E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeqi Agolli: Ju tregoj vitet e mia në paradhomën e Enver Hoxhës

Intervista e ish-diplomatit të njohur të Shqipërisë komuniste dhe sekretarit të parë të Enver Hoxhës hyn sot në një pikë tepër interesante. Zeqi Agolli rrëfen pikërisht për momentet kur gjatë kryerjes së detyrave të tij në Dibër të Madhe i qenka rrezikuar jeta për çaste sekondash, ndërkohë që Haxhi Lleshi ka urdhëruar që në vend të tij në betejën që kërkonte jetën e tyre të caktonte një kushëririn e afërt të tij. Ndërkohë, rrëfimi i Agollit vijon në ditët e para të çlirimit, kur ai u rikthye në Tiranë një ditë para se qeveria e parë komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha të vinte nga Berati. Por Enver Hoxha me gjithë zhurmën e madhe që ka pasur rreth vetes në ato çaste triumfi, nuk ka harruar të rikujtojë njeriun që i kishte kthyer shtëpinë në bazë të fuqishme, ku ishte strehuar pak kohë më parë se të largohej nga Tirana. Kështu, ai i caktoi detyrën e sekretarit të tij personal, gjë që e bëri Agollin të ndërpriste funksionin e lartë të caktuar dhjetë ditë më parë nga vetë Koçi Xoxe. Kështu, pas propozimit të Enver Hoxhës ai do të kishte shansin e madh që së bashku me kryeministrin komunist të hynin të parët në kryeministrinë e pas luftës. Gjithçka rreth atyre momenteve të çuditshme të atyre ditëve i rrëfen vetë 90-vjeçari Zeqi Agolli.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Zeqi. Ndërsa më rrëfenit nga numri i kaluar për detyrat tuaja të kohës së luftës në zonën e Dibrës së Madhe më thatë pak më lart se jua paska shpëtuar jetën Haxhi Lleshi. Mund të më sqaroni disi hollësisht se si ka ndodhur në të vërtetë?
Është shumë e vërtetë një gjë e tillë. Flitet për një situatë të tmerrshme: ajo në të cilën është zhvilluar beteja për të cilën ju kam thënë se jeta ime ishte e humbur në mënyrë të padiskutueshme. Ka qenë një nga betejat më rrëqethëse që është zhvilluar në Dibrën e Madhe. Ishte nëntori i vitit 1944. Reaksioni i Dibrës ishte bashkuar me gjermanin dhe sulmuan furishëm Dibrën. Ishte një luftë për jetë a vdekje që zgjati katër ditë e katër net. Po ju flas për momentet kur beteja kishte arritur kulmin e vet. Gjithçka ishte kthyer në flakë e zjarr. Breshëritë e armëve automatike dhe shpërthimet e granatave dhe bombave të dorës vazhdonin me një intensitet të jashtëzakonshëm. Në atë situatë tepër dramatike për forcat tona, të cilat ishin shumë të pakta në numër përballë atyre të armikut, Haxhi Lleshi aty për aty mendoi një plan të veçantë. Atij i pillte mendja shumë për metoda efikase gjatë zhvillimit të luftimit.
Çfarë metode?
Ne kishim një autoblindë që ia kishim kapur divizionit "Firence" një javë më parë se të shpërthente ajo betejë. Shoferi i saj ishte italian. Haxhi Lleshi mendoi që autoblindën ta niste në drejtim të pikës më kyçe të fronit, që ishte pikërisht Ura e Spiles që i thonë. Në autoblindë do të ishin shoferi që ishte italian, një mitraljer i rëndë që isha unë, një mitraljer i lehtë dhe një pushkatar.
Autoblinda me këta persona mbi karrocerinë e saj, të cilët do të vazhdonin zjarr të pandërprerë, do të nisej me shpejtësi rrufe drejt urës në fjalë, ku dhe ishte formacioni më i fuqishëm gjerman.
Ju, hipët në autoblindë?
Fillimisht hipa, por, më mbrapa Haxhi Lleshi urdhëroi të zbrisja menjëherë dhe më zëvendësoi me kushëririn e tij.
