Zgjedhja e Presidentit ribën PD-në e nesërme
Një vështrim për raportet e forcave në PD, cilat janë grupet që do të vendosin për Presidentin e ri të vendit dhe cila do të ishte strategjia e maxhorancës nëse nuk merr dot një mandat të tretë qeverisës. Fati i nesërm i Topallit, Olldashit, Bodes dhe Bashës në një lojë figurash që sot për sot i bashkon Berisha
Nga Lorenc Vangjeli, Java
Edhe kësaj here ja ka dalë në terrenin që njeh më mirë se kushdo tjetër. Në politikëbërjen me porta të vogla, hile, taktika sulmi dhe tërheqjeje, strategji të llojit tërhiq e lësho. Ka kërkuar maksimumin dhe ka në plan rezervë kufirin maksimal të tërheqjes. Një kufi të cilin, me shumë gjasa, nuk e ka diskutuar me askënd, edhe pse të gjithë, vartës dhe kundërshtarë, i kanë sytë tek ai. Zoti Berisha e ka mbajtur vazhdimisht stekën e tij për emrin e presidentit tek një figurë e lartë politike e PD-së, duke qenë, në fakt, i barazlarguar nga të gjitha këto figura potenciale. Gjithashtu, pa harruar se në momentin e fundit, steka e tij mund të nxjerrë në skenë një personazh që do të habiste shumëkënd. Ndoshta krejt të panjohur, që si i tillë, mund të paragarantojë besnikëri ndaj propozuesit të tij dhe nuk shpall paraprakisht ankth tek opozita që do të jetë kundër në bllok për ta votuar. Sepse ndryshe nga të gjithë që këtë verë shohin vetëm se cili është emri i ri i Presidentit, Berisha sheh cila do të jetë PD-ja e tij e nesërme. Vetëm duke i parë të lidhur bashkë këto dy synime të kryeministrit, mund të kuptohet loja deri më tani e heshtur e tij.
Në këtë kuptim, vlen të hidhet dritë mbi atë që ka parasysh zoti Berisha kur përmend funksione, por jo emra, për postin e Presidentit të Republikës. Dhe për ta bërë një gjë të tillë, duhet parë sesi funksionon vetë PD-ja në strukturat e saj drejtuese, me njerëzit e saj më të rëndësishëm politikë, me figurat e skalionit të dytë dhe me ata të tjerë që janë thjesht anëtarë të Kuvendit dhe çfarë mund të ndodhë me ata nesër. Cilat janë marrëdhëniet e tyre, raportet e forcës, e çfarë është më e rëndësishme, shkalla e afërsisë me vetë Berishën? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, shërbejnë dhe për të parashikuar vlerën e votës së tyre. E cila, me të gjitha gjasat, do të jetë e unifikuar pavarësisht divergjencave, vetëm në rast se moszgjedhja e Presidentit do të shkaktonte krizë dhe zgjedhje të parakohshme, çka do të krijonte kaos edhe brenda vetë PD-së.
Të parët
Eshtë bashkësia më e konsoliduar dhe më e strukturuar në PD, por jo e ndërtuar në kuptimin që ka fjala grup; mes tyre nuk ka një të parë dhe nuk ka koordinim të përhershëm në lëvizje. Qoftë dhe si i tillë, ai është më i fuqishmi dhe më me pushtet brenda PD-së. Lidhja e tyre, megjithatë, është e dukshme dhe e prekshme për të gjithë kolegët e tyre në PD. Në këtë grup, bën pjesë Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit, dy nga ministrat më të fuqishëm të kabinetit Berisha, Olldashi dhe Bode, nënkryetari i PD-së Astrit Patozi dhe Flamur Noka. Këta personazhe i lidh jo vetëm një model pothuaj i përbashkët karriere, por edhe miqësia personale. Ndonëse, jo çdo gjë mes tyre shkon në sinkron. Të tjerë emra më periferikë, janë pranë tyre. Nga ky grup, dy emra janë të artikuluar si kandidatë të mundshëm presidencialë në garën presidenciale në prag dhe tek ky grup, fshihet edhe një pjesë e rëndësishme, më e rëndësishmja e PD-së së nesërme.
