Kryeministri Berisha: Autostrada Lushnje - Fier lidh dy epiqendrat kryesore të Myzeqesë, me një rrugë të standardeve më moderne
- Në 3 vjet e 8 muaj, ne kemi investuar 1 miliardë e 600 milionë dollarë në fshatrat e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne do të investojmë 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të autostradës Lushnje – Fier. Kjo autostradë, ka një gjatësi 21.5 km. Vlera totale e vënë në dispozicion nga qeveria italiane për ndërtimin e saj është rreth 20 milionë euro.
Autostrada është realizuar nga firma e ndërtimit Maltauro & Delma. Në këtë projekt, krahas autostradës me katër korsi, janë përfshirë dhe ndërtimi i lidhjeve midis rrethrrotullimit të Lushnjes dhe kilometrit zero të aksit te ri Lushnje – Fier, ndërtimi i tre mbikalimeve per automjetet, si dhe ndërtimi i pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë realizuar në pjesën e parë nga rrethrrotullimi i Lushnjës deri në rrethrrotullimin e Kolonjës.
Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të kompanisë ndërtuese Maltauro & Delma, etj.
Kryeministri Berisha vlerësoi standardin e ndërtimit të kësaj autostrade, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ajo në lidhjen e dy epiqendrave të Myzeqesë, Lushnjes dhe Fierit dhe në zhvillimin e tyre. “Lushnja bëhet i vetmi qytet me hyrje dhe dalje autostradë me katër korsi dhe ajo e meriton plotësisht atë. Lushnja është djepi i pluralizmit, është një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri falënderoi qeverinë italiane për financimin e këtij projekti madhor. “Ne sot le t’’i shprehim mirënjohjen më të thellë kombit mik italian, qeverisë italiane për bujarinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre viteve të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Autostrada që inauguruam është kontribut tërësor i qeverisë italiane dhe i taksapaguesve italianë”, tha Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se gjatë javëve që vijnë do të nisin edhe 5 projekte të tjera të mëdha në Myzeqe. Së shpejti, fillon rruga Fier – Cakran, rruga Divjakë – Pushimi i Shoferit, rruga Lushnje - Ballagat- Peqin, rruga Kosovë – Belsh, etj.
Duke u ndalur në prioritetet e qeverisë për mandatin e dytë, Kryeministri tha se kjo mazhorancë nuk e kërkon votën thjesht për ato premtime që ka realizuar, por për ato çfarë do vazhdojë të bëjë më tej. “Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myzeqenë, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën sepse, në mandatin e dytë ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri u ndal edhe në krizën ekonomike botërore dhe reagimin e opozitës shqiptare për pasojat e kësaj krize në Shqipëri, duke theksuar se opozita nuk duhet të mbjellë gjithë ditën zi dhe vetëm zi. “Më duhet t’’ju them zotërinjve të opozitës, mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kollagjer që mbillni çdo ditë zi dhe vetëm zi. Është e vërtetë që ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu siç ka premtuar”., theksoi Kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Sot, është një gëzim i madh për mua që, pas aktit më historik në tërë ekzistencën e kombit tonë, anëtarësimit të vendit në NATO, të inauguroj së bashku me ju, autostradën me katër korsi, që lidh dy epiqendrat kryesore të Myzeqesë, Fierin dhe Lushnjen. Tek prisja shiritin, deputeti i zonës suaj më tha se Lushnja bëhet i vetmi qytet me hyrje dhe dalje autostradë me katër korsi. Lushnja e meriton plotësisht atë. Lushnja është djepi i pluralizmit, është një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit.
Ne sot, edhe në emrin tuaj, le t'i shprehim mirënjohjen më të thellë kombit mik italian, qeverisë italiane për bujarinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjatë këtyre viteve të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Autostrada që inauguruam sot është kontribut tërësor i qeverisë italiane dhe i taksapaguesve italianë. Kjo autostradë, prej 20 milionë euro, me 4 kalime, me disa mbikalime për automjete dhe këmbësorë, është segmenti më i ri dhe më modern i rrjetit rrugor të vendit tonë. Kjo autostradë është vetëm një prej dhjetëra e qindra projekteve që janë zbatuar dhe po zbatohen në Shqipëri, me ndihmën e qeverisë italiane.
Zoti ambasador D’Elia, kombi juaj po jeton disa momente të vështira, për shkak të fatkeqësisë natyrore, tërmetit që ka goditur Abruzzon. Duke ju shprehur edhe njëherë solidaritetin e plotë të kombit shqiptar, juve, ambasadës, qeverisë italiane , familjarëve të viktimave dhe kombit mik italian, shpreh bindjen se solidariteti i jashtëzakonshëm që ka motivuar Italinë nga kjo fatkeqësi, vendosmëria e qeverisë italiane, e drejtuar nga miku i shquar i kombit shqiptar, z..Silvio Berluskoni, solidariteti i madh botëror, do të bëjë që pasojat e këtij tërmeti të kapërcehen me shpejtësinë më të madhe.
