E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dua të bëhem legjendë

Portieri i Liverpoolit, Jose Reina ka vendosur objektiv minimal për kthim në katër pozitat e para në Premierligë dhe kualifikim në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Pas kësaj, ai synon të luftojë për titull duke shkuar hapave të paraardhësve të tyre legjendarë që dikur ishin fuqi dominuese e futbollit anglez. Nga Express më 19 gusht 2011 në ora 08:18

Portieri i Liverpoolit, Jose Reina është i vetëdijshëm se është e domosdoshme të kthehen në Ligën e Kampionëve, derisa futbollistët e ekipit aktual synojnë të përcjellin hapat e paraardhësve të tyre legjendar.

Pesë herë kampioni i Evropës nuk do të luajë në garën elite të klubeve kontinentale pas përfundimit në pozitën e gjashtë në Premierligë në edicionin e kaluar, që u përcoll nga pozita e shtatë më 2009/10.

Reina ishte temë e spekulimeve gjatë këtij afati kalimtar të verës, pas interesimit nga Manchester Unitedi dhe Arsenali, por ai rithekson vendosmërinë e tij të mbetet në Anfield Road pranon se rezultatet e Liverpoolit kanë qenë dëshpëruese. Por, spanjolli është i inkurajuar pas ardhjes së përforcimeve me vlerë prej 48.5 milionë funte gjatë këtij afati kalimtar të verës dhe synon rikthimin në mesin e katër skuadrave të para në Premierligë, para kandidaturës për titullin e parë nga viti 1989/90.

“Është vështirë, sepse kemi qenë në distancë nga këto aspirata për një kohë të gjatë”, tha Reina për Sky Sports News. “Prioriteti është të kthehemi në top katërshe dhe të vazhdojmë të përmirësohemi. Është e domosdoshme që ekipi të kthehet në Evropë, në Ligën e Kampionëve e pastaj vitin e ardhshëm të shfaqë kandidaturë për titull”, shtoi ai. Reina pranon se është e pazakonshme për të që të mos ketë angazhime në mesjave kur zhvillohen ndeshjet e garave evropiane të klubeve, Liga e Kampionëve dhe Europa League.

“Gjithmonë kam qenë në situata ku jam paraqitur në mesjavë dhe kjo është diçka e re për mua. Ata thonë se mund të jetë përparësi (mosparaqitja në Evropë) dhe shpresoj se mund të përfitojmë nga orari më i lirë”, theksoi Reina. Reprezentuesi spanjoll llogarit në ndihmesën e përforcimeve të reja. “Mendoj se përforcimet e reja kanë përparësinë e paraqitjeve për shumë vite në këtë ligë dhe kjo ua bën më të lehtë adaptimin në skuadër të re. Ky klub ka një histori të madhe dhe ne duhet t’i përcjellim ato legjenda”, vazhdoi ai.

Reina po ashtu beson se portieri i ri i Manchester Unitedit, David De Gea do të arsyetojë 17.8 milionë funtet e shpenzuara për të, pavarësisht fillimit të vështirë të karrierës së tij në Angli.

“Është tipike që kritikët nuhasin gjak sa herë që ndodh një gabim. Por, zotëri Ferguson e ka vënë besimin ndaj tij duke e transferuar, andaj duket logjike se atij do t’i nevojitet kohë për t’u adaptuar dhe të jetë përforcim kualitativ për ta”, përfundoi Reina. Liverpool barazoi në ndeshjen e tij të parë në sezonin e ri në Premierligë, duke luajtur 1-1 në shtëpi kundër Sunderlandit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›