E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemra e Shkodrës rreh për Europën

Nga Express më 19 gusht 2011 në ora 08:21

35 piktorë nga Shkodra dhe Vlora, ishin protagonistë të një ekspozite pikture të organizuar nga Qendra e Informimit të Bashkimit Evropian në Shkodër, e titulluar "Zemra ime rreh për Europën".

Brilanta Lumanaj, drejtuese e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian në Shkodër, tha se, "qëllimi i këtij aktiviteti ishte të rrisë ndërgjegjësimin mbi vlerat e BE-së dhe mbi standardet e hyrjes në BE, përmes punës krijuese dhe përfshirjes së rinisë".

Çmimin e parë e fitoi Medina Tresi, 13-vjeç, nga Shkodra. Në pikturën e saj Tresi kishte kompozuar një nënë me fëmijën e saj, ku Nëna është Europa dhe Fëmija është Shqipëria.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte i pranishëm ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Duke i përgëzuar organizatorët e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian në Shkodër, si dhe piktorët e vegjël që u angazhuan në punimet e kësaj ekspozite, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, tha se "Europa është një çështje zemre dhe unë e di se Europa është në zemrën e shkodranëve, pra në zemrën e Shkodrës".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›