E djathta në bllok: Votoni për ndryshimin
Drejtuesit e partive të djathta gjatë takimeve të djeshme elektorale kërkuan votat e shqiptarëve për vazhdimin e reformave të nisura nga koalicioni qeverisës. Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim në zonën elektorale numër 52 në Tiranë. Në prezantimin e kandidatit për deputet Besnik Bisha, kryerepublikani tha se arritjet e këtyre 4 viteve janë arritjet e të gjithë shqiptarëve, të cilët votuan në 2005-n për koalicionin e djathtë. Mediu deklaroi se të qenit anëtarë të një aleance të madhe dhe të fuqishme, siç është NATO, sjell para nesh sfida dhe përgjegjshmëri të reja. Ne jemi në rrugë të mbarë në rrugën pa kthim pas. Kurse në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Bashkimit Liberal Demokrat, në njësinë nr. 9 në kryeqytet, kreu i kësaj force politike, Arian Starova, foli për programin dhe synimin e liberaldemokratëve për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ai vlerësoi rezultatet e kësaj mazhorance dhe rolin e liberaldemokratëve si pjesë e ndryshimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, zhvilloi disa takime me mbështetës e simpatizantë të kësaj force politike në Prezë. Duke u ndalur në programin politik të Lëvizjes së Legalitetit, Spahia u bëri një thirrje emigrantëve për kontributin e tyre, duke i cilësuar ata si një pjesë e rëndësishme e jetës politike në vend.