Zenitizmi dhe Neo-shqiptarizma
Është konstatim praktik se pa mendimin shqiptar nuk mendojmë shqip, në kuptimin e artikulimit të interesave kombëtare. Ky është një sinjal që tani ne kemi filluar të kuptojmë dhe të veprojmë në kuadër të interesave kombëtare
Njëra nga karakteristikat kryesore të qytetërimit perëndimor është aftësia për analizë kritike të vetvetes, të shoqërisë dhe të tendencës historike. Dyshimi është pjesë e pashmangshme e metodës hulumtuese. Siç dihet, dyshimi është faktori që destrukturon mitet, paragjykimet dhe krijon mundësi për verifikim të pohimeve të ndryshme, për njohje dhe ballafaqim me realitetin, me dobësitë apo me vlerat, krijon kushte për t'u paraprirë proceseve, për korrigjim të gabimeve dhe tejkalim të ngecjeve, që pengojnë zgjerimin e horizontit të dijes dhe të lirisë. Kjo dhunti për njohje përmes dyshimit, mes të tjerash prodhon fenomenin e historisë, si proces ku varg e vistër ndryshojnë idetë, vlerat, gjithnjë në favor të zhvillimit të bazuar në shkencë. Pa vlerësim kritik të ideve nuk mund të fillojë procesi i ndryshimit të relacioneve penguese në shoqëri.
Në shoqëritë, ku nuk kultivohet aftësia për introspekcion, për vlerësim të bazuar mbi dyshimin, aty ku nuk ka ndryshim të ideve, aty nuk ka histori, por kronikë që përshkruan bëmat e njerëzve të ndryshëm, prej mbretërve e deri tek heronjtë, veprat e të cilëve mitizohen pa vlerësim kritik, kështu ndodh që fare lehtë, kriminelët të adhurohen si bamirës. Pra, këto shoqëri janë statike dhe të paafta për ripërtëritje jo vetëm në segmentin politik, social, por edhe kulturor.
Në shoqëritë e qytetërimit perëndimor historia zhvillohet si proces ku, në kohë dhe hapësirë paraqiten, veprojnë dhe tejkalohen ide dhe projekte të ndryshme të rregullimit shoqëror, si p.sh. koncepti i rregullimit shoqëror mbi parimet skllavopronare, feudale, kapitaliste, liberale, socialiste, apo variantet e tyre të stërkequra komuniste, naziste, fashiste etj.
I njëjti fenomen shfaqet edhe në kulturë ku çdo etapë përfundon me manirizëm, prandaj imponohet nevoja e vazhdueshme dhe pandalshme për ndryshim: antikën e zëvendëson mesjeta, këtë të fundit renesanca, pastaj shfaqet klasicizmi, baroku, rokokoja, iluminizmi, romantizmi, impresionizmi, ekspresionizmi, realizmi, modernizmi, postmodernizmi etj. Së këndejmi, në formacionet shoqërore të Perëndimit paraqitet fenomeni dinamik i ndryshimit, i korrigjimit të gabimeve, i inovacionit dhe i progresit, ndërkaq në shoqëritë joperëndimore, në kulturat të kredhura në traditë, ku nuk funksion distanca ndaj vetvetes, introspekcioni, verifikimi i trashëgimisë përmes dyshimit metodik, ashtërohen strukturat dhe interesat, konceptet, bindjet, njohuritë dhe paragjykimet.
Është e qartë se kjo ndarje është pak a shumë skematike, sepse mund të gjenden edhe përjashtime, për shkak të ndikimit të madh të kulturës dhe të politikës perëndimore në planin global.
Njëra nga temat e parapëlqyera, të mëdha që mendja kritike, dyshimi metodik i kulturës perëndimore ka nxjerrë në rrah të historisë është ajo e alienimit, i tjetërsimit të njeriut nga vetvetja, apo zhvillimi joproporcional, harmonik i njeriut perëndimor. Sipas studiuesve të fushave të ndryshme: sociologëve, antropologëve, etnologëve, psikologëve, filozofëve, duke filluar prej Gëtes, Hegelit, Marksit e deri tek Erih Fromi, njeriu perëndimor, përkatësisht qytetërimi perëndimor paska zhvilluar vetëm një segment të qenies së tij, atë racional, apolonik në dëm të atij shqisor, emocional, pra dioniziak, siç do të thoshte Gëte.
Johan Volfgan Gëte (1749-1832), shkrimtar, shkencëtar, politik, bashkë me Johan Georg Herman dhe Fridrih Shilerin themeluan një lëvizje letraro-muzikore, "Sturm und Drang" ("Stuhi dhe gjakim") që paralajmëroi një fazë të re kulturore, romantizmin që filloi pak nga pak ta zëvendësonte iluminizmin. Ky ndryshim ishte dramatik. Ajo që deri dje ishte jo vlerë, pasioni, ndjenjat ekstatike, thyerja rregullave konservative, përbuzja e manireve të shndërruara në normë, entuziazmi, u bënë vlera të reja.
Gëte ishte i mahnitur nga ideja sipas së cilës, në kohën antike njeriu paska pasur zhvillim harmonik dhe se në qenien e tij ekzistonte baraspesha ndërmjet arsyes dhe ndjenjës, ose elementit apollonik (racional) dhe atij dioniziak (shqisor). Kjo harmoni, sipas tij, qenka humbur gjatë historisë së qytetërimit perëndimor. Këto mendime ishin prezente edhe në mesin e intelektualëve francezë, kryesisht në rrethin e shkrimtarit, filozofit Zhan Zhak Rusosë, i cili ishte po ashtu ithtar i mendimit se duhet t'i rikthehemi natyrës. Brenda një kohe të shkurtër, qytetërimi u shndërrua në një barrë të kotë që dëmtonte zhvillimin harmonik të njeriut.
Ky zhvillim i njëanshëm i njeriut perëndimor që më vonë do të trajtohet si alienim, tjetërsim i natyrës së njeriut u bë fiksion dhe motiv për ndryshim të situatës.