E para, zonja Topalli, e cila me të gjitha gjasat, ka një premtim privat të Doktorit për ta kandiduar në këtë post. Sipas skemës që funksionoi pesë vjet më parë, por në rrethana të tjera, në zgjedhjen e Bamir Topit. Megjithatë, as Berisha vetë dhe as vetë Topalli, nuk kanë folur kurrë konkretisht për këtë hap. Topalli, e cila po luan lojën e saj, jo plotësisht të koordinuar me deputetët që ka afërsi, ka ndikim mbi grupin e deputetëve të Shkodrës dhe Lezhës dhe mund të llogarisë dhe mbështetjen e deputetëve të tjerë që, veç Berishës, i binden, figurave të këtij grupi. Me Topallin presidente do të ishin të lumtur edhe juristët e PD-së, Rusmajli u bë kryetar i komisionit të ligjeve me inistimin e vetë Jozefinës ministri Halimi, Gumi apo dhe periferiku Strazimiri.
Largimi i mundshëm në presidencë i zonjës Topalli, krijon hapësira të reja në PD. Në një situatë të tillë, me të gjitha gjasat, Olldashi, përfaqësuesi i brezit të dytë të suksesit tek politikanët e PD-së, rivlerësohet në mënyrë të konsiderueshme si një nga figurat më të rëndësishme të partisë. Në një situatë hipotetike të humbjes së zgjedhjeve të 2013, largimit të Berishës de jure nga partia duke mbajtur postin e kryetarit të nderit të saj, minimalisht Olldashi do të bëhej në mënyrë automatike sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, në vend të mikut të tij ministrit Bode e me mirëkuptimin e tij. Dhe për ti vajtur deri në fund skemës që ngjan e llogaritur në detaj, Basha që për momentin ka perceptimin se është kryetar i parazgjedhur i partisë, do të ishte më shumë një figurë honorifike, kurse Olldashi do të drejtonte realisht e praktikisht partinë në terren. Duke i krijuar një PD-je të nesërme në opozitë, një pol të trefishtë pushteti: President kryetar i bashkisë së Tiranës Prokuror i Përgjithshëm.
Kjo skemë çalon vetëm në një detaj, në marrëdhëniet e tensionuara të zonjës Topalli me Lulzim Bashën. E para nuk e ka fshehur kurrë, edhe publikisht, antipatinë për djaloshin me fat të politikës, i dyti, i është shmangur gjithmonë një përplasjeje direkte me gruan e fortë në PD. Në postin e Presidentit, Topalli do të kishte mjetet dhe mekanizmat për të frustruar e kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme Bashën me dosjet penale të rrugës Durrës-Kukës dhe të tragjedisë së 21 janarit. Kjo është dhe mëdyshja më serioze e vetë Berishës kur mendon se mund të luajë kartën Topalli në bursën presidenciale, kur sheh të nesërmen e PD-së. Sepse, në PD nuk kanë dilema: në një garë të mundshme mes Bashës dhe Oldashit, në çdo pozicion të ndodhet, Jozefina nuk do të kishte dilema, do të votonte për Olldashin. Nuk dihet qartë se çfarë qëndrimi do të mbante vetë Berisha në këtë rast, por deri tani ai ka mbajtur një ekuidistancë mes Bashës dhe Olldashit. Të dy krijesa të drejptpërdrejta të tij politike. Sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm nga prejardhja, nga stili i karrierës dhe mënyra sesi kanë ushtruar pushtetin brenda PD-së dhe në qeverisje.
Emri i dytë i rëndësishëm në PD që është lakuar si kandidat serioz për President, është Ridvan Bode. Madje, interesant është fakti që për herë të parë atë e ka përmendur pikërisht Sokol Olldashi duke ngjallur jo vetëm kërshëri publike, por dhe pak, ose pothuaj aspak, kundërshti konkrete nga opozita. Më shumë teknicien sesa politikan, Bode është pothuaj i vetmi anëtar i kabinetit Berisha që nuk ndruhet të replikojë me Berishën në mbledhje qeverie dhe është gjithashtu, një indikator për votën pro apo kundër të vendimeve të saj. Gjithashtu, është pothuaj i vetmi që Berisha ka lejuar që në mënyrë të kontrolluar, të shprehet edhe publikisht kundër tij. Qoftë dhe me grimasa dhe gjeste përpara kamerave, që në një parti unitariste si PD është vërtet shumë. Vetë Berisha, po publikisht, ka dhënë një përgji