Zonja dhe Zotërinj,
Ne sot inauguruam një projekt madhor, por ju garantoj se, gjatë javëve që vijnë, 5 projekte të tjera të mëdha do të fillojnë në Myzeqe, në Lushnjë, Fier, në qarkun tuaj. Së shpejti fillon rruga Fier–Cakran, rruga Divjakë–Pushimi i Shoferit, rruga Lushnjë-Ballagat-Peqin, rruga Kosovë–Belsh. Natyrisht, segmenti që lidh qendrën e qytetit me autostradën do të marrë përmasat që meriton. Siç e shihni, mbi 100 kilometrave rrugë të asfaltuara në komunat dhe akset kombëtare të Lushnjës, u shtohen tani edhe rreth 100 kilometra të tjera që do të asfaltohen në rrethin e Fierit. Zotimi ynë është që çdo fshat e komune Myzeqesë të lidhet me akset kombëtare me rrugë të asfaltuara, të standardeve më të mira.
Në këtë mënyrë, ne besojmë se qytetarët e Lushnjes do të zhvillojnë fermat e tyre, do të kapin me shpejtësi tregjet. 2 muaj na ndajnë nga inaugurimi i korridorit shqiptar Durrës-Kukës- Morinë. Myzeqeja është një nga përfituesit më kryesor të këtij korridori. Për ju hapet tregu i Kosovës.
Zonja e Zotërinj,
Ne po ecim drejt mandatit të dytë. Ne nuk kërkojmë votën tuaj për këto që kemi bërë, megjithëse jam i bindur se, për secilin prej nesh, data 4 prill do të mbetet e pashlyer në memorien tonë. Por ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën tuaj sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myzeqenë, ne kërkojmë votën, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën sepse, në mandatin e dytë, ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë. Ne e mbajtëm fjalën tonë, ne u zotuam se në fundin e vitit 2007 e më tej nuk do të ketë më ndërprerje të programuar të energjisë elektrike. Ata që ju thonë se kjo vjen nga shirat, ne u themi se ju mashtroni, sepse në vitin 2008 kemi importuar 2.4 miliardë kilovat /orë energji elektrike, në mënyrë që të mos ndërprisnim furnizimin me energji. Ndërsa në mandatin e dytë, Shqipëria do të shndërrohet në një eksportues madhor të energjisë në Ballkan. Vetëm në këto dy muaj nisin punimet për 20 hidrocentrale, vetëm këto dy muaj nisin punimet për parqet e erës, vetëm këto dy muaj shtohen burimet reja, si termocentrali i Vlorës. Pra, ne kërkojmë votën tuaj për ato që do të bëjmë.
Vëllezër e motra,
Unë kam bindjen se këto 3 vjet e 8 muaj, kanë bindur çdo qytetar të Lushnjës, çdo shqiptar, se kjo qeveri, fshatin e braktisur nga qeveria e mëparshme, e vendosi në qendër të vëmendjes. Ne premtuam dyfishimin e pensionit në fshat. Ju garantoj se nga 1 maji, çdo pensionist në fshat do të marrë një pension 2 herë më të madh se 4 vite më parë. Ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë, sepse ne do të zhdukim përfundimit diferencimin pensionit të fshatit dhe qytetit dhe do të shkojmë drejt barazimit të plotë të pensioneve. Në 3 vjet e 8 muaj ne kemi investuar 1 miliardë e 600 milionë dollarë në fshatrat e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne do të investojmë 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar.
Zonja e Zotërinj,
Bota është përfshirë nga një krizë, ndoshta më e madhja në historinë moderne. Natyrisht, pasojat e saj pasqyrohen kudo. Por, më duhet t’ju them zotërinjve të opozitës, mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kollagjer që ndillni çdo ditë zi dhe vetëm zi. Është vërtetë që ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu siç ka premtuar, për të dyfishuar pensionet tuaja në 1 maj dhe për të dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, për të filluar të gjitha projektet që shpalla këtu para jush.
Zotërinj opozitar, mos harroni se, në rast se Shqipëria e mbylli vitin 2008 me rritjen më të madhe në Europë, e mbylli në sajë të politikave të drejta të kësaj qeveria, kundër të cilave ju votuat non stop vazhdimisht në Parlament. Bëhuni shembull që të besoheni. Nëse doni të kontribuoni në parandalimin e pasojave të krizës, ulni taksat dhe tatimet për bashkitë që qeverisni. Nga njëra anë kryetari i PS dhe njëkohësisht kryebashkiaku, bërtet për krizën, nga ana tjetër ka katërfishuar taksën e gjelbërimit dhe del e numëron pemët, siç numëron votat e Këshillit të Bashkisë, 3, 5 7, 11. Unë ju bëj thirrje; konsiderojeni seriozisht uljen e taksave, keni një javë afat, në të kundër qeveria do të vendosë “kufirin te thana”.
Së fundi, ju ftoj që, në një akt të madh qytetarie, nje akt të lart përgjegjësie, të merrni letërnjoftimet elektronike, sepse ne patëm fatin të marrin një letërnjoftim nga më modernët që ekziston sot në Europë, t’i merrni që të zhvillohen zgjedhje më të lira dhe më ndershmet që ka njohur Shqipëria ndonjëherë, t’i merrni që t’u dëshmojmë partnerëve tanë se ne kemi dokumentet me të sigurta të identitetit, që ne e meritojnë plotësisht heqjen e vizave. Më lejoni t’ju premtoj se, pas anëtarësimit në NATO, stacioni i dytë madhor i përbashkët do të jetë heqja e plotë e vizave për shqiptarët.
Edhe njëherë, gëzuar të gjithëve. Le ta shndërrojmë këtë periudhë në një festë të vërtetë të fitores sonë të sigurt”.
09/04/2009