Zelensky përgënjeshtron “Financial Times” për zgjedhjet: Prioritet armëpushimi me Rusinë dhe garantimi i sigurisë

Presidenti ukrainas hodhi poshtë raportimet e gazetës britanike “Financial Times” se vendi i tij po përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe një referendumi mbi një plan të mundshëm paqeje me Rusinë para 15 majit. Zelenski deklaroi se kushti kryesor për mbajtjen e atij procesi është vendosja e një armëpushimi me Rusinë dhe sigurimi i garancive ndërkombëtare për mbrojtjen e Ukrainës.
Ai theksoi se të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve janë siguria e procesit elektoral dhe një bazë e qartë ligjore. Ndërkohë sulmet ruse mëngjesin e së enjtes ndërprenë ngrohjen për gati 2600 godina banimi në Kiev, në një sulm mbarëkombëtarë ndaj impianteve të energjisë që u mori jetën të paktën dy personave në Luzovë, një qytet në Ukrainën lindore dhe plagosi disa të tjerë në Kiev, Dnipro dhe Odesa.
“Pas sulmit masiv gjatë natës për shkak të dëmtimit të infrastrukturës kritike nga armiku, gati 2600 ndërtesa në kryeqytet kanë mbetur pa ngrohje”- tha kryetari i bashkisë së Kievit Vitaliy Klitschko.
Mbi 10 mijë persona janë pa ngrohje në qytetin Dnipros, ndërsa mbi 300 mijë të tjerë po vuajnë mungesën e furnizimi me ujë në Odesa. Më shumë se 1000 nga rreth 12 mijë blloqe apartamentesh në kryeqytetin ukrainas ishin tashmë pa ngrohje pas sulmeve masive ruse të javëve të fundit. “Rusia lëshoi 24 raketa dhe 219 dronë ndaj vendit tonë”- njoftuan forcat ajrore të Ukrainës, duke shtuar se njësitë e saj rrëzuan 16 raketa dhe 197 dronë.
Ndërkohë, Rusia tha se zmbrapsi një sulm me raketa në rajonin e Volgogradit, por mbetjet e tyre shkaktuan zjarr në një strukturë ushtarake duke detyruar evakuimin e një fshati në rajonin rus.
/rtsh.al/