Opozita, skeptike ndaj koalicionit PDK-LDK
AKR dhe AAK: Pakti për pushtet, një pazar i interesave të ngushta politike
Nënshkrimi i marrëveshjes për koalicionin qeverisës nga ana e PDK-së dhe LDK-së është pritur me skepticizëm nga subjektet e reja opozitare, të cilat nuk besojnë se një qeveri e lidhur mes dy partive, deri dje rivale, do të sjellë rezultatet pozitive. Aleanca "Kosova e Re", konsideron se koalicioni PDK- LDK është joparimor dhe i dënuar të dështojë. Nënkryetari, Ibrahim Makolli thotë se ky koalicion nuk garanton qeverisje efikase. "Tashmë ne e kemi qartësuar para opinionit se koalicioni në mes të PDK-së dhe LDK-së është i dënuar që në start të dështojë, për shkak se kemi të bëjmë me një koalicion joparimor, i cili nuk garanton qeverisje efikase, ndërtim të institucioneve demokratike dhe avancim të demokracisë. Për më tepër me një koalicion të tillë, në të cilin bëjnë pjesë dy subjekte politike, të cilat kanë qenë rivale të njëra-tjetrës dhe kujtojmë se nuk garanton efikasitet të organeve dhe institucioneve të krijuara",- tha Makolli. Në anën tjetër, AAK, që deri tash ka qeverisur me LDK-në, konsideron se koalicioni PDK-LDK është një koalicion i interesave të ngushta politike. Nënkryetari, Ahmet Isufi thotë se ky interes i ngushtë do të dëmtojë procesin politik të Kosovës. "Është lidhur mbi disa interesa që kryesisht janë në nivelin e ngushtë politik, gjë që nuk është përfillje e anëtarësisë, sepse i dini deklaratat e anëtarësisë së LDK-së, po ashtu edhe të PDK-së, të cilat më shumë kanë qenë kontra se për një koalicion të tillë. Edhe në koalicionin e mëparshëm, kur LDK e bëri koalicionin me AAK-në, ne kemi pasur fyerje të rënda nga e njëjta parti e cila, tani, me dashamirësi ofrohet dhe bën koalicion duke e fyer vetveten në këtë moment",- tha Isufi. Ngjashëm edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, krah ky i shkëputur nga LDK, ka shprehur dyshimin se qeveria e re do të jetë efikase. Nënkryetarja e kësaj partie, Besa Gaxherri thotë se lidhja e këtij koalicioni nuk i shërben demokracisë parlamentare në Kosovë, meqë nuk do të ketë një opozitë të mirëfilltë. Ajo, po ashtu, thotë se lidhja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së nënkupton shkelje të besimit të votuesve.
"Qytetarët e Kosovës edhe pse kanë dalë shumë pak në zgjedhje, kanë votuar për ndryshime dhe realisht, këto dy parti, ia kanë mohuar të drejtën legjitime këtij populli dhe e kanë nënçmuar e përbuzur votën e tyre dhe realisht nuk kanë ndodhur ndryshime. Pra, është një koalicion që është bërë më shumë për çështje të biznesit dhe qëllimeve të grupeve e personale, sesa që është bërë një koalicion të cilin e ka votuar qytetari i Kosovës",- tha Gaxherri. Por, nuk janë vetëm subjektet opozitare skeptike rreth koalicionit PDK- LDK. Edhe brenda vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zëra që vazhdojnë të kundërshtojnë koalicionin, i cili u arrit pas afër dy muajsh negociatash. Ministri i Kulturës në largim, Astrit Haraçia, mendon se LDK është injoruar dhe nuk ka marrë atë që meriton. "Unë do ta respektoj vendimin e Kryesisë, por si individ jam shumë i pakënaqur për arsye se ministritë, që i janë ndarë LDK-së me gjithë forcën politike që e kemi, janë shumë pak dhe është injoruar komplet LDK. Unë në përgjithësi jam kundër këtij koalicioni, por unë e respektojë vendimin e popullit, dhe PDK është fituese e zgjedhjeve",- tha Haraçia. Haraçia, që është edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga ky subjekt politik. "Sinqerisht, unë dua që çështja e pavarësisë të kryhet deri në 10 ditët e para të muajit prill, pastaj jam tepër i sigurt se do të ndryshojë struktura politike në Kosovë, rrënjësisht. Do t'i shoh mundësitë bashkë me shokët e mi, nëse nuk ndihet zëri im, zëri i ekipit, atëherë pse të rri?",- tha Haraçia.
Për hir të procesit të statusit edhe tri subjektet opozitare shqiptare, që së bashku kanë 34 ulëse në Kuvend, janë zotuar se do të luajnë një rol konstruktiv.