Zgjatimi i bulevardit, përzgjidhen 7 kompanitë me të mira
Fituesi i konkursit ndërkombëtar shpallet në fund të korrikut
Po shkon drejt finalizimit konkursi për kompaninë që do të ndërtojë bulevardin e ri te kryeqytetit. 7 kompani kanë mbetur në garë nga 15 që morën pjesë në çeljen e procedurave parakualifikuese. Këto kompani janë ndër më prestigjiozet që vijnë nga Gjermania, Austria, Itali, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe nga Shqipëria. Kompanitë e përzgjedhura do të paraqesin planin financiar për realizimin e këtij projekti gjigant, brenda 30 ditëve , duke mundësuar kështu që deri në fund të muajit korrik të jetë shpallur edhe kompania fituese.
Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 6.1 miliardë euro për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaw Architects” për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga Fondi i Zhvillimit “Abu Dhabit” sipas marrëveshjes së qeverisë sonë dhe Emirateve të Bashkuara, firmosur më 21 prill 2013, me vlerë 5.4 miliardë euro si dhe nga granti i qeverisë së Katarit me vlerë 7 miliardë euro. Në fazën e parë të punimeve, që fillojnë nga stacioni i trenit, përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km katrorë.