raste në polici dhe kanë dhënë alarmin e vjedhjeve që u bëheshin kartave të kreditit me anë të biletave të udhëtimit. Bankat, në bilancet që kryenin çdo 3 muaj, ndiqnin destinacionin e parave që u vidheshin klientëve të tyre nga kartat e kreditit. Ndërsa destinacioni zbulohej tek biletat e udhëtimit, kompanitë ajrore detyroheshin të zhdëmtonin bankën.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›