E Diel, 1 Nëntor 2026

Zell i tepruar antiambientalist i nje ambientalisti

Share

Nga Lavdosh Ferruni

Njoftimi disi zyrtar i  Bashkia së Tiranës se ndryshimet në sheshin Skënderbej janë vetëm per një periudhë 3 vjeçare bëri që të zbutej një valë kundërshtimi  nga opinioni publik, që duket se mbeti vetëm në një reagim prej disa këshilltarve të  Bashkisë që i janë drejtuar Gjykatës për shkelje ligjore në këtë ndërhyrje.

Jo çuditërsht, me shumë zell ambjentalisti Romeo Hanxhari (i njohur së fundmi si ambjentalisti pro importit të mbetjeve) boton një shkrim (Sheshi Skënderbej, normaliteti pa kartodrom 4 Nentor 2011, Panorama) ku i mëshon fort idesë se Sheshi Skënderbej duhet të jetë me asfalt e me makina që të kalojnë nëpër të, dhe se një shesh pa makina, (siç ishte plani dhe që po ndërtohej), sipas z. Romeo …rezultoi i parakohshëm dhe utopik që në koncept…. Ai shkruan se ..ndërhyrja aktuale. ….i rikthen atij (sheshit Skenderbej) një funksion që duam sduam ne ambientalistët, nuk mund ti hiqet kurrsesi në këtë stad urban: lëvizjen e automjeteve për në të katër anët e qytetit. Dhe për të përforcuar këtë mendim të tij të Sheshit me makina ja vesh atë dhe qytetarëve: …edhe qytetarët e sotëm nuk e kanë pranuar si të duhur bllokimin total të sheshit për automjetet dhe kthimin e tij në një zonë tërësisht pedonale.- shkruan z. Romeo.

Edhe pse përpiqet këtu e atje të jetë profesional dhe i arsyeshëm e të thotë se …sheshi Skënderbej edhe mund të destinohet krejtësisht për këmbësorët duke shtuar se … teorikisht dihet se kjo është tendencë aktuale për shumë qytete apo kryeqytete të botës, por duke vënë fjalën teorikisht ne vend te fjales praktikisht dhe fjalën tendencë në vend të fjalës realitet përsëri këmbëngul se: Parimi është: sheshi duhet të jetë në funksion të qytetit, qoftë ky edhe sheshi Skënderbej që përkthehet: sheshi Skënderbej duhet të jetë në funksion të makinave. Dhe keshtu po behet.

Dhe në fund të shkrimit pasi i bën një super komplimet  ndërhyrjes aktuale më shumë se arrogante, që i jepka fund rendjes pas paranojës së çuditshme për të djegur etapat e evolucionit shprehet se imagjinon me kënaqësi qendrën normale të Tiranës, pra qendrën me asfaltin e derdhur në të, me uturimën, pluhurin dhe gazrat e makinave  që vinë vërdallë pa pushim nëpër të, nën dekorin e pemëve e barit të stervuajtur.

Duke mos qënë aspak profesionist në arkitekturë dhe urbanistikë, por duke pasur shancin të vizitoj me dhjetra apo qindra qytete në Europë desha ti shpreh publikut se nuk kam parë deri më sot një kaçurel më të shëmtuar se ky që po bëhet sot në Sheshin Skënderbej, ku do ketë dhe park me dru të lartë pylli e livadhe, qytetarë e fëmijë ndër to dhe mes tyre rrugë të asfaltuara me lumë makinash e motorash ne to. Por këtë konstatim të shprehur kështu shqeto do më duhej ta modifikoja me gjuhën e specialistëve arkitektë e urbanistë. Ja çthotë i repektuari Profesor Dr. Enver Faja për Sheshin Skënderbej: Projekti francez (dhe më pas ai Belg) vë në jetë parimin dhe konceptin më të qënësishëm të urbanistikës moderne dhe asaj kontemporane, ndarjen e njerut nga makina, ndarjen e lëvizjes këmbësore nga lëvizja e mekanizuar. Në rastin konkret këmbesori është zotërues i sheshit Skënderbej, lëviz i lirë, i sigurtë dhe makinat lëvizin në unazën e vogël të trashiëguar nga monizmi, të cilën natyralisht e modifikon me ndarjen në breza kalimi për autobus, për vetura, biçikleta dhe këmbesorë. (Gazeta 55, 9 Prill 2010 ).

