Nëntë hapësit e kokave me sëpatë

TIRANË - Vrasjet më makabre të kryera muajt e fundit kanë pasur dy emërues të përbashkët: sëpatën dhe kartelën e psikiatrisë. Nuk do të ishte aspak e habitshme nëse arrestimi i dy autorëve të vrasjes makabre të dy ditëve më parë në mes të zonës së Paskuqanit në Tiranë, ku një 27-vjeçar mbeti viktimë e goditjeve të njëpasnjëshme me sëpatë, t’u bashkëngjiten shtatë kriminelëve të tjerë të sëmurë psikikë, të cilët kanë marrë jetë njerëzish me mjetin prerës primitiv.
Ngjarja e ndodhur të shtunën në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, ku Shukri Damzi dhe Arben Doçi vranë gjakftohtë Ervis Sapajn vetëm për një vend parkimi, shënon rastin e tetë të ekzekutimeve me sëpatë pas koke. Ndërkohë që të shtatë të tjerët, që kanë vrarë apo kanë tentuar që të vrasin me sëpatë, janë cilësuar që të gjithë të sëmurë mendorë. Një pjesë e tyre janë vërtet të tillë, por për një pjesë ka ende dyshime të forta nga familjarët e viktimave. Vështirë të mund të imagjinosh se çfarë kalon në kokën e këtyre personave kur marrin sëpatën, e bashkë më të edhe guximin për të vrarë dikë. Rreziku i psikikëve në shtëpi është bërë alarmant gjatë vitit të fundit, ku janë shënuar minimalisht tetë ngjarje të rënda dhe të dhunshme, në kufijtë e barbaritetit.
Por mungesa e një kontrolli të rreptë ndaj tyre dhe lënia në liri të plotë, sikur të ishin të shëndetshëm mendërisht, ka nxirë shifrat e viktimave që janë ekzekutuar barbarisht prej tyre, që të gjithë të vrarë me goditje precize sëpate pas koke.
Sëpatë pas koke...
Mjet lashtësie dhe mënyrë shtazarake ekzekutimi. Sëpata ka sjellë shtatë viktima dhe një të plagosur rëndë brenda një viti. Vrasjet me sëpatë shënojnë në total tetë raste në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kryer nga të ashtuquajturit persona me probleme të rënda psikike. Rasti më i fundit i ekzekutimit me sëpatë ndodhi të shtunën, kur dy persona të shëndoshë mendërisht dhe krejt gjakftohtë, të shpallur tashmë në kërkim, vranë një 27-vjeçar vetëm për një vend parkimi. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, kur Ervis Sapaj humbi jetën si pasojë e plagëve nga goditjet shtazarake me sëpatë nga Shukri Damzi dhe Arben Doçi, bashkëmoshatarë të tij. Por rasti i të riut, i cili u vra për shkaqe krejtësisht banale, nuk është i vetmi. Në precedentët e mëparshëm të këtij viti, persona me probleme psikike kanë vrarë të afërm të tyre për arsye nga më banalet. Vëllai ka tentuar të vrasë motrën, se kjo e fundit nuk i dha lekë që të shkonte e të pinte raki; vëllai ka vrarë vëllanë barbarisht, se viktima u martua përpara tij, edhe pse në moshë të vogël. Burri ka vrarë gruan, sepse sëmundja e rëndë e depresionit nervor i kishte krijuar fiksimin fatal se ajo e tradhtonte, dhe për këtë arsye duhej medoemos që të vdiste, për të vënë në këtë mënyrë në vend nderin e familjes, i cili ekzistonte vetëm në mendjen e autorit, i sëmurë mendor.
Precedentët
Rasti i parë për këtë vit u shënua në qytetin e Elbasanit. Bardhyl Haka, 42 vjeç, ka vrarë me një sëpatë në kokë baxhanakun e tij, Nevruz Mëhilli, 40 vjeç. Pasi kishin marrë pjesë në një ceremoni mortore, dy baxhanakët ishin ulur të pinin kafe, kur Haka nxjerr sëpatën që mbante të fshehur dhe vret baxhanakun. Në momentet pas ngjarjes, u dyshua se sherri ka qenë krejtësisht banal. Por pas hetimeve të mirëfillta, rezultoi se 7 muaj para ngjarjes kishte pasur një grindje mes tyre, për arsye xhelozie. Autori pandehte se baxhanaku dhe gruaja e tij kishin një lidhje intime bashkë, dhe pa si mundësi të vetme vrasjen e tij. Në qytetin e Beratit, në 29 janar të këtij viti, Kastriot Gorani, 29 vjeç, qëlloi për vdekje disa herë me sëpatë në kokë të vëllanë 25-vjeçar, Durimin, i cili do të martohej 10 ditë më pas. Xhelozia e ardhur si pasojë e sëmundjes së rëndë nervore, shkaktoi tragjedinë në familjen Gorani, e cila në atë mëngjes të ftohtë dimri bëri mortin e djalit të vogël të shtëpisë, që së shpejti do ta bënin dhëndër. Ngjarja bëri bujë, pasi menjëherë pas tragjedisë, familjarët e tjerë akuzuan mjekët, të cilët duhet të kishin mbajtur në spital e të kishin izoluar Kastriotin, i cili njihej si i sëmurë mendor, pasi prej kohësh kishte kartelë psikike. Mosmarrja e ilaçeve e kishte kthyer kohët e fundit agresorin në person tepër të dhunshëm. Më 29 prill të këtij viti, një “vrasje e mbetur në tentativë” shënohet në fshatin Baldushk të Tiranës. Nexhip Salla qëllon me sëpatë pas koke fqinjin e tij, Veiz Qosja, 45 vjeç. Shkak për konfliktin mes tyre sipas policisë, ka qenë një mosmarrëveshje që kanë pasur më parë fëmijët e tyre. Zënka duket se ka filluar për motive pronësie dhe kishte mbetur e pazgjidhur prej kohësh. Në 8 maj të këtij viti, në autostradën Tiranë- Durrës gjendet i vdekur poshtë mbikalimit të Kasharit 36-vjeçari Altin Hoxha. Babai i dy fëmijëve, roje i një objekti privat, u gjet rastësisht orët e para të mëngjesit të asaj dite nga një komshiu i tij. Policia, pas hetimeve të bëra, raportoi zyrtarisht se vdekja kishte ardhur si pasojë e një goditjeje fatale me sëpatë pas koke, nga persona edhe sot e kësaj dite ende të paidentifikuar. Si pistat kryesore të hetimit ishin borxhe të vjetra, sherri për ndonjë femër ose një grindje banale e momentit. Në 4 korrik të këtij viti, një emigrant në Greqi qëllon gruan pë