E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhje- Shkodër, probleme në gjetjen e emrave në lista

Pas publikimit të listave të zgjedhësve në 59 qendrat e votimit në Shkodër, PS dega Shkodër ka konstatuar problemet që qytetarët po hasin në gjetjen e emrave në lista. Një rast konkret i gabimeve në listat e zgjedhësve, është dhe familja Trashani. 

SHKODËR- Pas publikimit të listave të zgjedhësve në 59 qendra të votimit në qytetin e Shkodrës, Partia Socialiste dega Shkodër ka konstatuar edhe problemet që qytetarët po hasin cdo ditë me gjetjen e emrave të tyre në këto lista. Kreu i Partisë Socialiste Shkodër Edip Shiroka në një intervistë për televizionin “New24” shpreh shqetësimin e kësaj dege përsa i përket problemeve në listat e publikuara.
“Njerëzit janë të shpërndarë në shumë qendra votimi. Një familje i takon të votojë në tre qendra votimi në distancë 3 km. Kjo mendoj se është bërë për krijimin e amullisë në ditën e votimit. Lista përfundimtare ka ndryshime nga lista paraprake. Ne e kemi parashtruar këtë problem por nuk kemi gjetur dot zgjidhje”- u shpreh Shiroka.

Një rast konkret i gabimeve të listave në zgjedhje është familja Trashani. Në këtë familje të përbërë nga 9 anëtarë, tetë prej tyre ekzistojnë në listën e votuesve në qendër me numër 304 në Shkodër, ndërsa kryefamiljari siguron në listat e votuesve të Lacit në Kurbin. “Jam Mehmet Trashani, lindur në Dukagjin dhe banues në Shkodër të gjithë pasaportizimin e familjes e kam në Shkodër. Të gjithë familjen e kam për votim në Shkodër ndërsa unë nuk ekzistoj në këto lista. E kam kontrolluar në kompjuter dhe më ka dalë qendra e votimit në Lac tek posta. Unë pasaportizimin e kam në Shkodër dhe nuk dua të votoj në Lac, por më kanë vendos atje”- kanë qenë këto fjalët e kryefamiljarit të familjes Trashani, i cili nuk figuron për votim pranë familjes së tij. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›