Pandehma e Gëtes se njeriu antik paska pasur zhvillim harmonik e shtyu atë për ta verifikuar hipotezën e tij. Ai ishte i bindur se argumentet, dromcat e një bote ideale të humbur gjatë zhvillimit të qytetërimit perëndimor mund të gjenden në gojëdhënat e popujve të Ballkanit. Në atë kohë me të kishte bashkëpunim të dendur linguisti i njohur slloven Jernej Kopitar (1780-1844). I rrezatuar edhe ai nga kjo ide mahnitëse, gjetjen e harmonisë së humbur të njeriut, e angazhoi etnologun serb, Vuk Karaxhiqin (1789-1864) që të fillonte regjistrimin e baladave të popujve të Ballkanit, në mesin e tyre edhe disa të traditës shqiptare. Që në atë kohë, në disa qarqe intelektuale serbe filloi procesi i adhurimit të irracionales, të vetvetes, të asaj që i mungonte qytetërimit perëndimor.
Shpeshherë ndodh transformimi i çuditshëm i ideve, kur ato, nga majat intelektuale, nga një elitë e zgjedhur zbresin në shtresat e gjëra të popullatës. Kështu pësoi edhe ideja e Gëtes dhe e intelektualëve të tjerë, që vazhdimisht kishin qëndrim kritik ndaj çdo fenomeni, pra edhe të traditës së tyre. Keqkuptimi lindi kur këtë kritikë të trashëgimisë racionale në dëm të harmonisë së imagjinuar të periudhës antike, disa e kuptuan si konstatim se kultura perëndimore qenka e degjeneruar, se Evropa qenka e kalbur dhe e pashpresë të rimëkëmbet. Ky ligjërim anti-Evropë u bë dominant te popujt që kishin zili dhe urrejtje (resantiman) për zhvillimin marramendës shkencor, ekonomik dhe politik të Evropës in integrum.
Në mesin e këtyre popujve që e kundronin Evropën si një sistem vlerash të degjeneruara ishte edhe populli serb. Siç ndodh zakonisht, e paarritshmja njolloset, për ta arsyetuar realitetin e mjerë. Prej kohës së Vuk Karaxhiqit, zuri të lëshojë rrënjë ideja se primitivja, e natyrshmja, origjinalja, irracionalja janë vlera kundruall racionales, që perceptohej si vlerë jo e natyrshme. Ky keqkuptim do të përfundojë me idenë se ka ardhur koha që në skenën historike të dalë barbarogjeniu, njeriu i natyrës, i egri fisnik, që duhet ta regjenerojë qytetërimin e kalbur perëndimor. Ky gjeni barbar ishte serbi, ndonëse shpeshherë ai zëvendësohet me nocionin e ballkanasit. Nga kjo kohë buron një tendencë e marrë për rolin global të primitivizmit, të barbarizmit që përvidhej si gjenialitet i serbëve në planin evropian. Kjo linjë do të përfundojë me krime barbare gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Perceptimi pozitiv i irracionales, i barbarizmit do të ndikojë në errësimin moral të një pjese të popullit serb, mjerisht te pjesa aktive, të cilët ende nuk arrijnë të distancohen nga krimi.
Ideja e gjeniut barbar, që më vonë shndërrohet në lëvizje politiko-kulturore në mes të dy luftërave botërore njihet me emrin zenitizëm. Eksponenti kryesor i kësaj lëvizjeje ishte Lubomir Miciq. E gjithë veprimtaria e tij mund të përkufizohet si tendencë për estetizim të primitivizmit, të natyrales, që më vonë do të përfundojë edhe me estetizim të krimit.
Një kulturë që nuk arrin të kundrojë vetveten nga një distancë kritike, në mënyrë arrogante prodhon ide që nuk durojnë dyshimin: "Gjeniun barbar nuk do ta gjeni kurrë duke dyshuar ose hulumtuar, ai nuk shtron pyetje dhe as iu përgjigjet, sepse ai është i lindur nga natyra, është më i fuqishmi dhe më i miri, ai është njeri i plotfuqishëm, me dhunti natyrore, i mirë si buka dhe i fortë si toka. Çdo gjë që dallohet prej tij, patjetër duhet të zhduket ose të ç'rrënjoset", - konstaton në mënyrë të saktë në analizën e tij Veselko Tenzhera ("Barbarogjeniu në modë").
Në "Manifestin e Zenitizmit" (1922), Ljubomir Miciqi e përkufizon në këtë mënyrë projektin e tij: "Zenitizmi është çlirim nga të gjitha vështrimet akademike dhe nga gënjeshtrat e pranuara të klasicizmit evropian...".
"Molierit t'ia heqim paruken e nxirë; mbetet e zbrazët koka mbretërore...";
"Dantes t'ia heqim tunikën e zezë katolike; mbetet lakuriqësia e Luciferit kishtar...";
"Shekspirit t'ia shkulim mjekrën italiane; mbetet vetëm patosi i lordit Bacon dhe i homoseksualëve të mbretit danez...";
"Kantit t'ia heqim trurin...";
"Kraleviq Markun ta fusim në tempullin e Vidovdanit".
Ose...
"Ne nuk të jemi evropianë. Ne jemi ballkanas-lindorë"
"Duam BALLKANIZIMIN E EVROPËS
Evropën ta varim në hu, do të jetë përjetim i bukur".
Gjeniu barbar, Miciq ka hartuar edhe manifestin e serbizmit. Në të konstaton se "në gjithë të kaluarën serbe, serbizmi ka qenë baza më e shëndoshë morale, shoqërore, arsimore e organizmit të përgjithshëm serb"... Në këtë pikë, një pretendim filozofik demaskohet si një nacionalizëm vulgar, i nivelit më të ulur provincial.
Krahas ideologjizimit të serbizmit, Miciqi kalon në ideologjizimin e sllavizmit vetëm e vetëm që t'i japë peshë, seriozitet projektit të shërimit të sistemit të vlerave të kalbura evropiane.