Pse ju zëvendësoi?
Sepse Haxhi Lleshi e dinte shumë mirë që ata të gjithë do të vriteshin dhe s'kishte si të ndodhte ndryshe që të kishte shanse të shpëtonte një autoblindë me katër-pesë veta mbi karroceri, përballë formacioneve të fuqishme të gjermanëve, të cilët ishin të mbështetur fuqishëm me artileri.
Po atëherë, përse do të nisej autoblinda, kur ju e dinit që do të vriteshit?
Autoblinda duhej të nisej me patjetër për të treguar forcë. Ishte një manovër mashtrimi, pasi gjermanët nuk e dinin nëse do të kishim një apo disa autoblinda, kështu që me gjithë asgjësimin që do t'i bëhej, ata do të hynin goxha në panik. Këto janë truke apo manovra të luftës, për të cilat mendja të shkon vetëm kur gjithçka që ke përpara është përfshirë nga zjarri i breshërisë së plumbave.
Dhe në të vërtetë u asgjësua?
Patjetër. Ajo u nis me shpejtësi në drejtim të urës, ndërsa mbi të u drejtua gjithë artileria e rëndë gjermane. Nga ata që ishin mbi të mbeti i plagosur rëndë njëri, ndërkohë që shpëtoi rastësisht dhe një tjetër.
Cilët ishin ata që hipën në atë autoblindë që po ikte drejt vdekjes dhe kryesisht si quhej kushëriri i Haxhi Lleshit që të zëvendësoi ty, pra që ta them më shqip, të cilin e dërgoi drejt vdekjes?
Kushëriri i Haxhiut që më zëvendësoi mua quhej Hamdi Lleshi. Mitraljer i lehtë u caktua Mete Duka, i cili për fat mundi të shpëtonte i gjallë. Pushkatar u caktua Irfan Qylafku. Ishte dhe shoferi italian. Nga këta mbeti i vrarë Hamdi Lleshi dhe shoferi italian. I plagosur rëndë mbeti Irfani dhe ai që shpëtoi ishte Mete Duka.
E mësuat se përse Haxhiu të ndërroi me kushëririn e tij, i cili u vra menjëherë?
Haxhiun e kam pyetur vetëm pas luftës se përse e bëri një veprim të tillë, që në atë betejë më kishte zbritur nga autoblinda në momentin më deciziv. Ai më shpjegoi se së pari unë isha djalë i vetëm në shtëpi dhe e dyta, isha njeri i rëndësishëm dhe me përgjegjësi në atë zonë, kështu që nuk kishte si më dërgonte drejt vdekjes, pasi i duhesha luftës më shumë se dikush tjetër.
Kur u rikthyet në Tiranë pas detyrave që ju ngarkuan për të shkuar në Peshkopi?
Menjëherë mbas çlirimit më erdhi transferimi për të ardhur në Tiranë. Kështu bëra, u nisa menjëherë.
Sa kohë kishit të larguar?
Kisha ikur në shtator të '44-ës dhe tani ishte nëntori i '44-ës. Pra, kisha tre muaj që isha larguar.
Kur arritët në Tiranë?
Ka qenë tamam dita 27 nëntor, kur unë kam hyrë në Tiranë. Kam shkuar te nëna me një mall të patreguar. Ajo më kishte djalë të vetëm, ndërkohë që ishte me burrë të vdekur dhe ato tre muaj te unë e kishte mendjen orë e çast. Me të vërtetë që ishin tre muaj ato që unë isha larguar nga shtëpia, por mos harro se ishin tre muaj në front të luftës me gjermanin dhe nuk ishte shaka, prandaj ishte normale që mendja e saj ishte vetëm te unë.
Sa vjeçe ishte nëna juaj atëherë?
Ka qenë 40 vjeçe.
Pra, ju hytë në Tiranën e çliruar në 27 Nëntor 1944, apo jo?
Atë ditë e mbaj mend shumë mirë, se pikërisht të nesërmen ka hyrë aty Qeveria e re Demokratike siç e quajtëm, e cila mbërriti nga Berati.
