E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemin shfajëson NATO-n

Jiang Zemin, ka pranuar në memoaret e pabotuara se njësitet e kundërzbulimit të Serbisë po fshiheshin brenda ambasadës së Kinës në Beograd, kur NATO-ja e bombardoi atë në vitin 1999. Nga Express më 13 shkurt 2011 në ora 17:58

Ish-presidenti i Kinës, Jiang Zemin, ka pranuar në memoaret e pabotuara se njësitet e kundërzbulimit të Serbisë po fshiheshin brenda ambasadës së Kinës në Beograd, kur NATO-ja e bombardoi atë në vitin 1999.

Memoaret raportohet të thonë se Jiang e kishte pranuar kërkesën personale të ish-liderit serb, Slobodan Milosheviq, që të strehojë personelin kyç të inteligjencës, ndërsa 14 serbë dhe tre shtetas kinezë e humbën jetën nga bombarduesit amerikanë.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për sulmin, i cili nxiti demonstrata anti-perëndimore në Kinë, duke e fajësuar cakun e gabueshëm që e pati përcaktuar CIA, Qeveria kineze asnjëherë nuk e pranoi këtë shpjegim.

Tash, një revistë në gjuhën kineze në Hong Kong ka publikuar ato, për të cilat thotë se janë rrëfimet mbi bombardimet, të shkruara nga 85-vjeçari Jiang, i cili u largua nga funksioni në vitin 2004.

Revista thotë se Jiang ka shprehur keqardhje përse i ka lejuar serbët të strehohen brenda misionit diplomatik të Kinës dhe beson se ky ka qenë gabim serioz politik. Memoaret thuhet se tregojnë se sa shumë e xhindosur ka qenë qeveria kineze për t’i heshtur protestat e saj, pasi amerikanët privatisht kishin paraqitur dëshmi për komunikimet elektronike serbe brenda ambasadës së Kinës.

Pazari diplomatik duket se ka qenë ai që amerikanët ia kishin shpëtuar fytyrën Kinës, duke kërkuar falje për “gabimin”, ndërsa kinezët kishin lejuar që protesta në rrugë të qetësohet pa ndonjë dhunë. Sipas revistës ‘Qiansao’ (Pararoja), e cila citon bashkëpunëtorët e ish-presidentit kinez dhe anëtarët e familjes së tij, Jiang beson se bombardimi i shkatërroi marrëdhëniet me Bill Clintonin, presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara.

Revista pohon se kinezët tashmë i kishin dërguar pajisje të fshehta për raketat tokë-ajër ish-Jugosllavisë përmes Libisë. “Kur filloi fushata ajrore, Ministria e Mbrojtjes e Jugosllavisë, departamenti i informacionit dhe selia e policisë, të gjitha u shkatërruan nga bombat e NATO-s”, shkruan revista, duke cituar memoaret e ish-liderit kinez.

“Slobodan Milosheviqi edhe një herë i pati kërkuar Jiangut të lejojë që sektorët kyçë të inteligjencës së ushtrisë të strehohen në bodrumin e ambasadës së Kinës, që të vazhdonin operimin”. Lideri kinez ishte pajtuar. Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, Ministria e Jashtme e Kinës e kishte pyetur ish-liderin Jiang nëse mund ta tërheqë gjithë personelin nga Beogradi, por ai i kishte urdhëruar që të mbetet aty si shenjë e solidaritetit me Milosheviqin, thuhet në memoare.

NATO-ja e bombardonte Serbinë që t’i tërheqë forcat e saj nga Kosova, e cila synonte pavarësinë.

(Sunday Times)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›