E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berishës i përsëritet lëndimi

Etrit Berisha nuk po e gjen assesi rehatinë. Portierit të përfaqësueses së Kosovës i është rikthyer lëndimi i pësuar më parë, kështu që u detyrua ta ndërpresë fazën përgatitore me Kalmarin për ta vizituar një klinikë të specializuar në Kroaci. “Kam shumë dëshirë që ta heq qafe këtë. Kam tentuar të jem totalisht gati për fillimin e sezonit, por më pas kam ndier sërish dhimbje në këmbë”, thotë portieri 22 vjeç.

Atij iu kthye përfundimisht lëndimi në ndeshjen e Copa del Sol kundër FC Copenhagen. Fizioterapeutët e klubit, Kjell Svensson e Hakan Sterling do të tregojnë shumë shpejt rreth lëndimit të futbollistit. Por, portieri kosovar e di tashmë se çka do.

“E kam gjetur një mjek në Kroaci, Stanislav Peharec, i cili është i specializuar për lëndime të tilla. Dëshiroj të shkoj atje për ta bërë një tretman të rehabilitimit për nja javë ose dy dhe më pas do të jem në gjendje të kthehem në shpejtësi”, tha Berisha.

Mirëpo, mjeku i Kalmarit, Hakan Sterling nuk ia ka dhënë ende dritën e gjelbër udhëtimit të Berishës drejt Kroacisë. “E ka gjetur një klinikë përmes menaxherit të tij. Ne do ta verifikojmë se për çka bëhet fjalë në klinikën tonë, kështu që më pas do ta dimë se çfarë tipi të tretmanit duhet t’ia ofrojmë”, theksoi Sterling.

Ai insiston se Etriti nuk duhet të jetë i preokupuar, por pranon se nevojitet kohë për t’u kthyer. “Situatat në lojë janë ndryshe nga ato në stërvitje. Për këtë atij i është ënjtur sërish këmba. Këmba është e kompleksuar me shumë ligamente. Lëndimi i tij është shumë i rrallë dhe kërkon kohë për rehabilitim”, shtoi Sterling.

Berisha thotë se e ka mjaft të vështirë të qëndrojë jashtë fushës. Ai po pret që 5 muaj dhe ka dëshirë ta heqë qafe këtë lëndim dhe të kthehet ta ndihmojë Kalmarin për arritjen e objektivave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›