Zbutet Beogradi, platforma për Kosovën mund të ndryshohet

Nënkryetari i qeverisë serbe, Rasim Lajiq deklaroi sonte se Serbia kur ka të bëjë me Kosovën nuk guxon “t’i mëshojë murit me kokë”, sepse asnjëra platformë nuk do të mund të realizohet nëse atë e refuzon bashkësia ndërkombëtare.
Projekti i platformës shtetërore për Kosovën është një nga modelet për zgjidhjen e çështjes së rëndë politike e nacionale dhe ai dokument mund t’i nënshtrohet ndryshimeve, tha ai.
Kemi hapur debatin me bashkësinë ndërkombëtare dhe me opozitën e brendshme për të arritur një tekst të balancuar që duhet të marrë mbështetje sa më të gjerë në Serbi dhe në botë, deklaroi ai për V. Novosti.
Sa i përket veriut të Kosovës, ai tha se Brukseli e ka thënë qartë që nuk ka ndarje të Kosovës, por gjithashtu se duhet të ruhet veçantia e komunitetit serb, sidomos serbëve që jetojnë në veri.
Sipas fjalëve të Lajiqit, platforma për Kosovën merret edhe me pozitën e serbëve që jetojnë në, si i quajti ai, enklava, në atë mënyrë që zgjidhjet institucionale do të jenë të ndryshme në krahasim me veriun, por do të ekzistojë edhe korpusi i çështjeve të përbashkëta./Indeksonline/