E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo përgatit festën e ëndrrave: Një dhuratë për tërë Korçën!

SHKRUAN: Irena Vreto 17-05-2011 11:57

Festa e juglindorëve do të jetë e paharrueshme, surpriza dhe të ftuar të shumtë në qytetin e kitarave. Por përgatitjet për festën e korçarëve kanë nisur në kryeqytet. Presidenti i Skënderbeut Agim Zeqo ka bërë një marrëveshje me skenaristin dhe regjisorin e njohur Pandi Laço të cilit i ka besuar gjithçka që nevojitet për një festë të paharrueshme për titullin që vjen pas 78 vjetësh në Korçë. Vetë presidenti Agim Zeqo ka marrë përsipër organizimin me profesionistë të njohur në vend, ndërsa ndeshja në Vlorë do të jetë thjesht mbyllja e kalendarit për korçarët e Shpëtim Duros. Kështu Pandi Laço bashkë me vëllain e tij, Blendi Laço, dhe ky një regjisor i njohur kanë nisur përgatitjet në kryeqytet duke synuar të surprizojnë gjithkënd në stadiumin “Skënderbeu”, aty ku do të zhvillohet dhe festa. Është menduar që festa e madhe të zhvillohet të enjten në mbrëmje me drita, në një aktivitet që do të jetë i pari i këtij lloji që do të zhvillohet në qytetin e Korçës. Ndërkaq drejtuesit e presidencës korçare janë duke menduar si do të hyjë në qytet ekipi. “Ka shumë gjasa, - bën të ditur për gazetën presidenti Zeqo, - që skuadra bashkë me kupën të ndalojë ndoshta në Durrës për të ardhur në Korçë gjatë të enjtes, atëherë kur do të shëtisë nëpër rrugët e Korçës për t’u takuar me banorët e qytetit për të arritur te spektakli i vërtetë me të gjithë lojtarët e këtij Skënderbeu kampion.” Klubi bën të ditur se është duke kërkuar një autobus të hapur për të bërë një festë si ekipet më elitare të globit. Në fakt kërkimet në Shqipëri kanë dështuar, teksa edhe në Greqi nuk ka rezultuar të ketë autobus të hapur, i cili do të merret me qira. Gjithsesi kërkimet vazhdojnë tashmë në Itali. Më pas në stadiumin me drita një dhuratë për Korçën e presidentit të Skënderbeut dhe donatorëve të këtij sezoni do të ndodhë magjia e vërtetë. Përveç drejtuesve më të lartë të FSHF-së dhe shtetit shqiptar, do të ketë të ftuar shumë artistë e këngëtarë, që do të performojnë në stadium.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›