Qytetarët, parandjej fort, se prisnin të shihnin sheshin e qëndrës të Tiranës, në të cilin po punohej prej 1 viti dhe ata po e pranonin shtërngesën e përkohshme, siç e përshruan  arkitektja e laureuar në perëndim Albana Tollkuçi: Kolagjeni natyror, me gjethnajën e vet evergreen, kryen një sërë funksionesh jetike e formale. Rreth e qark hapësirës urbane, si një portik natyror i atypëratyshem, i siguron këmbësorit strehën e pushimin e nevojshëm. Si të ishte një lloj xhepi i tërheqjes, një lloj prapakuinte, aty mund të tërhiqesh për tu mbushur me frymë, për të çlodhur këmbët, për të shijuar freskinë në ditët me zheg, për tu ndarë pak kohë nga natyrshmëria e zhurmave dhe mërmërimave që krijon prania e turmave, për të lexuar diçka që është marrë me vehte, për të ndjekur me sy nipat që luajnë hareshëm në shesh, për të shijuar një lëng frutash, për të pirë kafenë e rradhës apo për të diskutuar me fqinjin debatin gazetaresk të ditës. Nën hijen e shelgut apo të magnolias, si nën strehën e bollshme të Pallatit të Kulturës, je një spektator i improvizuar që vëzhgon përtej spektaklin rastësor e të gjallë të jetës që lirshëm pulson në shesh Dhe ajo vazhdon: Surpriza e pellgjeve artificiale dhe e fontanave, i siguron sheshit një tjetër element jetik e themeltar të jetës. Praninë e domosdoshme të ujit. Uji është në këtë rast një katalizator i patjetërsueshëm, i ofruar në shesh, në kohë dhe intervale të ndryshme sipas formash dhe shpërndarjesh të ndryshme, ai është një termoregullator i çmuar klimaterik, në kontrast të stereometrisë statike e monumentale të të gjithë kompleksit, si dhe është elementi i dytë përveç turmës, që luan rolin dialektik të asaj që është e paqëndrueshme, fluide, jokostante, gurgulluese, dhe gjalluese në të.

Në ditën ndërkobëtare pa makina këtë shtator edhe Basha, si Mediu apo Xhuveli vitet e mëparshme, u shfaq para kamerave hipur në biçikletë para zyrës së tij, gjoja për të dekurajuar përdorimin e makinave në qytetin e Tiranës. Sapo zbriti nga biçikleta e u fut në zyrë ju fut punës derçe pikërisht për të inkurajuar përdorimin e makinave, duke shpejtuar për derdhje asfalti në sheshin Skënderbej, duke filluar  egzaktësisht aty ku la biçikletën poshtë zyrës së tij në ditën pa makina. Kështu veç të tjerash, ai ka dënuar edhe vehten edhe punonjësit e vet me gozhdim të dritareve të zyrave të tyre ose përballjen me parfumimin toksik dhe kakofoninë e burive të makinave.

Ndarja e njeriut nga makina në Sheshin Skënderbej jo vetëm që vë në jetë një parimin bashkëkohor të urbanistikës moderne, gjë që do të rrezatonte edhe një kulturë të shqiptarëve, qëkurse kemi të bëjmë me qendrën e kryeqytetit të vendit, por një hapësirë e tillë pa makina do të ishte njëherazi modeli inkurajues më i fuqishëm  për gjithë qytetarët e Tiranës, që do tregonte se jo vetëm qendra, por e gjithë Tirana do të ishte më e gjallë, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme, më efiçente, nese do kishte shumë më pak makina se ka sot. Kjo do te nxiste perdorimin masiv te biçikletave e transportit publik. Dhe në një skenar të tillë shumë realist do të ishte shumë më edukues po të kujtohej dita me makina, se sa dita pa makina, pra në vend që Basha, të bëj xhiro me biçikletë  në ditën pa makina, le të bëj xhiro me makine në ditën me makina në sheshin Skënderbe dhe në rrugë të tjera të ndaluara për makinat, mundësisht me një makinë me naftë d2, si deri më sot. Kjo do sillte neveri tek qytetaret dhe mallkim prej tyre, por vetëm për një ditë ama, jo për çdo ditë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›