E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksiku i YU mitologjisë

Regjisori kroat, Oliver Frljic, për përgatit në Pula premierën e shfaqjes teatrore, të bazuar në Leksikun e YU Mitologjisë. Premiera e shfaqjes, që është një kooproduksion i gjashtë shteteve të ish-Jugosllavisë, do të jepet më 16 shtator, në Festivalin Ex Ponto, në Lubjanë. Në shfaqje, veç tjerësh, luan edhe aktorët tanë, Bajrush Mjaku, dhe Gresa Pallaska. Nga Express më 18 gusht 2011 në ora 14:36

Krijimi i Leksikut të YU Mitologjisë filloi në vitin 1989, me iniciativë të shkrimtares Dubravka Ugresic dhe redaktorëve të asokohshëm të revistës ‘Start’, Dejan Krsic dhe Ivan Molek.

Gjithçka u nis nga premisa se nuk ekzistonin tema të artikuluara të kulturës së popullarizuar jugosllave, të cilat do të ndihmonin për definimin e një identiteti të shtetit.

Por, problemi ishte, siç shkruhej asokohe, “shumë më i gjerë sesa vetëm një mungesë e kulturës së popullarizuar të vendit”, andaj thuhej se çështja e identiteteve jugosllave duhet të hulumtohej “jo vetëm për shkak të botës, por, para së gjithash, për shkak të vetë neve”. Së këndejmi, mes tjerash, sqarohej se edhe vetë “situata e sotme politike, e dëshmon këtë gjë shumë qartë”.

Projekti për krijimin e këtij Leksiku u ndërpre kur filloi rrënimi i Jugosllavisë, për t’u incizuar pastaj sërish në internet, në mesin e viteve të 90’a. E, në vitin 2004, shtëpia botuese Rende publikoi librin e parë me të njëjtin emër, i cili pastaj u ribotua edhe disa herë.

Një të tillë presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ia dorëzoi solemnisht homologut të tij kroat, Ivo Josipovic, derisa ky i fundit po qëndronte për një vizitë zyrtare në Beograd.

E pikërisht, në bazë të këtij versioni të librit tashmë është bërë një shfaqje teatrore në Serbi, ndërkohë që regjisori kroat, Oliver Frljic, së shpejti do të ofrojë edhe versionin e tij të miteve jugosllave.

Sipas portalit VL Media, shfaqja e Frljic paraqet një mitologji alternative të Jugosllavisë, ndërsa ideja e tij është që mitet historike t’i hulumtojë nëpërmjet jetës së pop-yjeve. Kështu, Dino Dvornik është i biri i aktorit serb Bata Zivojinovic - pra i aktorit me të cilin babai i Dino’s, Boris, ishte fjalosur keq pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Po ashtu, dy aktoret tjera të njohura të ish-Jugosllavisë, Milena Dravic dhe Sonja Savic, në shfaqje janë dy dashnore, të cilat ishin njohur gjatë xhirimit të filmit “Una”, përderisa martesa e Milena Dravic me aktorin Dragan Nikolic shërbente vetëm si një maskë për mbulimin e lidhjes së tyre. Një lidhje tjetër dashurore në shfaqje kanë edhe Emir Kusturica dhe Lepa Brena, e pjesë e saj është edhe aktori kosovar, Bekim Fehmiu, rolin e të cilit e luan Bajrush Mjaku, dhe aktorja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Gresa Pallaska.

“Menduam se mënyrë në të cilën është konceptuar Leksiku i YU Mitologjisë është tejet problematike. Është përplot sentimente, por nuk e hulumton fort fushën e gjerë të politikës. Në momentin kur janë shënuar, mitet për ato personazhe ishin po aq joreale sa edhe thashethemet për to.

Prandaj vendosëm që shfaqjen ta bazojmë në biografitë alternative të personave që madhërohen në Leksik, dhe që në këtë mënyrë të krijojmë një histori paralele, e cila do të gërryej stereotipet për Jugosllavinë dhe për mënyrën se si e kujtojmë sot atë”, sqaroi regjisori Frljic për VL Media.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›