E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE miraton rezolutën: Jo hapje të kutive dhe fund bojkotit

Me një shumicë votash, Këshilli i Evropës votoi rezolutën e propozuar nga dy reporterët, duke i hapur rrugën zgjidhjes së situatës politike në Shqipëri dhe kthimin e opozitës në Kuvend. Me 84 vota pro dhe vetëm 4 vota kundër, Këshilli i Evropës kërkon që opozita të kthehet menjëherë në Kuvend, ndërsa kërkon nga qeveria një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve.
Rezoluta e hartuar nga dy reporterët, finlandezi Jaakko Laakso dhe anglezi David Wilshire, u miratua me tri amendamente të cilat kërkojnë zgjidhjen e bojkotit të opozitës pa prekur kuadrin ligjor të vendit. Më se 10 amendamente u propozuan nga deputeti shqiptar Ilir Rusmali, por vetëm tri u pranuan. Rusmali kërkoi konkretisht heqjen e termit krizë politike nga rezoluta. Reporterët pranuan të zbusin gjuhën në rezolutë, por kërkuan që situata të cilësohet si “krizë politike”.
Amendamentet
Asambleja pranoi amendamentin kryesor të propozuar nga Ilir Rusmali, që ka të bëjë me hetimin e zgjedhjeve, duke pranuar që komisioni hetimor parlamentar duhet të respektojë vendimin e gjykatave. Amendamenti tjetër për ndërhyrjen e KiE-së nuk u pranua dhe tashmë pritet që raportuesit e misionit të monitorimit të vijnë në Tiranë dhe të kontribuojnë për një zgjidhje politike. Amendamenti i tretë kishte në bënte me termat e përdorur dhe dy raportuesit pranuan të zbusin gjuhën, duke u shprehur se situata në vend nuk ka paralizuar integrimin e vendit në BE, por e ka vështirësuar atë. Nga ana tjetër, dy raportet u shprehën se Presidenti Bamir Topi duhet të përfshihet në zgjidhjen e krizës në vend. “Ne kërkojmë që zoti Topi të ushtrojë rolin e tij. Ne e njohim zotin Topi dhe e mbështesim atë që ai të drejtojë zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Veprimet konkrete janë që ne të mbështesim atë dhe të nisë sa më parë dialogu”, - tha reporteri Laakso.
Rezoluta
Rezoluta e miratuar dje shpreh nevojën e hyrjes së menjëhershme në Kuvend të opozitës. “Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij”, - kërkohet në rezolutë.

Amendamentet e miratuara që i shtohen rezolutës

Amendamenti 1

Në pikën nr. 5 të rezolutës, hiqet fjala “ i bllokuar” nga teksti “progresi i vendit drejt integrimit evropian është i bllokuar”.

Amendamenti 2

Në këtë amendament shtohet se komisioni hetimor parlamentar do të hetojë zgjedhjet, por duke theksuar se “nuk mund të hetohet gjithçka”. Amendamenti shpreh se komisioni hetimor do të veprojë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çka nënkupton respektim të Kushtetutës, ligjit e vendimit të gjykatave.

Amendamenti 3

Në këtë amendament, pranohet që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të ushtrojë rolin e tij për të zgjidhur krizën në vend. Presidenti qëndron mbi palët dhe garanton Kushtetutën. Situata në Shqipëri cilësohet si “krizë politike”, por jo “krizë institucionale”.

Rezoluta e plotë e KiE-së për Shqipërinë

Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij.

Autoritetet shqiptare gjithashtu duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Me qëllim lehtësimin e rolit të Presidentit Topi si ndërmjetës dhe dhënien fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e plotë të demokracisë parlamentare, Komiteti i Monitorimit propozon që Këshilli Presidencial i Asamblesë së bashku me bashkëreporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të zhvillojnë një vizitë sa më shpejt të jetë e mundur pas sesionit dimëror të asamblesë.

A. Draft-rezoluta

1. Asambleja Parlamentare dënon krizën politike dhe institucionale, e cila ka paralizuar politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste në opozitë dhe kundërshtimin e legjitimitetit politik të qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike. Në një parlament ku shumica qeverisëse nuk ka 3/5 e votave të nevojshme për kalimin e reformave të mëdha kushtetuese, ky bojkot i bën reformat më të domosdoshme të pamundura. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe aspiratat e tyre për integrimin evropian.