Ju patë Enverin që parakaloi në revistë para popullit në ditën e parë?
Patjetër, unë kam qenë aty, por më shumë m'u bë qejfi që Enveri nuk na kishte harruar aspak, as atëherë dhe as herë tjetër, sepse gjatë gjithë jetës mbajtëm marrëdhënie të ngrohta familjare. Më mbrapa, pavarësisht punëve të shumta që ka pasur, ka gjetur kohën të na bëjë edhe vizita në shtëpi, kryesisht në festa familjare, siç ka qenë për shembull 50-vjetori i ditëlindjes sime, por edhe na ka ftuar familjarisht në shtëpinë e tij. Ndërkaq, një interes ka treguar duke mbajtur kontakte me ne edhe nëpërmjet letrave. Herë pas here, sidomos në raste të veçanta familjare kur nuk mundej të vinte, nuk hezitonte të na shkruante me dorë gjerë e gjatë.
Pse thoni që nuk ju harroi, kur jemi në ditën e parë si ai hyri në Tiranë në krye të qeverisë së porsaemëruar?
Sepse pa shkuar akoma në zyrë ai mendoi për emrin tim.
Nuk ju kuptoj. Enver Hoxha erdhi në Tiranë në mes të asaj zhurme dhe në mes të atij stresi, që megjithëse kthehej fitimtar duhet të pranojmë që kishte kokëçarje të madhe për të arritur te objektivat që ai i kishte vënë vetes. Si u kujtua për juve?
Sepse pa shkuar akoma në zyrën e tij të parë, ai mendoi që shefin e zyrës apo sekretarin personal të tij (apo shef i kabinetit, quaje si të duash, se njëlloj ishte dhe se një person ishte për të gjitha detyrat), të më caktonte mua. Pra, kaloje paksa në mendjen tuaj situatën: Kur Enver Hoxha nuk ishte ulur akoma në karrigen e tij të kryeministrit apo më mirë të themi të kreut të shtetit, mendoi që të hynte për herë të parë, duke më mbajtur mua nga krahu.
Jeni i saktë për këtë fakt? Pra, e kam fjalën, që me të vërtetë ishit personi i parë që ai përzgjodhi si njeriun e vet më të afërt?
Jam shumë i saktë, se në të vërtetë ndodhi tamam kështu si po të them.
Mund të ma shpjegosh më konkretisht?
Patjetër. Ju thashë që të nesërmen e ditës si unë mbërrita në Tiranë, pra më 28 nëntor, hyri me shumë bujë dhe ovacion dhe triumfalisht qeveria e parë në Tiranë. Kur kishin mbaruar momentet ceremoniale udhëheqja u vendos në hotel "Dajti", i cili ishte hoteli më modern i kohës i ndërtuar nga italianët. Ata vendosën që aty të flinin dhe aty të hanin duke regjistruar emrat në borderonë e veçantë që mbante drejtoria për të dëmshpërblyer më mbrapa si të caktonin pagat, të cilat janë marrë vetëm pas gjashtë muajsh pune. Siç duket, që andej u vendos edhe ndarja e institucioneve me të cilat do të kryente funksionet shteti i ri i pasluftës. Kryeministria ishte vendosur të funksiononte te godina ku sot është Ministria e Ekonomisë, ndërkohë që Komiteti Qendror i Partisë u vendos te godina që më vonë shërbeu për pionierët dhe u quajt "Pallati i Pionierit", që sot me sa kam mësuar së fundmi është pronë që i është kthyer familjes mbretërore.
Dhe juve ku ju caktuan?
Më dërgojnë haber se më kërkonte Koçi Xoxe, i cili në atë kohë ishte Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të Partisë.
E njihnit Koçi Xoxen?
Koçi ishte i vetmi njeri që gjatë luftës nuk e kisha njohur fare.
Edhe Koçi në hotel "Dajti" qëndronte?