Vuk Karaxhiqi, në vend që të hulumtojë ekzistencën e harmonisë së dikurshme ndërmjet elementit apolonik dhe atij dioniziak te njeriu i periudhës antike, ai projektoi një shtrembërim që bëri apologjinë e primitives, të natyrshmes kundër kulturës. Së këndejmi, një popull që nuk arrinte të ishte në hap me zhvillimin kulturor, shkencor dhe shoqëror, shpallte ngecjen si vlerë. Kjo marrëzi, kjo etje për relevancë globale, kjo grandomani qesharake gjatë tërë kohës ka prodhuar krizë, që manifestohej si fenomen i pakënaqësisë serbe me realitetin, me zhvillimet historike që nuk ishin në përputhje me parashikimet e tyre. Anti-evropianizmi, anti-oksidentalizmi, serbizimi i kulturës evropiane përmes ngjizjes së barabrogjeniut (serb), martesës së tij me "kurvën plakë, Evropën", ishte një delir që krijoi frustracione brenda shoqërisë serbe dhe tragjedi te popujt e tjerë që, për shkaqe të ndryshme historike ishin të detyruar të jenë me ta, brenda një shteti të përbashkët. Bindja se qytetërimi perëndimor është dekadent ishte në funksion të arsyetimit të prapambetjes. E gjithë kjo zallamahi (rrëmujë) intelektuale ishte pasojë e mungesës së traditës për vlerësim kritik të proceseve të ndryshme shoqërore dhe kulturore.
Apologjia e të natyrshmes të konceptuar si përparësi e primitivizmit, të prapambetjes do të krijojë polarizime të tjera të rrezikshme: populli kundër elitës, natyra kundër kulturës, fshati kundër qytetit, folklori kundër krijimtarisë artistike. Apologjetët e këtyre polarizimeve nuk ishin njerëz të zakonshëm, por një segment i inteligjencës serbe me ndikim të madh në rrjedhat politike serbe. Shkrimtari serb, i ashtuquajtur babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, në një rast do të konstatonte se fshati është i neveritur nga amoraliteti i çarshisë, i qytetit.
Idealizimi i fshatit, i malit është konstant. Shkrimtari dhe politiku rishtar, Vuk Drashkoviq, në programin e partisë së tij (Partia për Ripërtëritjen Serbe) parashikon se shërimi i popullit serb fillon në fshat. Të tjerët do të konstatojnë se në qytet gjithmonë është jetuar në mënyrë kurvërore. Me këtë konstatim, kryetari i qytezës Trebinje, gjeografikisht i vendosur mbi Dubrovnikun, B. Vuçuroviq e bombardonte këtë qytet të lashtë me pretekstin se në të gjithmonë është jetuar në mënyrë kurvërore dhe se lartësia mbidetare zero prodhuaka edhe moralin e nivelit zero.
Politiku tjetër serb i Bosnje-Hercegovinës, që këto ditë gjykohet në Tribunalin e Hagës, R. Karaxhiqi, në një intervistë i bashkohet idealizmit të fshatit, të malit: "Ne durmitorasit jemi njerëz të lirë, ne shpeshherë qytetet i ndjenim si burgje". (Citate të marra nga libri i Lj. Antiqit "Programet e nacionalizmit serbomadh")
Ky idealizim i fshatit shërbeu si shkas, që luftën në B/H disa analistë ta përkufizojnë, jo si luftë ndër-etnike, por si luftë e fshatit (serb) kundër qytetit (boshnjak, kroat), jo si gjenocid, por si urbancid.
Adhuruesit e fshatit, apo urrejtësit e qytetit, shpesh e përdornin si argument thënien se Zoti e paska krijuar fshatin, ndërkaq njeriu qytetin.
Në vijë të këtij botëkuptimi të rremë edhe kryeqyteti serb, Beogradi perceptohej si çerdhe anti-serbe, kozmopolite, mondialiste që i penguaka përpjekjet për realizim të projekteve nacionale serbe. Një kohë të gjatë qarkullonte ideja se një qytet tjetër duhej të shpallej kryeqytet i Serbisë. Disa syresh propozonin Prizrenin.
Kjo mahnitje me ruralen, me të natyrshmen, me primitiven, kjo urrejtje e kulturës, e qytetërimit gjatë luftës së fundit ishte gjithëpërfshirëse. Shkrimtari urban, Momo Kapor, rrëfen momentin kur në një kafene në humbëtirat e Hercegovinës ishte rrëqethur duke dëgjuar lahutën dhe pranon që këtë ekstazë s'ka mundur të ndjejë duke dëgjuar Bahun. Përdhosja e kulturës evropiane shfaqej në shumë segmente, politike, shoqërore, kulturore dhe në çdo kohë. Në prill të vitit 2006, këtu në Tiranë u organizua një koncert madhështor i autorit të muzikës bashkëkohore, Goran Bregoviqit. Në këtë koncert orkestra e tij për dasma dhe mort, krahas këngëve rome, "Hëdërlezi" (Shën Gjergji), "Kallashnikovi" ekzekutoi edhe "Requiemin" e Moxartit, me instrumente frymore, që zakonisht përdorin romët e Serbisë. Ndoshta dikujt i është dukur interesante, por batutat e këtilla në esencë flasin për përbuzje të veprave të një kulture që herë adhurohet, herë urrehet.
Estetizimi i primitives shpeshherë ishte në funksion të fshehjes, të avokaturës së krimit, të arsyetimit të vrasjeve. Kur estetika nuk jepte më rezultatet e duhura kërkohej ndihma e Zotit. "Ne serbët jemi pinjoll të Adamit, popull me fat tragjik dhe hyjnor; identiteti ynë është bashkëdyzimi i qiellit dhe i kombëtares", - shkruan akademik Jovan Rashkoviq, i cili në vijë të adhurimit të irracionales, i pari i quajti serbët si popull i çmendur, por në konotacion pozitiv ose "Luftojmë për fenë tonë, për kishën tonë ortodokse, për shtetin e madh dhe unik serb". "Besojmë në Zotin serb", deklaronte krimineli ordiner, Zh.R. Arkani.
"Zoti në përleshje me satanin në qiell, serbizmi në luftë me satanizmin në tokë" (Milan Komneniq, shkrimtari serb, pjesëmarrës në dialogun intelektual serbo-shqiptar, i fyer nga argumentet e forta të intelektualëve shqiptarë, shpalli i pari se ne qenkemi në luftë me ta.
