Në Perandorinë e izoluar të Kimit

Ndërtesa nga betoni dhe stacione moderne të trenit, para ushtarake dhe koret e fëmijëve të veshura me shije, xhirime të pishinave, parqe për të kaluar kohën e lirë dhe restorantet e ushqimit të shpejtë në Korenë e Veriut. Për të gjitha këto gjëra dëshmojnë fotografitë e pa-censuruara nga Koreja e Veriut. Dhe disa fotografi të krijojnë gati përshtypjen se njerëzit jetojnë në liri.
Kur gazetarët tentojnë të hyjnë në këtë sistem, kjo atyre zakonisht ju pamundësohet. Edhe atëherë kur gazetarëve ju lejohet të hyjnë në vend, atëherë ata mund të jenë pjesëmarrës të një qarkullimi të kontrolluar nëpër rrugët e kryeqytetit, Phenian.
Telefonat mobil konfiskohen qysh në aeroport. Çdo hap mbikëqyret nga pjesëtarët e regjimit.
Shpesh botës së jashtme i shërbehen fotografi propagandistike. Fotografi për gazeta, nëse ato lejohen fare të bëhen, duhet t’i nënshtrohen disa rregullave tejet të ashpra. Nuk lejohet fotografimi nga autobusi gjatë vozitjes. Përmendoret e udhëheqësve nuk guxohet të fotografohen nga prapa dhe janë këta vetëm disa shembuj.
Jean H.Lee, shef i zyrës në Seul të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe David Guttenfelder, fotoreporter i AP-së, janë gazetarët e parë perëndimor, të cilët patën mundësi që të lëvizin lirshëm në Phenian, ku as që ekziston liria e shtypit. Ata u lejuan që të lëvizin me një grup të gazetarëve vendas-pa kontrollin e pjesëtarëve të qeverisë. Fotografitë e tyre ofruan pamje deri me tani të papara dhe dokumentojnë përditshmërinë nën kryesimin e diktatorëve.
Jean Lee raporton për një qytet, ku njerëzit ende veshin rroba tradicionale. Shihen edhe njerëz, të cilët i janë nënshtruar edhe operacione klasike. “Disa prej këtyre njerëzve lirisht do të mund të jetonin edhe në Pekin, Bangkok apo Seul, përjashtuar këtu emblemën e kuqe me portretin e Kim Il Sungit, të cilin e kanë të qëndisur në rroba”, rrëfen Lee.
Në shikim të parë, qyteti dy gazetarëve ju duket gati perëndimor. Lee thotë se është ky një truk i qeverisë, e cila tenton të bind popullin e vet se atij nuk i mungon asgjë.
Në shikim të dytë vërehet se sa fuqishëm e dikton sistemi politik përditshmërinë e njerëzve dhe e drejton frikën e njerëzve. Vetëpërmbajtja dhe vetë-censura janë gjëra të pashmangshme në një shtet si Koreja e Veriut, i cili definohet aq shumë nëpërmjet sistemit dhe rregullit të tij, thotë Lee.
Në maj, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, publikoi fotografi satelitore të kampeve të arrestit dhe dokumentoi kushtet më të këqija, të cilat i ka parë ndonjëherë kjo organizatë, kanë theksuar zyrtarët e AP-së. Ata njoftuan për ekzekutime dhe tortura. Për gjëra të cilat as që mund të paramendohen në sistemet demokratike.
“Kritikat ndaj udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il, janë temë tabu. Pyetjet shpesh marrin përgjigje me lutjen:’Ju lutem mos më pyetni për gjëra të tilla”, thotë Lee.
Gazetarët shpesh e fitonin besimin e bashkëbiseduesve të tyre, vetëm pas pirjes së disa birrave apo të disa gotave verë koreane.
Gazetarët e përshkruajnë Phenianin si një qytet modern, i cili duket se po transformohet rrënjësisht. Me gjelbërim dhe lobe të hoteleve, të ndërtuara me stil dhe shije. Edhe ndërtesat në qytet ngadalë po marrin një pamje të re dhe moderne.
Por është kjo vetëm një transformim në dukje të parë. Ajo që është me rëndësi: ndoshta po transformohet qyteti, por jo edhe sistemi politik në vend, i cili ka shndërruar Korenë e Veriut në një prej shteteve më të izoluara në botë, i cili me politikën e tij po i shkakton kokëçarje të shumta demokracive perëndimore dhe Koresë së Jugut.