Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo merr pjesë në Forumin e Dytë të Aleancës së Qytetërimeve u mbajt në Stamboll, në datat 06-07 prill
Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo, kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në punimet e Forumit të Dytë të Aleancës së Qytetërimeve, që u mbajt në Stamboll, në datat 06-07 prill. Në këtë Forum, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shteteve të ndryshme të botës, fjala kyce ishin dialogu, toleranca, dhe respekti.
Zëvendëskryeministri z. Pollo, vec takimeve të rëndësishme që pati, mori fjalën në këtë forum. Ndër të tjera ai theksoi se si anëtare e Grupit të Miqve, Shqipëria është përfshirë energjikisht në aksionin e Kombeve të Bashkuara për t’a shndërruar Aleancën e Qytetërimeve në një mekanizëm efikas të nxitjes së kulturës së paqes, të bashkëjetesës e të mirëkuptimit të ndërsjellë mes popujve dhe qytetërimeve, me përqasje e projekte konkrete.
Z. Pollo nënvizoi faktin që qeveria shqiptare, në zbatim të qëllimeve të Aleancës ka ngritur gjithë infrastrukturën e duhur duke miratuar Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit dhe krijimin e Komitetit ndërdikasterial, gjë e cila së bashku me Forumin e Dialogut Ndërfetar në Europën Juglindore, organizuar nga Qeveria e Shqipërisë më 16 janar të këtij viti nw Tiranë u vlerësuan në mënyrë të vecantë nga pjesmarrësit e Forumit.
Zëvendëskryeministri shqiptar, duke shprehur bindjen në domosdoshmërinë e forcimit të urave të komunikimit ndërmjet bashkësive dhe popujve me përkatësi të ndryshme etnokulturore e fetare, theksoi se mbetet përparësi e dorës së parë nevoja e mobilizimit të qeverive, politikëbërësve, liderëve fetarë, segmenteve akademike, si dhe e shoqërisë civile për zhvillimin e inisiativave të përbashkëta, intensifikimin e dialogut të hapur, të sinqertë e gjithëpërfshirës dhe siguroi rolin aktiv të qeverisë shqiptare në këtë drejtim.
08/04/2009