Ideja anti-Evropë është ide për regjenerimin të sistemit të vlerave evropiane përmes primitivizmave të llojeve të ndryshme, të cilat kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë vazhdimisht. Një ide e tillë përdorej edhe nga filozofi spanjoll Miguel De Unamuno, i cili impononte idenë e hispanizimit të Evropë. Në këtë rrafsh mund të përmenden edhe idetë aktuale për islamizim të Evropës.
Të gjithë ata që janë të mahnitur me cilësinë dhe kapacitetin ekonomik, politik, kulturor, qytetërues të Evropës kërkojnë që ta përvetësojnë atë me oferta të këtilla idiodike. Askush nga këta bartës të ideve kaq bizare nuk mëton ta modifikojë Afrikën bie fjala, por të gjithë janë të koncentruar në Evropë.
Estetizimi dhe hyjnizimi i misionit serb në Tokë, nuk është vetëm në funksion të gudilsjes së egos së lënduar serbe, por edhe në funksion të marrjes së lejes për krime ndaj popujve të pazgjedhur, pa mision historik dhe "inferior" në krahasim me serbët.
Natyrisht, se me këto konstatime, shembuj të shkëputur nga projektet serbe nuk tentohet që i tërë populli serb të futet në një thes. Në shoqërinë serbe ekziston një rrymë e fuqishme kundër shkarjeve skandaloze të nacionalizmit serb, që qartësisht ndërtohet mbi premisat anti-evropiane. Kjo rrymë intelektuale, mjerisht, nuk e ka forcën e populistëve, demagogëve, të cilët duke e shpallur “Evropën të degjeneruar”, “plakë”, “kurvë”, në fakt e fitojnë të drejtën e përfaqësimit dhe të mbrojtjes të interesit serb. Të moderuarit, sot e gjithë ditën janë një hap pas një barbarogjenitë, që e kanë bllokuar orën historike duke e lënë kauzën serbe në pozicionet e nacionalizmit të shekullit të XIX. Ky nacionalizëm i mykur dënohet dhe do të dënohet vazhdimisht nga shtetet më të përparuara dhe demokratike në botë.
Derisa nacionalizmi serb kërkon mbështetje nga Bota e Tretë, nga shtetet e ashtuquajtura islamike, nga regjimet despotike, kauza shqiptare vetvetiu merr mbështetje nga shtetet më të përparuara dhe më demokratike të botës.
Por, si është raporti i shqiptarëve me Evropën?
Diametralisht i kundërt me atë serb. Ideologët shqiptarë, përveç periudhës së komunizmit që ishte fryt i marrëveshjeve ndërkombëtare, gjithmonë e kanë idealizuar Evropën dhe kulturën e saj. Te shqiptarët nuk ekziston tendenca megalomane për albanizmin e Evropës, por për evropianizim të shqiptarëve.
Këtë më së miri e dëshmon projekti i neo-shqiptarizmës i eseistit shqiptar, Branko Merxhanit. Këto dy fenomene antagoniste, zenitizmi dhe neo-shqiptarizma çuditërisht shfaqen, pothuajse në të njëjtën kohë, por mbi premisa krejtësisht antagoniste: zenitizmi perceptonte Evropën si një zonjë plakë, ose kurvë plakë, si një krijesë e degjeneruar, e pashërueshme, ndërkaq neo-shqiptarizma si ideal që me zell dhe angazhim të jashtëzakonshëm duhet arritur.
Në mes të këtyre dy lëvizjeve ekzistojnë dallime thelbësore:
-Zenitizmi e percepton Evropën, kulturën e saj si fenomene të degjeneruara, ndërkaq neo-shqiptarizma si organizëm i shëndoshë ku progresi është i pandalshëm;
-Zenitizmi mëton ta serbizojë (!) Evropën e molisur, ndërkaq neos-shqiptarizma të evropianizojë shqiptarizmin;
-Zenitizmi konstaton se serbizmi është në rregull, ndërkaq neo-shqiptarizma konstaton ngecjet, gabimet në shoqërinë shqiptare dhe tregon rrugën (evropiane) se si të ndreqen gabimet;
-Zenitizmit i mungon Rusia, neo-shqiptarizmës Evropa;
-Zenitizmi afirmon primitivizmin, njeriun e prishur ndërkaq neo-shqiptarizma njeriun e edukuar (të shkolluar);
-Zenitizmi parapëlqen çlirimin e instikteve ataviste, ndërkaq neo-shqiptarizma çlirimin e mendjes;
-Zenitizmi e glorifikon barbarogjeniun që qëndron mbi moralin, ndërkaq neo-shqiptarizma pjekurinë morale;
-Zenitizmi parapëlqen kolapsin e qytetërimit perëndimor, ndërkaq neo-shqiptarizma triumfin e tij;
-Zenitizmi ndërtohet mbi premisa utopike, synon të krijojë Njeriun e Ri, Frymën e Re, Artin e Ri, neo-Shqiptarizma ka ambicie realiste, ta krijojë shqiptarin e ri;
-Zenitizmi është projekt për modifikim të botëkuptimeve të të tjerëve, neo-shqiptarizma për ndryshim të vetvetes;
-Zenitizmi shfaqet si ide decivilizuese, neo-shqiptarizma e aspiron civilizimin;
-Zenitizmi e adhuron anarkinë e përjetshme, Neo-shqiptarizma organizimin dhe rregullimin e kaosit (përmes arsimimit të mirëfilltë të djalërisë);
-Zenitizmi e sheh njeriun e ri të liruar nga shkollimi evropian, neo-shqiptarizma sheh rolin e djalërisë në ndryshimin e rrethanave në Shqipëri vetëm përmes arsimimit evropian;
-Zenitizmi e adhuron irracionalen, neo-shqiptarizma e idealizon racionalizmin;
-Zenitizmi e glorifikon mitin, neo-shqiptarizma e dekonstrukton atë etj.
Branko Merxhani i quan mitet përralla, prandaj hipotezat për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve i quan pretendime të kota. Ai e afirmon të tashmen, shqiptarin e ri, i cili duhet të jetë i arsimuar që t'i kuptojë drejt proceset historike.
