Ikje nga vetvetjaNga Anisa HysesaniTë gjithë e njohim dhe e kemi debatuar koalicionin e kohëve të fundit që bëri shumë bujë, dhe të gjithë i njohim argumentet pro dhe kundër këtij koalicioni. Për këtë arsye nuk do mundohem as minimalisht të bëj rolin
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ikje nga vetvetjaNga Anisa HysesaniTë gjithë e njohim dhe e kemi debatuar koalicionin e kohëve të fundit që bëri shumë bujë, dhe të gjithë i njohim argumentet pro dhe kundër këtij koalicioni. Për këtë arsye nuk do mundohem as minimalisht të bëj rolin e një analisti apo politologu, por thjesht do përpiqem ta interpretoj gjithë këtë situatë nga një këndvështrim modest personal.
LSI në këtë koalicion delegjitimohet pikërisht nga elementi ose marrëdhënia më kryesore. Gjithsesi, po i shtjelloj me radhë disa prej elementëve, në kuadër të së cilës dua ta analizoj korrektësinë ose moskorrektësinë e këtij koalicioni:
1) LSI përkundrejt PD; 2) LS përkundrejt PS; 3) LSI përkundrejt vetvetes; 4) LSI përkundrejt votuesve të saj në këto zgjedhje.
Për sa i përket analizës së elementit të parë duhet të themi që ky bashkëpunim nuk mund të legjitimohet nga pikëpamja morale, pasi, po të bëjmë një retrospektivë, qoftë dhe sipërfaqësore, nuk mund të mos na kujtohen retorikat agresive të kryetarit të LSI, z. Ilir Meta, përkundrejt z. Berisha dhe qeverisë së tij të ashtuquajtur “e paaftë” dhe “mafioze”; nuk mund të mos na kujtohet reagimi i LSI, kur ndodhi shpërthimi në Gërdec e shumë të tjera si këto. Pra, nga kjo pikëpamje e kemi absolutisht të pa-legjitimuar këtë koalicion, pasi, nëse ti bën një retorikë kundër një force politike dhe kërkon votat pikërisht në emër të kësaj retorike agresive e negative përkundrejt rivalëve politikë, si mund të justifikohet bashkëpunimi?
Por medalja ka dhe një anë tjetër dhe kjo është çështja teknike dhe pragmatiste.
Me sa duket deri tani Partia Socialiste, edhe po të kishte mandatet e LSI, nuk do të mundte të formonte mazhorancën, edhe po të zgjidhte alternativën e mos-kooperimit dhe mos-koalicionimit do dilte gjithsesi e humbur dhe përfaqësimi i gjithë atyre personave që e votuan këtë parti nuk do të mundej të realizohej.
Por dhe brenda kësaj kategorie të dytë ka dhe një anë tjetër, e cila gjithashtu nuk e legjitimon, edhe pse tashmë këta votues do përfaqësohen si do përfaqësohen. Cilat pika të planit politik do munden të realizohen, në mënyrë që të shërbejnë si parametra për të vendosur, nëse do votohet prapë kjo parti apo jo? Pasi të gjithë e kemi të qartë që programet e le të themi vetëm PD (jo koalicion) dhe LSI nuk është se kanë përputhje, dhe kur them nuk kanë përputhje, e kam fjalën, jo për problemet që duan të zgjidhin, pasi pak a shumë çdo parti retorizon të njëjtat probleme, por ndryshojnë në prioritetin dhe mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve! Pra, është më se e dukshme që argumenti që i bëhet këtij koalicioni për hir të stabilitetit nuk vlen, pasi pikërisht në këtë rast nuk kemi koalicion por mutacion, konfrontim dhe imazh negativ të të dyja palëve për njëra-tjetrën, dhe për më tepër me ideologji të ndryshme, njëra e majtë dhe tjetra e djathtë! Pra, dhe në anën teknike kemi vetëm probleme të thella, nëse tentojmë ta legjitimojmë.
Le të marrim elementin e dytë, pra legjitimiteti i këtij koalicioni, nëse e krahasojmë në raport me marrëdhënien me PS. Le të kujtojmë që arsyeja pse kjo forcë u krijua ishte pikërisht prej faktit që z. Meta deklaroi se e majta nuk përfaqësohej më në një kontekst të tillë ideologjik dhe se ai do krijonte një lëvizje të vërtetë të majtë që do përfaqësonte idealet socialiste, pra nuk e pozicionoi veten kundër PS, por më majtas (çka demonstron që nuk ishin kundërshtarë, por thjesht njëri më i moderuar, tjetri më ekstrem). Gjithsesi, marrëdhëniet me liderin aktual të PS dhe me vetë PS kanë qenë gjithmonë konfrontuese, në mos për shkaqe politike apo personale, për shkaqe reagimesh apo mosreagimesh nga z. Rama dhe partia që ai udhëheq, si dhe për faktin që z. Rama miratoi Kodin e ri Elektoral, pikërisht për të hequr nga skena atë fluks partish të vogla që me sa dukej po e çekuilibronin parlamentin dhe e copëzonin pa ndonjë argument të fortë përfaqësimin e popullit, nga e cila sigurisht presupozohej (dhe siç u vërtetua) që LSI do dëmtohej e do humbte statusin e saj si forcë e tretë politike. Në rrjedhë të gjithë këtij shtjellimi nuk shohim asnjë premisë teknike apo personale për LSI dhe kryetarin e saj, që të mbështeste PS me mandatet e saj, si dhe z. Rama për t’u bërë kryeministër dhe deri këtu ma do mendja që nuk hasim ndonjë kundërshtim.
Duke kaluar në elementin e tretë gjithashtu është më se normale dhe logjike të themi, që në kuadër të interesave të LSI si parti (që është ardhja në pushtet), është më se i legjitimuar ky mutacion, edhe pse ky mutacion e devijoi thellësisht dhe rëndë nga vlerat që ajo përfaqësonte, si dhe arsyet pse është votuar.
Devijimi më i thellë dhe delegjitimiteti më i madh i këtij koalicioni (gjithmonë duke analizuar thjesht LSI), i bëhet marrëdhënies së fundit, po më të rëndësishme, që është LSI përkundrejt votuesve të saj. Nëse unë jam votuese e LSI, e kam votuar për një nga këto tri arsye: për motive ideologjike; votë kundër z. Berisha; votë kundër të mosndjerit e përfaqësuar nga PS; për programin elektoral.
Në këtë koalicion LSI është shumë e pamundur dhe e qartë që nuk përfaqëson dhe realizon asnjë nga këto arsye, për të cilat logjikisht është votuar.
Nëse do isha votuese e kësaj partie, do ndihesha e humbur personalisht dhe e fituar partiakisht, por sa më intereson kjo mua? Ma do mendja për të gjithë votuesit e LSI, aspak, për aq kohë sa nuk do mund të përmbushen shpresat e dhe besimet e tyre!
Më tej dilema e madhe që kam është: Nëse ndryshon, kë përfaqëson? Nesër, kur të votohet sërish, kush dhe përse do ta votojë? Në momentin që ajo retorikë që ka përdorur deri tani dhe me anë të së cilës ka fituar mbështetje dhe kredibilitet nuk mund të përdoret më, çfarë argumentesh do përdorë në zgjedhjet e tjera? Dhe çfarë është më e rëndësishmja, nëse ka pushuar së qeni vetvetja, atëherë kush mund të jetë?
Opinioni im, LSI nuk ka tradhtuar as PS e as Ramën, po ka fundosur veten dhe larguar përkrahësit e saj.