Po, po, aty. Aty ishin të gjithë. Fillimisht punonin aty. Pastaj dalëngadalë filluan të merrnin zyrat e punës sipas funksioneve që kishin. Në orët e ngrënies zbrisnin nga dhomat apo ktheheshin nga zyrat e punës dhe shkonin në restorantin e hotelit, ku iu vinte menyja që porosisnin dhe faturat arkivoheshin për t'u paguar më mbrapa si të caktoheshin rrogat. Ju thashë që rrogat e para si u çlirua Shqipëria janë marrë vetëm pas gjashtë muajsh pune. Kështu, që të vijoj logjikën e asaj që po të tregoja, siç të thashë, sa mora porosinë se më kërkonte Koçi shkova menjëherë në hotel "Dajti".
Ku e gjetët?
I shkova në dhomën e tij. Fillimisht e mori në telefon sportelisti dhe i tha që sipas porosisë së tij kisha mbërritur unë. Ai i tha që të ngjitesha lart në dhomë të gjumit. Aty kishte dhe një tavolinë të rrumbullakët, ku porosiste ndonjë kafe për dikë që i bënte vizitë. Kështu bëri dhe me mua. U ulëm në këndin e dhomës, ku kishte vendosur tavolinën. Fillimisht, sipas rregullave të mirësjelljes, ai më bëri një hyrje të shkurtër duke më pyetur për shëndetin dhe si i kisha nga shtëpia. Kjo ishte thjesht për të hyrë në tepër të bisedës se pastaj vazhdoi:
- Shoku Zeqi. Juve jeni caktuar të punoni në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Mund t'ju them se ky vendim është marrë pas një vlerësimi të veçantë për ju. Besoj se do ta justifikosh besimin e krijuar?
- Patjetër, - ia ktheva, - është vërtet nder për mua.
Që të mos e zgjas më tepër se s'ka shumë rëndësi, menjëherë si m'u komunikua detyra që më ishte ngarkuar apo si të ta shpreh më qartë, që sa m'u komunikua puna ku do të punoja tashmë me pushtetin e ri, u largova menjëherë nga takimi me Koçin. Pra, siç e shikon, ai ishte vetëm një takim komunikimi dhe njohjeje dhe kaq. Kur dola, mësova se emri me anëtarët e aparatit të Komitetit Qendror, në të cilën isha dhe unë, ishte regjistruar në drejtorinë e restorant "Dajtit" për t'u trajtuar me ushqim. Pse ta fsheh, u ndjeva shumë i entuziazmuar, për faktin se isha vlerësuar shumë.
Trajtoheshit në tavernën e hotel "Dajtit" si personat më të rëndësishëm të shtetit?
Patjetër. Ishte vërtet vlerësim për mua, pasi nuk ishte fjala për trajtimin, por për respektimin e personit tim në radhët e njerëzve të përzgjedhur që në fillim në administratën e shtetit të ri, që do të ndërtohej tashmë që kishim shporrur pushtuesit nazifashistë.
Po ju sikur thatë që në fillim keni punuar si shef i kabinetit të Enver Hoxhës?
Është shumë e vërtetë dhe unë atë jam duke të treguar, rrugën se si arrita deri te paradhoma e Enver Hoxhës. Këtu dua të të them në parantezë, se në Aparatin e Komitetit Qendror nuk ndenja më shumë se dhjetë ditë. Unë ta fillova shpjegimin disi me hollësi, pasi në ato ditë kishte vetëm momente që fluturonin vrullshëm. Jeta ishte shumë e ndezur. Gëzimi i çlirimit të Shqipërisë shpërthente në buzëqeshjet e njerëzve, por ky entuziazëm ishte i pështjellë edhe në përpjekjet galopante për të filluar sa më shpejt funksionimin shteti i ri, i cili së pari kërkonte përfaqësuesit e administratës. Kështu, që të vijoj ku e lashë bisedën, si u emërova nga Koçi, fillova të trajtohesha në hotel "Dajti". Të nesërmen si më ishte komunikuar emërimi, shkova në aparatin e Komitetit Qendror, i cili siç ta shpjegova edhe më parë ishte vendosur te godina ku më vonë u bë "Pallati i Pionierit", apo godina ku tashmë jeton familja mbretërore.
Mbani mend në atë ditë të parë në aparatin më të rëndësishëm të shtetit të asaj periudhe se kush ishin njerëzit e parë me të cilët ju punonit?