Njëra nga pikësynimet kryesore të Branko Merxhanit është ideja që në "Shqipërinë e Re, nuk do të ketë më as një pengim, jo vetëm legjislativ, por edhe ndërgjegjeje fetare që t'i bashkojë zemrat e tyre djemtë dhe vajzat e atdheut shqiptar pa ndryshim feje".
Marrë në tërësi, shqiptarët, si në atë kohë ashtu edhe tani nuk mendojnë me kategori anti-evropiane, anti-perëndimore, por e kundërta: shqiptarët ishin dhe mbeten në pozicionet e racionalizmit evropian.
Në luftën e fundit, kjo dikotomi u verifikua katërcipërisht: serbët duke ndjekur këtë linjë të megalomanisë anti-Evropë u izoluan dhe vazhdojnë në trajta të ndryshme të mendojnë se gjithë bota gaboi, ndërkaq ata vetë qenkan në rrugë të drejtë. Shqiptarët, pa marrë parasysh ku jetojnë mbeten në pozicionin e adhurimit të Evropës, të qytetërimit perëndimor.
Proceset e tilla që formojnë bindjet, mendësinë, identitetin e një populli nuk lindin brenda natës, por janë pasojë e një sërë faktorësh. Faktori kryesor që nuk lejon të formohen paragjykimet është dyshimi metodik, nga mënyra se si hulumtohet dhe zbulohet e vërteta. Njeriu perëndimor, ai i vjetri, "i degjeneruari" pati guximin që të dyshojë edhe në të vërtetat e librave të shenjtë.
Këtë guxim e paguan shtrenjtë: duke u djegur në stivën e druve, ata përsërisnin zbulimet e tyre: "Epur si muove" (Megjithatë lëviz).
Vetëm retorikë!
Violeta Murati
Kush mund të pohojë të kundërtën e realitetit që është për mendimin, se në mënyrë klasike i qëndron përjetësisë - atëherë nuk ka kuptuar se nga vjen përndritja e ideve. Kur rrymat botërore, lëvizjet kulturore, politike, sociale po ndryshonin në vrulle të papërmbajtura Evropën, në Shqipëri elita i kish mbërthyer prej brirësh dhe pati ngrehur kreshpën për ta rrokur pa asnjë ditë humbjeje trokun perëndimor të mendimit.
Ndonëse në ato vite vendi ynë ndodhej në një prapambetje të madhe, hendeku me njerëzit e mendimit ishte tmerrësisht i madh - por parashikues. Sot, pas gati një shekulli vizioni i tyre është konkret, praktik. Jo në kontekstin çfarë elite kulturore po prodhojnë intelektualët e sotëm, por të orientimit praktik çfarë shqiptarët duhej të mbronin si ideale. Në fakt kontrasti i sotëm intelektual është tmerrësisht i madh në krahasim me jetën moderne. Gati pas 20 vitesh tranzicion, kur u përmbys diktatura që mohoi, ndaloi, censuroi njohjen e kësaj plejade - për herë të parë duhet thënë, u organizua një “konferencë shkencore”, si shenjë sensibilizimi për njohje dhe rivlerësim të atij grupimi të djelmërisë shqiptare që nuk lanë arenë letrash pa nxitur tek shqiptarët, gjënë më të thjeshtë; njohjen e vetvetes - si sfidë drejt evropianizimit.
Askund nuk kemi hasur të shënuar se Anton Harapi, Branko Merxhani, Zef Valentini, Eqerem Bej Vlora, De Rada, Sami Frashëri, Vangjel Koça, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, Stavro Skëndo, Tajar Zavalani, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Gjon Shllaku, Ismet Toto, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Jorgji Meksi, Nebil Çika, Nonda Bulka, Zef Krispi, Safet Butka, Getano Petrotta, Sejfulla Maleshova, Vinçens Dorsa, Namik Resuli - pra, për këta njerëz të mendimit nuk kanë shënuar gjëkundi, se u mblodhën në ndonjë hotel luksoz, ku mund të kenë bërë projekte, të kenë aplikuar, marrë paratë e t’ia kenë shtruar drekave dhe koktejeve dhe pastaj ta thoshin mendimin.
S’duhet harruar se gjithë kjo plejadë e elitës, me çfarë kanë lënë të shkruar, trashëgimi, nuk u grupuan, as u bënë klane njerëzish për t’iu servilosur ndonjë politike të brendshme, a për të folur në interes të sigurimit të mirëqenies së tyre personale. Gazetat “Albania” e Faik Konicës, “Minerva” e Nebil Çikës, “Iliria” e Ismet Totës, “Hylli i Dritës” i françeskanëve etj., u bënë mediumi që mbahej me sakrifica, për të shprehur idetë, idealizmin, ku specifikisht nuk lanë fushë pa ngritur sistemin e funksionimit intelektual. Por çfarë shenje tregoi konferenca e djeshme, që duhet thënë ndonëse pati personalitete dinjitoze të mendimit, të ftuar, nuk zgjoi ndonjë debat reflektues të fuqishëm, sa ç’mund të pritej nga ky “zgjim i vonuar” i shqiptarëve mbi këtë plejadë. Dje, ngjarje ka qenë prania e Arbën Xhaferrit, ku fjala e tij ishte një peshë e fortë intelektuale, një referim gati manifestues, plot ide, dhe argumentim mendimi se çfarë ka ndodhur pas 100 vjetësh kur mes neo-shqiptarëve dhe vendeve fqinje, që predikonin “idenë e gjeniut barbar”, si lëvizje politiko-kulturore në mes dy luftërave botërore e që njihet me emrin zenitizëm. Ndoshta Xhaferri ishte ndër të vetmit, që për potencën intelektuale, të elitës, mendimit, ta cilësojmë si epigon i plejadës së viteve ’30, ku konsistenca pro perëndimit dhe Evropës vazhdon të mishërohet e gjallë, si dëshirë e brendshme, si njohje me vetveten dhe ideal zhvillimi.
