Zëvëndëskryeministria dhe Ministria e Shtetit për Integrimin, znj. Ermelinda Meksi ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Kompanisë Amerikane AMBO, z. Ted Ferguson. Në këtë takim znj. Me
Zëvëndëskryeministria dhe Ministria e Shtetit për Integrimin, znj. Ermelinda Meksi ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Kompanisë Amerikane AMBO, z. Ted Ferguson. Në këtë takim znj. Meksi ka shprehur kënaqësinë për përfshirjen e Shqipërisë në projekt si dhe vlerësimin maksimal për projektin e paraqitur nga Kompania AMBO për ndërtimin e korridorit naftësjellës që do të kalojë nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia dhe është një kontribut më tej për ndërtimin e Korridorit 8. Znj. Meksi e ka vlerësuar këtë investim si ndër investimet më të mëdha të SHBA-së në rajon.
"Ky investim përkon dhe me objektivat e Deklaratës së Samitit të Selanikut për Ballkanin Perëndimor për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal në fushën ekonomike. Mund të them me bindje se ky projekt është vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Maqedoninë dhe Bullgarinë në përmbushjen e kritereve ekonomike të procesit të integrimit evropian ku ne jemi të përfshirë"-është shprehur znj. zv/kryeministre. Të dy palët kanë theksuar rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e imazhit të vendeve të rajonit dhe si rrjedhojë për thithjen e investimeve të mëtejshme.
Marrëveshja Trepalëshe për projektin AMBO është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave. Znj. Meksi ka siguruar z. Ferguson dhe këshilltarët e tjerë të kompanisë AMBO të pranishëm në takim për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë në kohën e duhur të gjitha hapat e nevojshëm procedurialë me synim miratimin përfundimtar të kësaj marrëveshjeje.
Objekt i bisedimeve ka qënë dhe ndërtimi i një parku energjitik në Vlorë, projekti i të cilit është paraqitur nga konsorciumi i disa kompanive private amerikane pranë institucioneve përkatëse shqiptare. Vlora është konsideruar si një qytet me potenciale industriale dhe turistike në vend. Për këtë arsye Qeveria shqiptare ka miratuar në parim krijimin e këtij parku energjitik dhe aktualisht po punohet për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për miratimin përfundimtar nga organet kompetente. Pjesëmarrësit në takim theksuan rëndësinë e krijimit të një parku të tillë energjitik për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e turizmit. Zv/kryeministria Meksi shprehu besimin për respektimin nga ana e një kompanie presitigjioze si AMBO të standarteve të mjedisit.
Projekti i naftësjellësit AMBO do të bëhet pjesë e infrastrukturës së Korridorit 8 Evropian, Lindje-Perëndim, ku krahas tij do të përfshihen dhe projekte si autostrada, hekurudha, gazsjellësi dhe telekomunikacionet.