E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, shpreh qëndrimin e Kryetares së Kuvendit në lidhje me deklaratat e zotit Rama.

Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, përmes kësaj deklarate për shtyp, shpreh qëndrimin e Kryetares së Kuvendit në lidhje me deklaratat e Kryetarit të PS-së, Rama. Mbrëmë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 73 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t'I qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë.
Grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve proceduriale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij.
Sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj.
Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetet nismëtar nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma.
Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla asnjë nga koleget e zotit Ruçi nuk u bashkua me të.
Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgenjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave.
Me votimin e mbrëmshem, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e
transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›