“Është konstatim praktik se pa mendimin shqiptar nuk mendojmë shqip, në kuptimin e artikulimit të interesave kombëtare. Ky është një sinjal që tani ne kemi filluar të kuptojmë dhe të veprojmë në kuadër të interesave kombëtare”, - ka thënë ekskluzivisht për “standard” kulturologu i trevave mbarëshqiptare. Konkluzioni më specifik për këtë rast, dhe që flet vetë, është rasti i botimeve të kësaj elite, dhe njohjen e tyre nga shkollat dhe universitetet. Por kjo më shumë ka qenë retorikë dje, pasi ajo që pretendohet, pra vullneti politik, prania e zyrtarëve të lartë të arsimit, më shumë ka qenë një gjest përshëndetës dhe aspak premtues për ndonjë strategji se si mendimi shqiptar të futet në programet mësimore. Ndërsa botimet - që ende nuk janë kryer plotësisht, dhe studiuesit flasin për dokumentacione të pazbuluara arkivore - janë sporadike, pa kritere përmbledhjeje,dhe krejtësisht nisma private të botuesve. Për këtë, dje është përmendur se ekziston një antologji e mendimit kritik shqiptar të periudhës 1870-1945, përgatitur nga Ndriçim Kulla, që përbën një tekst plotësues për shkollat e mesme për lëndën e letërsisë shqipe; është një përmbledhje antologjike voluminoze e botuar në vitin 2002, botuar nga Enver Muhametaj, që përmbledh shkrime të të gjitha tipeve të polemikës shqipe, gjatë një periudhe kohore prej 450 vjetësh; ka një botim, përmbledhje antologjike estetike dhe kritike të Stefan Çapalikut, që përmbledh 30 studime dhe artikuj kritikë për mendimin letrar të Koliqit; është botuar përmbledhja estetike dhe kritike e përgatitur nga Persida Asllani; ka një botim që përmban mendimin estetik dhe kritiko-letrar të Gjergj Fishtës si dhe një përmbledhje tjetër antologjike të mendimit filozofik psikologjik dhe sociologjik shqiptar, që përfshin periudhën 1870-1945, përgatitur nga Ndriçim Kulla, pa përjashtuar disa përmbledhje të albanologut të mirënjohur italian, At Zef Valentino, për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare. Studiuesi i Qendrës Albanologjike, Muhametaj, ka ngritur problematikën se këto botime kanë nevojë të specifikohen, pra të dalin antologji që kanë lidhje sipas autorëve, nëpër fusha të ndryshme të mendimit sociologjik, politik, psikologjik, kritik apo letrar.
Ajo që është pohuar dje në konferencën për elitën e viteve ’30 ka të bëjë me trashëgiminë e tyre, e cila sapo ka dalë në dritë, por që në arkiv mendohet të ketë pasuri kolosale të pazbuluar, të pambledhur, për të cilat mungon jo vetëm interesi, por edhe aparati shkencor për botimet e tyre. Si njohim Kadarenë, të njohim dhe Mit’hat Frashërin, siç njohim Agollin të njohim dhe Branko Merxhanin - kjo dilematikë ka qenë provokuese dje, aq dhe dilematike për të ardhmen se si mund të sistemohet dhe të penetrojë nëpër shkolla kjo elitë e mendimit shqiptar.
Arkiv/ “Questione nazionalee questione catholica” - është traktati ideologjik, filozofik dhe teologjik shkruar nga At Gjergj Fishta. Del për herë të parë në dritë nga Shaban Sinani, ish-drejtor i Arkivit të Qendror të Shtetit
Slogani i françeskanëve
Zbulohet trakti që shkroi Fishta
Me signaturën: Fondi 17, dosja 18, pa vit, por që i përgjigjet fondit emëror të Gjergj Fishtës nga Arkivi Qendror i Shtetit, dje, ka dalë në dritë për herë të parë se ekziston një traktat ideologjik, filozofik, dhe teologjik i shkruar nga At Fishta, por i panjohur deri tani.
Me emërtimin “Questione nacionale e questione catholica”, dorëshkrimi ruhet në AQSH. Kurse njohjen me këtë dokumentacion të rëndësishëm manifestues, dje, e ka bërë të ditur ish-drejtori i AQSH-së, Shaban Sinani. Në konferencën shkencore “Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe” mund të thuhet se ka qenë befasi dorëshkrimi i panjohur i At Gjergj Fishtës. Sinani këtë zbulim e ka lidhur me fretërit françeskanë shqiptarë, të cilët kanë pasur një mjedis kulturor të përbashkët, një kryeqendër veprimi (Shkodrën), një tribunë shprehjeje (“Hylli i Dritës”), një mjeshtër përmes të cilit mund të identifikoheshin, At Gjergj Fishtën, dhe një slogan që u shërbente si parim moral për “Fe e atdhe”, duke krijuar kështu lëvizjen dhe shkollën e mendimit, e shndërruar në faktor të raportit të besimit me vetëdijen kombëtare.
Informacioni që ka sjell Shabani sigurisht mbështet mbi shfrytëzimin e dokumentit që ka gjetur në arkiv, ku na bën me dije se autori nisi ta shkruante në vitin 1914, duket e quajtur një vepër të mbaruar në vitin 1924.
“Dorëshkrimi përmban rreth 30 faqe tekst autograf, mbi të cilin vetë autori herë pas here ka bërë ndryshime dhe saktësime. Teksti bazë është shkruar me sa duket brenda një kohe të shkurtër, brenda të njëjtit kontekst historik-kulturor. Është shkruar tërësisht me një kaligrafi mjeshtërore, shprehje e qetësisë, maturisë dhe e bindjes së autorit në çka po shkruante. Asnjë shenjë shqetësimi psikologjik nuk vërehet në sizmografinë e shkrimit. Mbiteksti, që është i së njëjtës dorë, është në formën e anëshkrimeve, shtesave dhe rrallë edhe të qortimeve. Mbiteksti duket se është ndërkohor, çka mund të merret si provë se At Gjergj Fishta e ka rimarrë disa herë në duar studimin e tij. Sa i takon mbitekstit, ky shpreh një gjendje psikologjike më pak të qetë”, - na njohu Sinani përmes kumtesës së tij “Besimi dhe kombësia në një vepër të pabotuar të At Gjergj Fishtës”.
