E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim historik

Udhëheqësit e Kosovës së pavarur takohen sot me presidentin amerikan

Mbahet sot takimi historik i udhëheqësve të Kosovës me presidentin amerikan Xhorxh Bush, në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë vizita e tyre e parë në Uashington, si udhëheqës të shtetit të pavarur të Kosovës. Pritet që presidenti Bush t’iu shprehë atyre mbështetjen e tij të fortë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për krijimin e një shteti demokratik, të begatë dhe shumetnik, institucionet e të cilit do t’iu shërbejnë gjithë qytetarëve të Kosovës. 

Pas takimeve tejet të suksesshme në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Pentagon, delegacioni kosovar i përbërë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të takohet sot me presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili pritet që t’iu shprehë atyre mbështetjen e tij të fortë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për krijimin e një shteti demokratik, të begatë dhe shumetnik, institucionet e të cilit t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Të premten, Sejdiu dhe Thaçi u takuan me sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, ku në konferencën e përbashkët për shtyp, e cila u mbajt pas takimit, u veçua vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës pranë flamurit të SHBA-ve. “Ky është moment historik”, tha Rajs me atë rast. Sekretarja Rajs deklaroi se “Kosova, presidenti dhe kryeministri i saj kanë mikun e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. “Përgëzova kryetarin dhe kryeministrin për progresin e bërë, sidomos në zbatimin e Planit të Ahtisarit”, tha Rajs. Ajo përmendi se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën. Po ashtu, ajo kujtoi se edhe shumica e vendeve të KS-së së OKB-së tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sekretarja Rajs po ashtu tha, se SHBA-të do të vazhdojë ta ndihmojnë Kosovën, duke përmendur shumën prej 400 milionë dollarësh të ofruar në Konferencën e Donatorëve, ndërsa përmendi se gjatë dekadës së fundit, ndihma amerikanë për Kosovën kap shifrën prej 1 miliard dollarësh. Po ashtu, me nderimet më të mëdha që iu bëhen burrështetasve të vendeve të pavarura dhe me një kordon ushtarësh për rastet solemne, janë pritur në hyrje të Pentagonit udhëheqësit e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, i ka pritur udhëheqësit e Kosovës në vizitën që shënon takimin e parë bilateral midis dy vendeve të pavarura e që mbahet në Pentagon.

Dy takimet e së premtes dhe dy të tjerët që pasojnë sot, përfshirë edhe atë kulmor me presidentin Bush, janë vlerësuar si shumë inkurajuese për shtetin e ri dhe një dëshmi se Shtetet e Bashkuara janë një mik i përkushtuar i Kosovës, siç e tha edhe vetë sekretarja Rajs, “SHBA-të do të ndihmojnë Kosovën në çdo mënyrë që munden”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›