Sot, nën drejtimin e Zëvëndëskryeministres Ermelinda Meksi, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë "Për propozimin për ratifikim në Kuvend të disa marrëveshj
Sot, nën drejtimin e Zëvëndëskryeministres Ermelinda Meksi, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë "Për propozimin për ratifikim në Kuvend të disa marrëveshjeve në fushat e mbrojtjes, të energjetikës dhe të transportit".
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u diskutua edhe për situatën emergjente të krijuar në disa zona të Shqipërisë nga zjarret e ditëve të fundit. Për këtë problem, si dhe për masat që janë ndërmarrë deri tani, informoi Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka. Gjithashtu, Ministri Duka parashtroi edhe detyrime të institucioneve të tjera për të bashkëvepruar në përballimin e situatës së krijuar me kosto sa më të ulët, si dhe parandalimin e këtyre ngjarjeve.
Në bazë të një urdhëri të posaçëm të Kryeministrit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për krijimin e një grupi Task Force që do të mobilizojë më me efektivitet strukturat qeveritare në parandalimin e zjarreve, si dhe në marrjen e masave të rrepta për ata që i shkaktojnë këto zjarre.
Në vijim të rendit të ditës, në këtë mbledhje u miratuan këto akte:
- Projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Mediocredito Centrale, S.p.a., Itali, për programin e ristrukturimit teknik dhe menaxhues të KESH, sh.a. dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar".
Në kuadër të masave dhe përpjekjeve që po bën qeveria shqiptare dhe KESH për përmirësimin e gjëndjes së sistemit tonë elektroenergjitik, në bashkëpunim me donatorë të huaj është siguruar mbështetja e qeverisë italiane për një program të ri bashkëpunimi dypalësh. Qeveria italiane ka miratuar dhënien e një kredie ndihmë prej 41.5 milionë Euro. Qeveria italiane ka autorizuar Mediocredito Centrale për dhënien e kësaj kredie. Kjo kredi konsiderohet me kushte lehtësuese. Ajo ka një afat kthimi prej 36 vjetësh, nga të cilat 18 vjet janë periudhë e lirë, vetëm me pagesë interesash. Interesi që do të paguajë vendi ynë është 0.4 për qind.
Ky program, i cili përfshihet në programin e donatorëve të tjerë si Banka Botërore, BERZH, BEI, Japonia, Zvicra dhe Spanja me vlerë rreth 200 milionë USD, do të kontribuojë në rehabilitimin dhe fuqizimin e sistemit tonë elektrik të transmetimit dhe të shpërndarjes si dhe do të ndihmojë në ristrukturimin dhe menaxhimin e KESH-it, duke favorizuar përmirësimin e gjëndjes teknike e financiare të tij. Programi ka si objektiv që, nëpërmjet përmirësimit të sigurisë dhe të eficencës së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, të përmirësojë nivelin e jetesës së popullsisë dhe të plotësojë kërkesat në rritje për energji elektrike të sektorit prodhues, me qëllim mbështetjen e biznesit dhe rritjen e investimeve private. Për të arritur këtë objektiv të përgjithshëm, programi synon mbështetjen e rritjes hap pas hapi të pavarësisë tekniko financiare të KESH-it, në përputhje me kërkesat bashkëhore të menaxhimit që lejojnë integrimin e sektorit tonë lektrik në zhvillimet rajonale dhe ato europiane.
Programi do të japë një kontribut me vlerë për vënien në përdorim me efektivitet të plotë të sistemit të matjes nëpërmjet sigurimit të furnizimit dhe instalimit të rreth 75 mijë matësve të energjisë elektrike, duke ndihmuar në realizimin e objektivit për plotësimin me matësa të të gjithë konsumatorëve brënda vitit 2004. Programi është vazhdim i bashkëpunimit të deritanishëm me qeverinë italiane, në vecanti në zonën e Tiranës dhe Durrësit nëpërmjet ndërtimit të nënstacioneve të Kasharit (pjesë e bashkëpunimit të deritanishëm me qeverinë italiane) fuqizimit të nënstacionit elektrik të Pogradecit, fuqizimit të rrjetit shpërndarës në Durrës e Pogradec, furnizimin të materialeve, pajisjeve dhe mjeteve për mirëmbajtjen e rrjetit shpërndarës.
- Projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes".
Qëllimi i kësaj Marrëveshje është përcaktimi i fushave dhe formave të bashkëpunimit ushtarak midis palëve, bazuar në parimet e barazisë, partneritetit dhe përfitimit reciprok, në përputhje me ligjet kombëtare si dhe parimet e normat e njohura të së drejtës ndërkombëtare dhe angazhimeve të palëve. Fushat e bashkëpunimit të përcaktuara nga palët përfshijnë: shkëmbimin e eksperiencave në fushën e planizimit ushtarak dhe të mbrojtjes, funksionimin e Forcave të Armatosura dhe zbatimin e dispozitave të trakteve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe armëkontrollit, pjesëmarrjes në veprimtari të programit "Partneritet për Paqe", misioneve humanitare dhe paqeruajtëse dhe operacioneve të tjera të organizatave ndërkombëtare lidhur me mbështetjen e paqes dhe luftën kundër terrorizmit.
Format e bashkëpunimit të përcaktuara në këtë marrëveshje përfshijnë edhe arsimin ushtarak dhe trainimin e personelit, çështjet lidhur me shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, veprimtari të shërbimeve kërkimore dhe shkencore, shkenca dhe studime ushtarake, hidrologji, meteorogji, mbështetje për pajisje dhe armatim, zbatimin e sistemeve të infromacionit dhe komunikimit në Forcat e Armatosura, mjekësisë në FA, çështjet ligjore në fushën e mbrojtjes etj.
- Projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ushtarake, grant, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë".
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje granti riafirmon marrëdhëniet miqesore midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Granti i parashikuar në të do të sigurohet në materiale dhe shërbime dhe do të realizohet në përputhje me Protokollin e Zbatimit Logjistik, i cili do të përfundohet së shpejti. Ratifikimi i kësaj marrëveshje ndihmon bashkëpunimin ushtarak dhe kontribuon në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ajo pason ndihmën dhe bashkëpunimin bilateral me Republikën e Turqisë të realizuar nëpërmjet Marrëveshjes Ushtarake grant dhe Protokollit të Zbatimit për Ndihmën Financiare, nënshkruar më 1.04.2002.
- Projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave".
Lidhja e kësaj marrëveshjeje ka ardhur edhe si rezultat dhe domosdoshmëri e integrimit rajonal të dy vendeve. Duke marrë në konsideratë proceset europiane të liberalizimit, të cilat mbështesin lëvizjen e lirë të mallrave dhe udhëtarëve, kjo marrëveshje ka për qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për transportuesit e të dy vendeve, duke zvogëluar në maksimum pengesat në pikat e kontrollit kufitar dhe doganor si dhe pengesat e hasura më parë gjatë lëvizjes së transportuesve në territoret respektive të dy vendeve.
Marrëveshja përcakton rregullat e plota të detajuara për zhvillimin e transportit rrugor ndërmjet dy vendeve, duke krijuar kushte të favorshme për shkëmbimet e mallrave dhe levizjen e udhëtarëve, të grupeve të ndryshme turistike, kulturore dhe sportive, gjë do t'i shërbejë integrimit të popujve dhe kulturave në rajon dhe më gjerë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, transportuesit e të dy vendeve nuk taksohen në përdorimin e rrugëve nacionale, me përjashtim të rasteve të përdorimit të autostradave dhe urave të cilat janë të parashikuara në rregullat në fuqi të vendeve respektive.
