E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbutet moratoriumi i skafeve jahtet e anijet me vela do qarkullojne ne ujerat shqiptare

Moratoriumi për ndalimin e qarkullimit të mjeteve motorike, është në prag të ndryshimit për herë të dytë, për rrjedhojë, jahtet dhe anijet me vela pritet të lejohen të qarkullojnë në ujërat shqiptare. Nisma e socialistëve për shfuqizimin e plotë të tij nuk u përfshi në rend dite, pasi ashtu siç kishte mbërritur nga komisionet e Kuvendit edhe në seancë do të rrëzohej. Por mazhoranca bëri një lëvizje të momentit të fundit: përmes tre deputetëve, të PD-së, PDIU-së dhe LSI-së, Metalla, Tahiri dhe Koka, depozitoi amendime që shkojnë në favor të zbutjes së moratoriumit, amendime për të cilat fillimisht socialistët thanë se nuk ishin në dijeni.

Në mënyrë më të detajuar deputeti demokrat Osman Metalla argumenton këtë lëvizje të mazhorancës me faktin se këto dy kategori mjetesh lundruese nuk mund të përdoren për trafik dhe kontrolli i tyre është i mundshëm sot.

Artan Gaçi, nismëtari socialist i nismës së depozituar në Kuvend dhe që kërkonte shfuqizimin e plotë të moratoriumit, tha se PS mirëpriti këtë lëvizje të demokratëve.

Moratoriumi për ndalimin e mjeteve motorike u miratua nga mazhoranca e kryeministrit Berisha vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet dhe rezultoi nismë e suksesshme në parandalimin e trafikut të narkotikëve dhe qenieve njerëzore, për rrjedhojë dhe një ndër arritjet kryesore që çuan në heqjen e vizave për shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›