Njihemi se dorëshkrimi është i një formati më të madh se letra e përmasave zyrtare, me fletë të numërtuara recto e verso nga vetë autori. “Është letër e vijëzuar dhe e mbushur me tekst edhe në bardhësitë e lëna si të tilla në fillim prej tij. Përveçse nga autori i kësaj trajtese, dorëshkrimi është përmendur edhe nga prof. Ali Xhiku, në studimin e tij “Letërsia shqipe si polifoni”, për aq sa ka qenë në interesin e atij studimi, kryesisht për verifikimin e përmbajtjes së besojmës (kredos) poetike të Fishtës, të shprehur në sintagmën e pandashme “Fe e Atme””. Sipas Sinanit, ky tekst dëshmohet se është këshilluar dhe nga studiues të tjerë, vendës dhe të huaj, por për tri periudha është mbajtur në heshtje, që kanë të bëjnë me para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe në dy dekadat e fundit. Tani studiues pranë Institutit të Gjuhësisë, Shaban Sinani hedh dritë mbi shenjat e para të një analize tekstuale duke na thënë se “duke u nisur prej gjuhës në të cilën është shkruar, italishtes, mund të mendohet se At Gjergj Fishta e shkroi këtë tekst si një relacion për Pontifikatin, për të bërë të njohur gjendjen demofetare në Shqipëri menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar”. Por ajo që konkludon Sinani është se ky dorëshkrim i përmban të gjitha cilësitë e një relacioni si: përshkrimin realist të gjendjes, parashikimin e asaj që mund të ndodhë me shqiptarët pas ndarjes nga ish-perandoria osmane dhe disa këshillime se si mund të faktorizohet katolicizmi për të rikthyer autoritetin e vet në Ballkan, si në periudhën paraosmane e njëherësh si mund t’u vlejë shqiptarëve kjo situatë e re për të evropianizuar mendimin, orientimin dhe kulturën e tyre. Por ajo që lë në mëdyshje studiuesin është fakti nëse ky dokument është një konceptin e një relacioni, memorandumi apo traktati filozofik-politik.
Sinani pohon se “nuk përjashtohet fakti se mund të ketë qenë vërtetë një “memorandum” si kujtesë për Lidhjen e Kombeve, që çështjen shqiptare ia delegoi Konferencës së Ambasadorëve dhe kjo e fundit i njohu disa të drejta protektorati Italisë mbi Shqipërinë, të shënjuara mbi një dokument tashmë të botuar nga studiuesit e historisë pikash, sipas të cilave Italia do të ishte garante e sigurisë së jashtme të Shqipërisë, mbrojtëse e sovranitetit të brendshëm të saj, kontrolluese e sigurisë së qeverisjes - çka shkaktoi një refuzim kategorik të vendeve ballkanike, deri në atë shkallë sa Shqipëria të shpallej një territor ekstraballkanik dhe të mos ftohej në konferencat e federimit të rajonit. Ka një lidhje logjike mes dy fakteve: përderisa Roma e kishte këtë paketë privilegjesh ndërkombëtare mbi Shqipërinë, nuk ishte e tepërt që t’i bëhej një përkujtesë që edhe faktori fetar mund të mbahej në konsideratë në gjithë veprimin e saj”.
Për ta vërtetuar këtë realitet historik, nëse ka ekzistuar ashtu siç hamendësohet - që iu përcoll ndonjë instance zyrtare, si Selisë së Shenjtë, apo Lidhjes së Kombeve - studiuesi shprehet se ende nuk kanë gjetur përgjigje dëshmuese, bindëse.
Teksti është në gjuhën italiane dhe sipas Sinanit, ngurrimi i autorit për ta botuar në shqip, kur i ka pasur të gjitha mundësitë, shkon kundër një arsyetimi; se kjo letër mund të jetë drejtuar ndonjë shqiptari.
“Fishta ishte klerik, ndryshe nga Konitza dhe Schiro, që si njerëz laikë mund të futeshin më me vështirësi në rrethin e keqkuptimit të qëllimshëm, nëse i referohemi asaj shkalle tolerance që shpërfaqej në atë kohë në vijim të romantizmit homogjenizues. E vërteta është se 7-8 dekada më vonë, në truallin e një popullsie të ardhur prej ateizmit, idetë e rikrishtërimit vunë në qendër të goditjes edhe shkrimtarin I. Kadare. Për të gjitha këto arsye jemi të prirur ta trajtojmë këtë dorëshkrim si një traktat historik-filozofik për raportin midis kombësisë dhe besimit tek shqiptarët”.
Duke hedhur dilemën konceptuale pse ky dokument është traktat, Sinani na vëren se aty problemet shtrohen në mënyrë parimore, dhe zgjidhjet propozohen në mënyrë paradigmatike.
Analizën mbi këtë tekst studiuesi e lidh me studimin e Fishtës, ku ai përshkruan “ndërkohësisht dhe bashkëkohësisht gjendjen demofetare në Shqipëri, më saktë në gjithë hapësirën shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovën. Ai e sheh ardhjen e besimeve alternative në Ballkan si një dukuri historike, gjë që i përgjigjet së vërtetës. Jo vetëm si një dukuri historike, por edhe si një kushtëzim politik e gjeopolitik”.
Duke iu referuar dokumentit Sinani, na thotë se pikëpamjet e Fishtës mbi besimin ndër shqiptarët me traditë krishterimi që prej kohëve apostolike, duke e konsideruar këtë të cekët dhe se “shkëputja e lidhjeve të faltoreve myslimane me kalifatin, apo pavarësia e xhamisë së besimtarëve shqiptarë, e shpallur në vitin 1923 , do të favorizojë rikrishtërimin masiv të popullatës. Sipas parashikimit të Fishtës, kjo do të ndodhë “brenda dy, të shumtën tre brezave”, sepse bashkatdhetarët e tij “nuk mund të qëndrojnë të patundur” edhe më tej”.
