Bojkot mitingut të Edi Ramës, autobusë nga rrethet për të mbushur Pallatin e Sportit
Konfirmohet dështimi i kryesocialistit me “vullnetarët” në Durrës
TIRANE - Dhjetëra autobusë nga Tirana dhe rrethet kanë mësyrë dje pasdite në qytetin e Durrësit për të mbushur Pallatin e Sporti “Ramazan Njala” në kuadër të takimeve që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kishte planifikuar që të zhvillonte dje me rrjetin e vullnetarëve të cilët nuk gjendeshin gjëkundi. Pavarësisht rekomandimeve të hershme dhe urdhrave të prera të Ramës degës së PS-së në Durrës si dhe Forumit Rinor Eurosocialist, durrsakët kanë qenë haptazi të painteresuar për fjalimet teatrale të kryesocialistit duke e bojkotuar këtë të fundit në masë. Trembëdhjetë kanë qenë autobusët jeshilë të Unazës së Tiranës, që dje të mbushur me të rinj nga Tirana, kishin zbarkuar në Durrës. Në sheshin para Pallatit të Sportit mund të numëroheshin dje dhjetëra autobusë që vinin nga Elbasani, Fieri, Vlora dhe rrethe te tjera për të asistuar në këtë aktivitet. Këtij “dekori” nuk i mungonin edhe dhjetëra furgonë, nga Tirana e rrethet që kishin sjellë “mbushës” të tjerë për pallatin e sportit “Ramazan Njala”, në Durrës. “Politika e re” e frazave pompoze dhe pa asnjë lidhje me realitetin shqiptare po merr kështu përgjigjen e pritur prej shtresës së të rinjve. I ndërgjegjshëm në indiferentizmin e takimit me “vullnetarët” në Durrës, Edi Rama, prej ditësh ishte kujdesur që autobusë me “vullnetarë” nga rrethet të “mbulonin” dështimin e tij në Durrës. Jo vetëm kaq, por për “të bindur” edhe “vullnetarët” nga rrethet që dje kishin shkuar në Durrës, Edi Rama, kishte marrë dje me vete edhe disa këngëtarë nga Tirana.
...