E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekstet shkollore, MASH dështon me kompensimin

Nxënësit dhe deputetët e opozitës, denoncojnë dështimin e subvencionit. Dalipi: MASH dështoi edhe me TVSH-në e librit
Dështon subvencionimi i teksteve shkollore. Kështu, nxënësit e shkollave ende nuk kanë marrë një pjesë të rimbursimit të librave ndonëse dikasteri i Arsimit ka premtuar që ky kompensim do të merrej muaj më parë. Ankesat vijnë nga vetë nxënësit, por edhe nga deputetë të opozitës. Madje këta të fundit denoncojnë MASH-in edhe për vendosjen e TVSH-së për librin, duke e cilësuar atë si të dështuar dhe në dëm të arsimit në vend. Ndërsa burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se, shpërndarja e subvencionit të teksteve shkollore do të bëhet përmes Postës Shqiptare dhe çdo prind që ka blerë librat dhe ka dorëzuar faturat, do të marrë pjesën e kompensimit.
Rimbursimi
Shkallë të ulët të subvencionit dhe skemë që përfundon me abuzivizëm. Kështu e ka quajtur deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, funksionimin e skemës së rimbursimeve duke theksuar se Ministra e Arsimit ka mashtruar prindërit për kompensimin e teksteve shkollore. Sipas tij, nga 3.5 milionë euro të parashikuara për kompensim, nga financat shqiptare janë dhënë vetëm 1 milionë euro. Ministria e Financave, sipas Dalipit, ka nxjerrë përfundimin se skema ka qenë abuzive dhe nuk janë lëshuar fatura që Ministria e Arsimit të përfitojë shumën e parashikuar e që i detyrohet shqiptarëve. "Vetëm 1 në 4 blerës të teksteve shkollore, sipas shumës së mësipërme do të ketë mundësi për të tërhequr mbrapsht paratë. Në mbyllje, piramida "Pollo" e librit do të përfundojë sërish me abuzivizëm, pasi do të jenë po strukturat arsimore që do të kryejnë shpërndarjen e parave, aq pak sa do shpërndahen",- pohon Alfred Dalipi. Ndërkohë edhe nxënësit pohojnë se ende nuk kanë marrë rimbursim, ndonëse i kanë blerë librat me faturë. "Librat i kam blerë të gjitha me faturë dhe sipas rregullave dhe ministria na premtoi se do të rimbursoheshim vitin e kaluar, por ende nuk kemi marrë asgjë",- pohon njëri nga gjimnazistët e "Partizanit".
Vendoja e TVSH-së
TVSH-ja mbi librin demonstroi se kjo qeveri nuk ka asnjë politikë mbi arsimin duke vendosur si prioritare politikat komerciale. Ky është thelbi i vendosjes së TVSH-së për librin e importuar në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaj, ku sipas Alfred Dalipit shënon dështimin e radhës në arsim. Sipas tij, shprehja e ministrit se mori fund subvencioni që u paguhej shtypshkronjave, duke e shndërruar në një përkrahje sociale këtë skemë, jo vetëm dështoi të parën, por provokoi një kosto tjetër më të madhe dhe pikërisht për Ministrinë e Financave, për hapin e dytë represiv, që është vendosjen e TVSH-së për librin e importuar në shqip dhe gjuhë të huaj. "Në emër të mbrojtjes së prodhimit vendas e të shtypshkronjave, mbërriti iniciativa personale e ministrit Bode që mori miratimin e Parlamentit pak ditë më parë, mbi vendosjen e TVSH -së për librin",- pohon Dalipi duke shtuar se ky veprim i ka dhënë goditjen të vetmit treg rajonal që funksionon midis shqiptarëve nga Mali i Zi , Kosova, Maqedonia deri në Tiranë. Deputeti i PS-së, Dalipi theksoi gjithashtu se TVSH-ja mbi librin e importuar i vendosi përfundimisht traun kulturës kombëtare dhe asaj në gjuhë të huaj. "Është kjo TVSH mbi kulturën e shkruar që do të largojë këtë vit shqiptarët nga cilësia, standardet europiane dhe ato ndërkombëtare. TVSH-ja mbi librin, në emër të proteksionizmit vendas, goditi përfundimisht filozofinë e bashkëpunimit me BE-në për një treg të hapur, duke shkelur dhe vetë angazhimet e qeverisë shqiptare lidhur me MSA-në",- u shpreh Dalipi.
3.5 milionë euro janë parashikuara për kompensim për tekstet shkollore
1 milionë euro janë dhënë nga Financat për kompensimin e teksteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›