Zëdhënësi i Millosheviçit afër karriges së kryeministrit të Serbisë

Ivica Daçiç
Zgjedhjet e Serbisë, të cilat u organizuan edhe në Kosovë me lehtësimin e OSBE-së dhe pajtimin e qeverisë së Kosovës, i kanë sjellë shansin pasardhësit të Sllobodan Milosheviçit, Ivica Daçiç, që të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë.
Pozicionimi i SPS-së si parti e tretë nuk ka bërë befasi, por i papritur ka qenë rezultati 16 për qind e votave, çka e shndërron në faktor determinues në bisedimet për qeverinë e ardhshme të Serbisë, ndërsa votat e socialistëve besohet se mund të vendosin edhe se cili nga dy kandidatët e mbetur në garë për president të Serbisë, Boris Tadiç apo Tomislav Nikoliç, do të mund të fitojnë në balotazh.
Daçiç, i cili deri tani në qeveri ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ka marrë merita për plotësimin e kushteve që mundësuan liberalizimin e vizave për Serbinë, por po ashtu është shquar me retorikë të ashpër nacionaliste e populiste në kohën e fushatës zgjedhore, ndërsa policia e Serbisë, që është nën urdhrat e ministrisë që ai drejton, kohët e fundit ka ndërmarrë një fushatë arrestimesh të shtetasve kosovarë që kalojnë nëpër Serbi. Edhe aksioni i ditëve të fundit në Luginën e Preshevës, ku u arrestuan disa shqiptarë nën akuzat për krime lufte, është kryer nga forcat nën urdhrat e tij.
Megjithatë, mundësia që Daçiç të përfundojë në krye të qeverisë së ardhshme të Serbisë, nuk është komentuar drejtpërdrejt nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se emërimi i kryeministrit të Serbisë është çështje e brendshme e atij vendi, por ka shtuar se qeveria e Kosovës pret që Beogradi të ketë një qeveri properëndimore.
Sa i përket faktorit ndërkombëtar, Daçiç nuk duket të jetë i preferuar i Perëndimit.
Një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Bruksel tha në kushte anonimiteti se Daçiç nuk është i preferuari i BE-së, dhe se nga Brukseli do të ketë përpjekje deri në fund që ai të mos jetë kryeministër. Ka treguar emocione nacionaliste dhe shumë papjekuri gjatë fushatës zgjedhore, i tha Kohës Ditore zyrtari i lartë në Bruksel.
Por, kundërshtimi i mundshëm i faktorit ndërkombëtar nuk i ka lënë përshtypje vetë kandidatit Daçiç.
Nuk dihet ende se kush do të jetë president, por kryeministër dihet, citohet të ketë thënë Daçiç mbrëmjen pas përfundimit të zgjedhjeve serbe, duke i dërguar mesazhe Tadiçit se mbajtjen e pushtetit do të duhet ta paguajë duke ua dhënë kolltukun e kryeministrit socialistëve, më saktësisht vetë Daçiçit. / Koha Ditore