Në dokument e gjetur nga Sinani vihet në dukej se pavarësia e Shqipërisë, sipas mendimit të Fishtës, e favorizon veprimin katolik në vend, dhe kjo do të mundësojë jo vetëm një shpërfaqje të vetëdijes zanafillëse evropiane të popullit shqiptar, por edhe homogjenizimin e tij tërësor, sepse të njëjtin proces do ta ndjekin edhe rreth 800 mijë shqiptarë myslimanë në Jugosllavi, të cilët, të shkëputur prej khalifatit dhe të papajtueshëm me skizmatikët serbë, me siguri dhe “me ndihmën e Zotit”, do të gjejnë si rrugën më të mençme bashkimin me rrjedhat besimtare të vëllezërve të tyre në Shqipërinë e pavarur. Mendimi i Fishtës shkon edhe më tej - na thotë Sinani. “Ai parasheh edhe riungjillizimin e boshnjakëve dhe nuk e përjashton një veprim katolik me karakter strategjik që përshkon gjithë Ballkanin, deri në qendrën e krishterimit të ritualit bizantin. Në vijë logjike kjo pajtohet me qëndrimin që mbajti Selia e Shenjtë në vendimmarrjen ndërkombëtare për caktimin e kufijve të Turqisë kemaliste-republikane, duke luajtur një rol përcaktues, për shumëkënd të pakuptueshëm, që Konstantinopoja dhe rrethinat, bashkë me Selinë e Patriarkanës së Stambollit, t’i mbeteshin asaj si territor”.
Sinani thotë se në dorëshkrimin e Fishtës, në mënyrë traktative, këshillohet se si duhet të jetë veprimi katolik jo vetëm midis popullsive myslimane në Shqipëri e në Ballkan, por edhe midis të krishterëve të “vijës së gabuar”, duke përthirrur një ndërmarrje me karakter gjeofetar, gjeostrategjik dhe gjeopolitik, si pikënisje e së cilës mund të shërbente Shqipëria, si vendi i besimeve të mbishtresuara. Duke mos na dhënë të plotë tekstin, por vetëm përmbajtjen e saj, studiuesi Sinani i referohet faktit se Fishta, në dokumentin e gjetur, nuk mungon të evokojë aksione të ngjashme në rrjedhat e historisë që kanë ndjekur drejtimin prej Evropës drejt Lindjes, duke përfshirë bëmat e Aleksandrit të madh dhe ekspeditat e tij deri në Lindjen e Largme, si një inkurajim për veprime të ngjashme bashkëkohore.
Por a ishte ky traktat, i njohur edhe me titullin “I cattolici e la questione albanese”, në mënyrë të thjeshtuar, shprehje e një ëndrre besimtare të At Gjergj Fishtës? Nga kjo pyetje që ngre Sinani vijnë edhe argumentet që e kanë çuar drejt përfundimit se “brenda frymës së dorëshkrimit gjendet jo vetëm preluti i një rendi kishtar, por edhe mendimtari laik shqiptar”. Pra sipas Sinanit ky dokument, sipas një përkufizimi terminologjik mund të ketë shërbyer si traktat por që nuk e lë jashtë edhe idenë e funksionit të një relacioni dhe të memorandumit. Duke iu referuar fryma së përgjithshme të këshillimit apo porosisë së autorit Sinani thotë se është një “letër” gati-gati si një “provokim politik” drejtuar Selisë së Shenjtë, për të rritur vëmendjen e saj ndaj Shqipërisë si e tërë, pavarësisht prej përbërjes heterogjene fetare (dhe jo vetëm për pjesën e të krishterëve romanë). Në themel të këtij traktati qëndron ideja se Shqipëria, Ballkani dhe popujt e tij, duke qenë historikisht të krishteruar shumë herët, mund të rikthehen në rrugën e zhvillimit evropian përmes një veprimi fetar rikrishtërues. “Kjo mund të lexohet si një thirrje drejtuar Pontifikatit që të mos mjaftohet me dërgimin e vizitatorëve apostolikë dhe të misionarëve të tjerë në atë pjesë të vogël të Shqipërisë që kishte popullsi të krishterimit roman, por ta shihte gjithë popullatën shqiptare si potencialisht të krishterë dhe të rriste interesimin e saj për gjithë territorin shqiptar. Nuk ishte vetëm Fishta që mendonte se Shqipëria e viteve dhe dekadave të para të pavarësisë nuk mund të bënte përpara pa mbështetjen e një fuqie të madhe”. Sinani kujton se qysh në vitin 1892, Crispi pati përgatitur një dosier në formën e platformës politike dhe gjeopolitike për të bindur shtetin italian që të merrte përsipër protektoratin mbi një Shqipëri të ardhme të pavarur, duke llogaritur jo vetëm kundërveprimin osman, por edhe ambiciet dhe xhelozinë austro-hungareze, platformë që edhe sot e kësaj dite gjendet në kushte rezervimi.
Përgatiti: Violeta Murati
Tezat e traktatit të At Gjergj Fishtës
Studiuesi Shaban Sinani hedh dritë mbi disa teza që përmban dokumenti i gjetur në Arkiv, shkruar e shprehur prej At Gjergj Fishtës, ku shkurtimisht janë: “Teza themelore e këtij traktati është se krishterimi roman ka qenë besimi autokton i ilirëve dhe shqiptarëve, i bullgarëve dhe i një pjese të madhe të sllavëve. Me shembjen e ish-perandorisë osmane, Ballkani duhej të ndahej jo vetëm politikisht, por edhe nga ana fetare, prej “dukurisë së ardhur”. Autori mendon një aksion rikrishterimi jo vetëm të myslimanëve, por edhe të skizmatikëve, duke iu referuar “fesë së parë”, “atdheut të parë”. Traktati në thelb është vijim i mitit të prejardhjes, që u formua qysh gjatë Rilindjes Kombëtare. Sipas Fishtës, duhet të ketë një veprim katolik në vijë horizontale, mes për mes Ballkanit, për të rivendosur ekuilibrat tradicionalë të historisë, në emër të besimit autokton, si pjesë e mitit të autoktonisë që qe shqiptuar qysh në periudhën rilindëse. Ai mendon se krishterimi perëndimor dhe në radhë të parë Roma e Selia e Shenjtë nuk duhet të kenë dy shkallë vëmendjeje për shqiptarët: një për të krishterët romanë dhe një për të tjerët, por vetëm një shkallë të përgjithshme e të njësuar, sepse shqiptarët potencialisht janë që të gjithë të krishterë, ose mund të bëhen të tillë”.