Mbaj mend që ishte Josif Pashko, Vaskë Koleci etj.
Le të mos zgjatemi më tepër në këtë subjekt, por të kalojmë menjëherë te çështja që jemi të interesuar. Doja t'ju pyesja atë që nisa që në fillim të kësaj bisede zoti Agolli, se si ndodhi që ju përfunduat në paradhomën e Enver Hoxhës?
Unë jo vetëm përfundova në paradhomën e Enverit si Drejtor i Kabinetit të tij, por isha edhe personi që e shoqërova atë pikërisht në momentin kur ka hyrë për herë të parë në zyrën e tij. Pra, në kryeministri kemi hyrë njëkohësisht të dy bashkë, madje të kapur për krahësh.
Si u zhvillua ngjarja që u emëruat?
Unë, siç të thashë punoja në aparatin e Komitetit Qendror. Kisha rreth dhjetë ditë që kisha filluar punë. Shkoja në mëngjes dhe ikja në darkë. Kërkohej shumë kohë për të vënë gjërat në vijë. Drekën siç ta përmenda e hanim te hotel "Dajti", ku shkonin të gjithë personalitetet më të larta të shtetit të ri, që kishte vetëm pak ditë që funksiononte.
Atë ditë që u emërova ndodhi kështu:
Si kisha aty te dhjetë apo dymbëdhjetë ditë punë në zyrën time në selinë e Komitetit Qendror të Partisë, kur kishte ardhur dreka, pra ora mund të ketë qenë te 14-14.30, shkova të drekoja te restoranti i "Dajtit". Sa hyra shikoj që nja dy tavolina më tutje ishte ulur për të drekuar vetë Enver Hoxha. Ndodhte shpesh ato ditë që hanim aty, që të ndesheshim me Enver Hoxhën, i cili ose na gjente ose e gjenim duke ngrënë, por që bënim një salutim së largu dhe vijonim punën tonë që të mos e bezdisnim. Kështu, atë ditë ndërsa u ula në tavolinën që gjeta të lirë dhe si porosita kamerierin të më sillte gjellën, kthej edhe një herë kokën për të parë me bisht të syrit nga Enveri, kur menjëherë pashë që ai m'i kishte ngulur sytë për të lënë të kuptohej se diçka do të më komunikonte. Në çastin që unë kthej tërësisht kokën nga ai, vura re që ma bën me dorë që të shkoj pak te tavolina e tij. Ashtu bëra. Në pak çaste isha i ulur në karrigen përballë ku hante ai. Pa e zgjatur dhe pa bërë hyrje të shumta më tha:
- Ç'kemi Zeqi? Si po ia kalon? Unë kam menduar që të mos vazhdosh më aty ku të kanë caktuar shokët, por të fillosh punë në kryeministri. Do të jesh sekretari im. Si thua?
Pastaj, pa pritur përgjigje se ishte i sigurtë që një emërim i tillë nuk kishte si të mos më gëzonte, vijoi:
- Të nesërmen në orën tetë do të më presësh para kryeministrisë, se në atë orë do të vij dhe unë. Dakord?
- Shumë dakord, - i thashë, - jam shumë i gëzuar për vlerësimin.
- Atëherë kështu, - tha, duke më lënë të kuptoj se kishte mbaruar dhe mund të shkoja të drekoja te tavolina që kisha zënë, - takohemi nesër.
- Faleminderit, - i thashë, - mirupafshim.
Të nesërmen, sigurisht, shkuat në orarin e caktuar?
Patjetër. Jo në orën tetë, por që në shtatë e gjysmë. Po rrija në trotuar pranë kryeministrisë, e cila ishte aty ku sot është Ministria e Ekonomisë. Sytë i kisha përqendruar nga bulevardi nga do të shfaqej makina e tij dhe ashtu ndodhi. Saktësisht në orën tetë pashë që vjen makina e tij duke u ndalur përballë derës kryesore anash trotuarit.
Jam kurioz se çfarë makine kishte, pasi me sa po më thua, flitet akoma për vitin 1944, kur Shqipëria kishte vetëm pak ditë që kishte inauguruar çlirimin e vendit?
