E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbuten për dialog

Gjuha më e butë dhe mungesa e akuzave në përballjen e parë mes Hashim Thaçit e Ivica Dacicit shihet si një përgatitje për dialogun e ardhshëm politik Kosovë-Serbi. Analistët thonë se sjellja e dy Kryeministrave ka të bëjë edhe me presionin ndërkombëtar. Shkëlzen Maliqi dhe Azem Vllasi thonë se Veriu do të jetë pjesë e bisedimeve me Beogradin.

Hashim Thaçi e Ivica Dacic kanë dhënë shenjat e para pozitive për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tash në nivele të larta politike.

Përveçse janë zotuar për dialog, Thaçi e Dacic nuk kanë thënë asnjë fjalë të rëndë për njëri-tjetrin, sikurse ka ndodhur në të kaluarën.

Sipas analistit Shkëlzen Maliqi, Thaçi e Dacic kanë dhënë shenjat e para të nisjes së dialogut politik Kosovë – Serbi.

“Nuk kemi parë zbutje të qëndrimeve, por vetëm mënyra e paraqitjes është më e civilizuar”, ka vlerësuar Maliqi.

“Serbia po është e kujdesshme, sepse i ka punët mjaft keq, si në ekonomi, ashtu edhe në politikë. Edhe ata janë të interesuar të vazhdojë procesi. Sa i përket Thaçit, nuk ka pasur nevojë ta ashpërsojë gjuhën, ashtu që mund të merret si një lloj parapërgatitje për një fazë tjetër të dialogut”, ka shtuar ai.

Por analisti Azem Vllasi shkon edhe një hap përpara, kur vlerëson paraqitjen e dy Kryeministrave në Këshillin e Sigurimit.

Ai konsideron se ndërkombëtarët po përgatisin terrenin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndonëse kishin qëndrime diametralisht të kundërta për mënyrën e shtruarjes së qëndrimeve të veta, e vërteta është se Thaçi dhe Dacic ishin paksa të zbutur dhe kjo është para së gjithash rezultat i presioneve të jashtme që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë për shumë tema lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Vetëm në këtë funksion e shoh një paraqitje të matur, edhe të njërit, edhe të tjetrit”, ka thënë Vllasi, për Express, të mërkurën.

Më herët, Thaçi e kishte quajtur Dacicin pinjoll të Milosevicit, ndërsa Kryeministri serb për Thaçin që ka fletarrestim në Serbi, pati thënë se është kriminel i luftës.

Por, këto cilësime janë lënë anash nga dy Kryeministrat, gjatë fjalimeve që kanë mbajtur të martën në Këshillin e Sigurimit, ku është diskutuar Raporti tremujor i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Madje, ata as nuk kanë replikuar me njëri – tjetrin në fund të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

Megjithëkëtë, të dy Kryeministrat kanë treguar perspektivën e tyre sa i përket të ardhmes së Kosovës, ndërkohë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB’së kanë kërkuar dialog dhe zgjidhje për problemin e Veriut.

Kryeministri Thaçi ka thënë se për shtetësinë e Kosovës nuk bisedon me asnjë shtet tjetër, ndërsa është shprehur i gatshëm të hyjë në dialog me Serbinë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

Por, Dacic ka thënë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me dialog, duke paralajmëruar se ka ardhur koha që edhe Prishtina të japë, e jo vetëm të marrë, siç ka ndodhur deri më tash.

Gjatë kësaj vere, është paralajmëruar një dialog i nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë, ku do të mund të bisedohej edhe për çështjen e Veriut.

Edhe Azem Vllasi thotë se gjendja në Veri të Kosovës do të jetë ndër temat që do të diskutohen me Serbinë në kuadër të normalizimit të raporteve me Kosovën.

“Për Veriun do të bisedohet në kuptimin që edhe atje, sikur në pjesët e tjera të Kosovës, të shtrihet sundimi i ligjit, shtrirja e institucioneve, pushtetit lokal, i cili duhet të dalë prej zgjedhjeve lokale që i organizon Kosova dhe t`u jepet fund strukturave ilegale të sigurisë që ndodhen atje”, ka parashikuar ai.

Pavarësisht parashikimeve të këqija për dialogun politik, Shkëlzen Maliqi parasheh se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të japin rezultate pozitive edhe për pjesën më problematike të Kosovës.

“Mendoj se garancitë ekzistojnë dhe e çojnë Kosovën përpara. Shumica po dyshojnë, por unë mendoj se edhe këto biseda politike nuk do të jenë humbëse, por njëfarë dore do t’i hapin rrugë që edhe në Veri të shtrihet rendi dhe ligji”, ka thënë ai.

Ish-udhëheqësi i Kosovës në vitet ‘80, Azem Vllasi thekson se para se të bisedohet për largimin e strukturave ilegale serbe në Veri, takimet mes udhëheqësve të Kosovës dhe atyre të Serbisë do të ndodhin për normalizim të raporteve ndërshtetërore.

Krejt këto lëvizje, ai i sheh si presion të faktorit ndërkombëtar për normalizimin e gjendjes në Kosovë, Serbi dhe në Ballkan.

“Të dyja palët janë të ndikuara nga faktorët ndërkombëtarë, që të ruajnë dhe ta kenë retorikën më të butë dhe mos ta keqësojnë atmosferën para vazhdimit të bisedave. Dialogu do të ndodhë, sepse këtë e kërkon nga të dyja palët faktori ndërkombëtar. Por, para se gjithash mendoj se ky duhet të jetë dialog për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes dy shteteve”, ka thënë ai.

Dialogu i paralajmëruar Kosovë – Serbi vazhdon të kundërshtohet nga opozita në Prishtinë, e cila parasheh se me hyrjen në bisedime me Serbinë, Veriut të Kosovës do t’i jepet status i veçantë.

Deri më tash, shumica e partive në opozitë kanë refuzuar të jenë pjesë e çfarëdo ekipi që do të merrej me dialog me Beogradin.

E vetmja AAK’ja e Ramush Haradinajt ka dalë hapur se do të marrë pjesë në bisedimet që do të zhvillohen me Serbinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›