Marrëveshja aktuale krijon kushte e hapësira për të licencuar shoqëritë transportuese të dy vendeve për të operuar në linja të rregullta të shërbimit të udhëtarëve me autobus, duke nxitur zhvillimin e turizmit ndërmjet dy vendeve.
- Vendimin "Për dhënie ndihme financiare familjes të së ndjerit Gani Jaçe Malushi, ish-shef i Komisariatit të Policisë së Krujës, i vrarë në krye të detyrës". Të gjithë anëtarët e kabinetit shprehën vlerësimin e tyre më të lartë për punën dhe përkushtimin në kryerjen e detyrës së Komisarit Gani Malushi. Njëkohësisht, u shpreh angazhimi i qeverisë për t'i shkuar deri në fund luftës kundër krimit.
Në bazë të këtij vendimi, familjes të së ndjerit Gani Jaçe Malushi, ish-shef i Komisariatit të Policisë së Krujës, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Durrës, vrarë në krye të detyrës, i jepet një ndihmë financiare prej 3 000 000 lekësh. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Vendimi ka për qëllim të ndihmojë dhe të lehtësojë sadopak dhimbjen e madhe që ju shkaktua familjes së të ndjerit Gani Malushi.
Z. Gani Jaçe Malushi është i datëlindjes 20.05.1953, banues në Tiranë, i martuar, me arsim të lartë Akademinë e Rendit Publik. Titulluar specialist i lartë policie në vitin 1979. Gjatë karrierës së tij policore në strukturat e Ministrisë së Rendit Publik, ka kryer detyra të ndryshme, deri në detyrën drejtor policie qarku. Nga data 16.04.2003 deri në datën 07.08.2003 ka kryer detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Krujë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Ka shërbyer me përkushtim e devotshmëri në zbatimin e të gjitha detyrave të ngarkuara në rrethet Elbasan, Burrel, Lezhë, Berat, Tiranë, Tropojë, Kukës, Peqin, Librazhd dhe Krujë, duke qënë pjesëtar aktiv në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në parandalimin, goditjen dhe zbulimin e veprimtarisë kriminale.
Në punën e tij është karakterizuar si një kuadër me aftësi profesionale, organizuese e drejtuese, komunikues me vartësit, eprorët, komunitetin.
Eshtë dekoruar dy herë nga Presidenti i Republikës me medaljen "Për ruajtjen e rendit shoqëror" dhe "Mirënjohjes".
Me datën 06.08.2003 në orën 11 00, nënkomisar Gani Malushi, duke udhëtuar për nevoja shërbimi nga Kruja për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, në vëndin përballë spitalit, befasisht dhe në mënyrë kriminale, është qëlluar me armë zjarri nga persona të inkriminuar, ku si rezultt ngelet i vdekur shoferi i tij, Gjovalin Ndreu dhe plagoset rëndë shefi i Komisariatit të Policisë Krujë Gani Malushi. Me datën 07.08.2003, megjithë përkujdesjen dhe ndihmën e dhënë nga mjekët e specializuar të spitalit qëndror ushtarak, si pasojë e gjëndjes së rëndë në orën 13 00, ai ndërroi jetë.
- Vendimin "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2003, miratuar për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, për financimin e edukimit të zgjedhësve për procesin e rishikimit të listës paraprake të zgjedhësve për zgjedhjet në organet e qeverisjes vendore 2003".
Në bazë të këtij vendimi, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2003, do t'i shtohet fondi prej 21 342 000 lekë për fushatën e edukimit qytetar për procesin e rishikimit të listës paraprake të zgjedhësve për zgjedhjet në organet e qeverisjes vendore 2003. Ky fond do të përballohet nga fondi i kontigjencës për vitin 2003, i parashikuar për zgjedhjet vendore.
Me këtë shumë, qeveria realizon të gjitha detyrimet financiare të kërkuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet në organet e qeverisë vendore 2003. Ky është kontributi më i lartë i qeverisë për zgjedhjet.