E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgu dyshohet për pastrim parash

Prokuroria hedh dyshime se urologu i njohur mund të ketë pastruar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme, duke investuar në prona ose biznese që sjanë të regjistruar në emër të tij

TIRANË - Paratë e përfituara nga pacientët që operonte, kirurgu Kastriot Dautaj mund t’i ketë investuar në biznese të ligjshme, fakt i cili vështirëson akoma më tepër punën e prokurorisë për hetimin e gjithë veprimtarisë që dyshohet se ka kryer profesori i njohur. Një dyshim i tillë ka nxitur grupin hetimor të çështjes të nisë të gjithë kërkimet e mundshme rreth Kastriot Dautajt, i cili prej 14 ditësh ndodhet në qeli për akuzën e korrupsionit. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë për “Korrierin”, se nga hetimet e realizuara gjatë këtyre ditëve është ngritur dyshimi i arsyeshëm, se kirurgu Kastriot Dautaj mund të ketë kryer edhe pastrim parash. Tashmë që prokuroria ka arritur të vërtetojë akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi mjeku Dautaj është filmuar teksa merrte paratë nga babai i një pacienteje që sapo kishte operuar, gjithë vëmendja e akuzës është përqendruar tek pastrimi i parave. Në shërbim të kësaj piste, grupi hetimor i çështjes ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të kirurgut, vlera e së cilave kapte shumën e 60 050 000 dollarëve, shifër kjo që sipas prokurorisë pritet të shtohet, nëse do të zbulohen biznese në emër të Dautajt apo personave të tij të afërm. Burimet thanë se nga konstatimi i këtij dyshimi, i cili në fakt erdhi pas pretendimeve të mjekut se të ardhurat që kishte i justifikonte tërësisht, grupi hetimor ka nisur nga puna për verifikimin me detaje të të gjithë veprimtarisë, lidhjeve apo dhe vendeve ku Dautaj ka qenë i punësuar. Gjithashtu, burime pranë grupit hetimor thanë se në kuadër të verifikimit të pronave apo bizneseve të Dautajt, i është dërguar shkresë zyrtare Zyrës Qendrore të Regjistrimit, e cila do të verifikojë nëse kirurgu apo të afërm të tij kanë prona të regjistruara. Gjithashtu, e njëjta praktikë është ndjekur edhe me Drejtorinë e Tatimeve dhe zyrat noteriale, të cilat do të verifikojnë çdo biznes apo kontratë që ka lidhje me Dautajn. Siç shpjegojnë burime pranë prokurorisë, këto veprime kryhen, pasi ka dyshime se një pjesë të mirë të të ardhurave Dautaj i ka vënë nga qarkullimi i parave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Megjithëse është tepër e vështirë, sipas prokurorisë do të bëhet çdo përpjekje për të evidentuar çdo pronë apo biznes të ngritur nga Dautaj, i cili mund të jetë përdorur për të shtuar paratë që dyshohet se ka marrë nga familjarët e pacientëve që operonte. Kastriot Dautaj u arrestua rreth mesditës së 7 korrikut, pasi kishte marrë shumën e 50 000 lekëve nga babai i një paciente që sapo kishte operuar në veshka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›