Ashtu është. Ishte tamam mesi i dhjetorit të vitit 1945. Enveri në atë kohë kishte një makinë "Alfa Romeo". Ishte makinë e paraqitshme dhe e re, që drejtohej prej shoferit të tij Isuf Çoba, një burrë i shkëlqyer që punoi me të deri sa doli në pension.
Si e siguroi?
Ajo ishte pronë e Toptanajve. Nuk e di si e mori shteti i ri, por duhet të ketë qenë sekuestrim.
Kujt i përkiste saktësisht nga Toptanajt?
Saktësisht i përkiste Lika Toptanit.
Le të rikthehemi sërish te subjekti i ndërprerë. E latë fjalën kur erdhi Enveri për në kryeministri, ku ju e prisnit para hyrjes kryesore. Çfarë të tha? Ai zbriti nga makina dhe bëri drejt hyrjes kryesore anë të cilës isha dhe unë. Ndërkohë, u ndal para meje dhe më futi krahun duke më thënë:
- Hajde Zeqi të hyjmë. Unë e ti jemi dy zyrtarët e parë të pushtetit tonë popullor.
Ndërkaq, hymë brenda ku na orientuan në zyrat përkatëse. Ishin në katin e parë.
Pse, për herë të parë futej Enver Hoxha në zyrë?
Në zyrën që duhej të punonte në kryeministri hyri për herë të parë pikërisht në atë moment kur më kishte vënë mua dorën te krahu. Deri atë ditë kishte qenë i pozicionuar te zyra që kishte si Sekretar i Partisë në selinë e caktuar për Komitetin Qendror të saj.
Jam kurioz, si u caktuan zyrat e para të kryeministrisë së asaj periudhe të dhjetorit 1944, kur ju hytë në të me rroba partizane?
Thashë që zyrat tona ishin në katin e parë të godinës ku sot është Ministria e Ekonomisë. Ajo u caktua në atë moment si Kryeministri. Në fillim majtas ishte zyra ime, pra e para majtas. Ngjitur me mua ishte ajo e zëvendëskryeministrit Myslim Peza. Përballë Myslim Pezës ishte zyra e Alqi Kondit, i cili u caktua Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, pastaj vinte një sallon bosh dhe paradhoma ngjitur me të ishte zyra e Enver Hoxhës. Karshi zyrës së Enver Hoxhës ishte salla e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.
Sa kohë ndenjët në atë godinë? Pra, që të kuptohemi, pyetja ka të bëjë me faktin se kur qeveria u vendos në godinën ku si e tillë funksionin dhe sot?
Ndërtesa ku është kryeministria aktuale ishte filluar që nga italianët, por ishte ndërprerë pas kapitullimit. Në kohën që u çlirua Shqipëria, aparati i qeverisë u vendos aty ku të thashë, pra në godinën ku sot është Ministria e Ekonomisë, por ndërkohë rifilloi puna e ndërprerë nga italianët në godinën e kryeministrisë aktuale.
Kur përfundoi godina e re?
Godina e cila funksionon dhe sot si seli e qeverisë përfundoi aty nga fundi i vitit 1945. Pra, në godinën që u vendosëm në fillim, ndenjëm jo më shumë se një vit. Pasi përfundoi nga ne ajo godinë, aty u vendos qeveria dhe prej atëherë deri më sot aty kanë vazhduar të jenë qeveritë shqiptare.
Si ishit pozicionuar me zyrën e Enver Hoxhës në godinën e re?
Në atë godinë zyra e kryeministrit ishte bërë posaçërisht për të dhe jo të modifikohej. Zyra ime ishte paradhomë e zyrës së Enver Hoxhës dhe ashtu vijon të jetë për kryeministrat edhe në ditët e sotme. Që të vije në zyrën e Enver Hoxhës duhej të kaloje së pari në zyrën time. Tashmë, në godinën e re unë nuk quhesha më sekretar, por funksioni im zyrtar ishte Drejtor i Kabinetit të Kryeministrit.
(Vijon nesër)
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›