E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për KQZ-në

LSI, PAD e PDS nuk do të pranojnë numrin 7 ose 5 të anëtarëve në institucionin e lartë zgjedhor me komandim dhe varësi të PD-së e PS-së

Tri forca aleate të së majtës, larg Partisë Socialiste, thonë se nuk do të pajtohen që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë në përbëje me anëtarë të kësaj të fundit dhe të Partisë Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim e ish-kryeministrit Ilir Meta, Demokracia Sociale e ish-ministrit të Jashtëm, Paskal Milo dhe Aleanca Demokratike e ish-ministrit të Brendshëm, Neritan Ceka, hedhin poshtë përpjekjet “antidemokratike”, sikurse i quajtën të PD-së dhe të PS-së, për të krijuar një KQZ pa mbështetjen e gjerë politike. Zyrtarë të të tria forcave thonë se nuk duan që KQZ të ketë 7 apo 5 anëtarë të vendosur nga “të mëdhenjtë”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të jetë një nga pikat më “të nxehta” të punës së Komisionit të Kodit Zgjedhor. Pas heqjes nga Kushtetuta, ky institucion pritet të ketë një përcaktim të ri në kod, që lidhet me veprimtarinë, por edhe me përbërjen e tij. Burime nga komisioni i posaçëm për hartimin e kodit i thanë “Korrierit”, se KQZ-ja nuk do të jetë më me 9 anëtarë, sikundër është aktualisht, por vetëm me 7, madje nuk përjashtohet edhe mundësia që të jetë vetëm me 5 anëtarë. Nga riformatimi sigurisht që e pësojnë përfaqësuesit e partive të vogla, në këtë rast të LSI-së dhe PDK-së, pasi propozimet për anëtarët e rinj pritet të vijnë vetëm nga PS-ja dhe PD-ja. Propozimi, që pritet të shkojë së shpejti në komisionin e posaçëm për hartimin e kodit, kundërshtohet që sot nga partitë e vogla të majta. Përfaqësues të LSI-së, PDS-së e PAD-së i thanë “Korrierit”, se ky opsion është krejtësisht i papranueshëm. “Ideja jonë është që të gjithë grupet parlamentare që janë të pranishëm në komisionin e reformës zgjedhore, të kenë anëtarë në të gjithë nivelet e komisioneve të votimit”, - u shpreh Spartak Braho. Por, ndryshe nga toni i Brahos, qëndrimi i LSI-së për këtë çështje, pra për marrjen e anëtarit të saj, mund të jetë shumë më i ashpër. Kujtojmë se ishte pikërisht marrja e anëtarit të KQZ-së, që detyroi Ilir Metën të hipte sipër tavolinave të Kuvendit, për të shkuar te kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e po për të njëjtën arsye Ndre Legisi flaku njërën nga vazot me lule të Kuvendit. Por kundër formatimit të KQZ-së janë edhe Paskal Milo i PDS-së e Neritan Ceka i PAD-së. “Është një veprim, me të cilin nuk mund të pajtohemi, sepse na bind përfundimisht që e gjithë struktura vendimmarrëse elektorale në Shqipëri po bipolarizohet dhe cenon një nga parimet bazë të demokracisë, që është barazia e votës”, - deklaroi Paskal Milo. Edhe për Neritan Cekën, kjo do të ishte një gjest i papranueshëm, që do të dëmtonte sipas tij partitë e mëdha. “Kjo do të ishte e papranueshme. Tregon edhe një bashkëpunimin e Ramës me Berishën. Vetëm kjo iu kishte mbetur pas asaj që i bënë Kushtetutës e që po i bëjnë edhe kodit. KQZ-ja duhet të ishte një institucion krejtësisht i pavarur”, - thotë presidenti i PAD-së. Ndërkaq, po sipas burimeve, veç riformatimit do të ndryshojë edhe funksionimi i KQZ-së. Ky institucion pritet të mos jetë më i përhershëm, por i përkohshëm. Pra, ndryshe nga deri më sot, ku anëtarët dhe e gjithë administrata është gjatë gjithë kohës me pagesë të plotë, në Kodin e Ri paga sikundër edhe veprimtaria do të përputhen, duke bërë që të paktën një pjesë e administratës të jetë e përkohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›