2. Asambleja shpreh keqardhjen që bojkoti ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk është emëruar ende delegacioni i ri parlamentar në Asamblenë e KE-së dhe anëtarët e vjetër të opozitës nuk marrin më pjesë në veprimtaritë e Asamblesë.

3. Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar dhe rikthimi tek bojkotet, veçanërisht pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, është një problem i përsëritur në Shqipëri, praktikë e cila dëmton funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

4. Asambleja gjithashtu shpreh keqardhjen që në mungesë të një dialogu parlamentar të kuptimtë, retorika provokative po njeh rritje nga të gjitha palët e përfshira. Kjo mund të destabilizojë më tej vendin.

5. Asambleja i rikujton Shqipërisë se ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian më 28 prill. Më 16 nëntor 2009 Këshilli e ftoi Komisionin Evropian të japë opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë. Megjithatë, në këtë situatë, progresi i vendit drejt integrimit evropian është “i bllokuar” (sipas amendamentit ky term hiqet). Është e rëndësishme që Shqipëria, ndryshe nga tre fqinjët e saj, ende nuk ka përfituar liberalizimin e vizave nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

6. Asambleja shpreh gatishmërinë e saj të ofrojë një forum për arritjen e një zgjidhjeje në Shqipëri dhe të punojë ngushtë me organizatat ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike për krizën. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti Topi për të ulur së bashku partitë politike në vend. Në këtë kontekst, Asambleja e konsideron që një tryezë e rrumbullakët, ku të marrin pjesë të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuonte në përmirësimin e klimës politike dhe hedhjen e bazave për rivendosjen e dialogut parlamentar.

7. Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës t'i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të procedojnë me reformat jetike dhe shumë të nevojshme dhe të shënojnë progres në drejtim të integrimit evropian, një qëllim i përbashkët për të gjithë. Në mënyrë të veçantë, kërkon që qeveria të ngrejë, pas vonesë, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, si dhe në të njëjtën kohë i kërkon opozitës të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë tërësisht në punimet parlamentare.

8. Asambleja u kërkon autoriteteve shqiptare të implementojnë rekomandimet e Komitetit ad hoc të Byrosë, që ka vëzhguar zgjedhjet e qershorit 2009, për të përmirësuar, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, kuadrin legjislativ zgjedhor dhe të përmirësojnë kapacitetet e administratës zgjedhore, në mënyrë të veçantë në sa vijon:

8.1 Regjistri i gjendjes civile dhe regjistri zgjedhor dhe në këtë kontekst, nevoja për t'i gjetur zgjidhje problemit të së drejtës e votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë;
8.2 Rregullimi i mbulimit nga mediet dhe përdorimi i fondeve publike në fushatat zgjedhore, të cilat disavantazhojnë parti politike jo të përfaqësuara në Parlament;
8.3 Rregullat e transparencës ndaj pronësisë së medieve dhe zbatimit me efektivitet;
8.4 Mënyra e zëvendësimit të anëtarëve të komisioneve të niveleve të ulëta, çka është e papajtueshme me një administratë zgjedhore të paanshme dhe profesionale;
8.5 Kushti i paqartë për të përfshirë gratë në listat e kandidatëve, që duhet riparo, në mënyrë për të garantuar që kandidatet gra të jenë në një pozicion të zgjedhshim;
8.6 Nevoja për të shfuqizuar garantimin e të drejtave të veçanta në zgjedhje për partitë politike që janë në Parlament.

9. Asambleja fton zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri të ngrenë një grup të përbashkët për të ekzaminuar të gjitha rastet e presionit mbi njerëzit gjatë fushatave elektorale dhe të vendosin përgjegjësi për secilin nga kundravajtësit apo shkelësit e ligjit elektoral.

10. Në mënyrë që të mbështetet procesi i zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojnë Presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit dhe përpjekjeve për të rivendosur dialogun politik dhe t'i jepet fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e demokracisë parlamentare, Asambleja vendosi t'i kërkojë:
10.1 Presidentit Topi, në qoftë se ekziston ndonjë rrugë për të ndihmuar përpjekjet e tij në arritjen e pajtimit;
10.2 Komunitetit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë, nëse mund t'i sugjerojnë Asamblesë veprime të tjera;
10.3 Grupeve të saj (Asamblesë) politike të ushtrojnë influencën e tyre tek përfaqësuesit e partive politike shqiptare;
10.4 Komitetit Presidencial së bashku me bashkëreporterët e Komitetit Monitorues të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur pas sesionit së Janarit 2010 të Asamblesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›