E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, një kthim mbrapa dy zgjedhjeve të funditNga Mero BazeKomisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një hap të dukshëm mbrapa lidhur me besueshmërinë e tij në administrimin e procesit zgjedhor, së paku krahasuar me dy zgjedhjet e fundit, ato të vitit 20

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

KQZ, një kthim mbrapa dy zgjedhjeve të funditNga Mero Baze

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një hap të dukshëm mbrapa lidhur me besueshmërinë e tij në administrimin e procesit zgjedhor, së paku krahasuar me dy zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2005 dhe 2007. Ndryshe nga dy herët e fundit, ku KQZ pavarësisht përkatësisë politike ka luajtur një rol profesional dhe ka shërbyer për të forcuar integritetin e procesit, kjo KQZ po i rikthehet traditës së para vitit 2005, ku përmes urdhrave partiakë përmbyseshin rezultatet e zgjedhjeve.

Për të disatën herë rresht KQZ është vënë në provë për të dëshmuar profesionalizëm dhe ka rënë në standardin e direktivave politike. Rasti më flagrant është ai i mandatit të opozitës në Fier. Opozita është fituese e mandatit të 9, edhe pa u hapur kutitë që do të numërohen në KQZ, pasi nga dy kuti të numëruara, por të pafirmosura nga komisionarë të PD, rezultati është i mjaftueshëm për të shpallur deputetin e 9 të opozitës. KQZ është bërë pjesë e skemës manipuluese të qeverisë në Fier, e cila bllokon kutitë ku ka shumicën e votave opozita, më qëllim që të marrë me dhunë një mandat, që është mandati i 71-të i saj. Ky mandat në të vërtetë është mandat i artë, pasi nuk ka vlerën e një mandati më shumë, por ka vlerën e një shumice të re dhe për një mandat të tillë Shqipëria mund të zhytet në destabilitet dhe zgjedhjet mund të dështojnë.

Gjakftohtësia me të cilën KQZ provokon opozitën duke dashur të shpallë fituese një shumicë në mënyrë të pamerituar, është një rast i paprecedent. Ky gjest do të ndikojë negativisht, jo vetëm në të ardhmen e autoritetit të KQZ, por dhe të atyre politikanëve që qëndrojnë pas kësaj skeme manipulative. Nuk është çudi që pas ca kohësh Berisha të lajë duart dhe të fajësojë për këtë skandal ata që po përdor sot si manekinë. Nuk është çudi që dikush të kujtohet dhe t’i numërojë gjithë të zezat Arben Ristanit, ashtu sikundër kanë filluar deputetë të PD, që kanë në dorë lidhjet ndërkombëtare të fajësojnë Olldashin “për rrëmujën” në Fier, duke dashur me këtë rast të lajnë dhe hesape të vjetra me të.

Ky standard i ulët profesional i KQZ dhe dominimi i frymës partiake janë një kthim i fortë mbrapa i këtij institucioni, në kohën kur opozita, e cila është sot në pushtet, penalizohej duke shkelur ligjin dhe duke injoruar ankesat e saj legjitime. Skena të tilla si votimi për kutitë e Fierit ishin harruar që nga zgjedhjet e vitit 2001, kur KQZ kishte vendimmarrjen e siguruar për rezultatin 5 me 2 dhe nuk denjonte as të dëgjonte ankesat e opozitës. Rikthimi në standardet e vjetra, dhe humbja e besueshmërisë së institucionit qendror të zgjedhjeve, do të krijojnë një klimë mbytëse dhe për Kolegjin Zgjedhor, i cili që nga zgjedhjet e vitit 2003 ka dëshmuar profesionalizëm dhe ka ruajtur integritetin e procesit zgjedhor.

Dhe së fundmi ky degradim i KQZ do të jetë një taksë për standardin e zgjedhjeve, për të cilat është përgjegjëse qeveria. Shfaqja e KQZ si një institucion provokativ dhe tërësisht i politizuar do të jetë një dëshmi e prekjes së standardeve të zgjedhjeve prej qeverisë dhe kjo mund t’i kthehet në një taksë të rëndë në çdo derë të Evropës ku do të tentojë të trokasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›